30/11/2015

Ku ka të drejtë "krimineli" Albin Kurti ?


Artan Fuga 

Ditën e Pavarësisë, në Kosovë, arrestohet deputeti Albin Kurti. E mo mirë, edhe ajo një ditë si të gjitha të tjerat është, drejtësia e kulluar, si ajo e Kosovës, psh., që nuk lejon një miush sado i vogël t'i kalojë nën hundë, punon çdo ditë e orë të vitit.

Boll e kishin duruar "kriminelin" Albin Kurti! E dënuan sikur të kishte bërë krim penal, ndërsa ai në fakt ka bërë një "krim" politik. Së paku në dy plane, e para, kundërshton një vendim të Kuvendit të Kosovës dhe pengon marrjen e tij, e dyta përdor dhunë fizike në Kuvendin e Kosovës. Dënojeni mirë pra për krim politik!

Ai është një "kriminel politik" i zgjedhur me votën e lirë të popullit të Kosovës.

Por, harrohet një gjë fare e vogël. Ai dhe miqtë e tij janë votuar nga elektorati dhe për atë "krim" politik duhet me fut gjithë elektoratin në hapsanën e lënë trashëgim nga Titua. Fundja Kosova, do a nuk do, me infrastrukturën e "Dërzhavës" vazhdon të funksionojë.

Por, Albin Kurti është deputet. 
Ai mund të ndëshkohet si deputet duke ju hequr e drejta për të qenë në seancë, 
ai mund të gjobitet, 
atij mund ti pezullohet përkohësisht mandati, 
atij edhe mund t'i hiqet mandati krejtësisht, 
sigurisht, 
por të merret për zverku një deputet dhe të hidhet si leckë në qeli, kjo është një plagë e tmerr për Kosovën.

Kështu vazhdon drama shqiptare, pasi na burgosin të huajt, kur lajmë hesapet me ta, nisim e burgosim njeri tjetrin.

Kuvendi i Kosovës nuk funksionon dot pa fut te "7 penxeret" Albin Kurtin. 
Aferim ! 
Por, a ka të drejtë ai të ligjërojë Shoqatën e Komunave Serbe brenda territorit të Kosovës pa ndryshuar Kushtetutën e Kosovës? 
Sigurisht që nuk ka. Ai po ndryshon formatin shtetror të Kosovës. 
Por, për të ndryshuar kushtetutën duhet të drejtohet me referendum te populli kosovar se kjo nuk është shakà. Aq më shumë që vendimmarrjen për këtë problem nuk e realizon veçse duke ushtruar dhunë ndaj deputetëve që ushtrojnë dhunë ndaj Kuvendit.

Si të bëhet atëhere?

Referendum. 
Zgjedhje të reja.

Këto janë zgjidhjet e urta, që klasa politike duhet të pranojë dhe jo për të ruajtur kolltukun të bëj faj ndaj historisë të ardhshme.

Carjen e shtetit të Kosovës në dysh, një shqiptarofon dhe një serbofon, pra Kosovën si dyshtet, duhet ta aprovojë sovrani, jo të deleguarit e sovranit që nuk janë zgjedhur me këtë platformë, që nuk kanë mandat për ta bërë këtë.

Po kaloni caqet e legjitimitetit.

Me thënë të drejtën unë nuk kam simpati politike për Albin Kurtin. Sidomos kur vetëvendosja e tij më kujton vetëadministrimin jugosllav, farsë, hipokrizi dhe dështim. Por, unë kam admirim për Albin Kurtin kur ai kundërshton establishmentin politik të vendit të tij, sepse e di që kjo nuk është e lehtë. Në sa e sa konstatime ka të drejtë ai...

Kur vetëvendosjes i duket se implikimi i partnerëve të jashtëm të shqiptarëve në kosovë është i dëmshëm dhe duhet hequr, kjo më duket një aventurë.

Unë nuk e di nëse shqiptarët e Preshevës kanë aq të drejta sa duan t'u japin serbëve në Kosovë. Nuk e kam studjuar këtë çështje. Por, di që konteksti serb është tjetër dhe ai kosovar krejt tjetër. Nuk ka vend për krahasime. Maqedonia dhe Bosnja janë gjithashtu shtete të tjera dhe nuk ka përse merret shembull mbi ta.

Gjithësesi nuk e di.

Por, cfarë di unë me siguri? Ku ka të drejtë katërqind e pesëdhjet e tre përqind Albin Kurti?

Ndarja e shtetit të Kosovës në dy administrata, një tërësore dhe një për serbët, që sigurisht duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat si qytetarë, është një model krejt i dështuar.

Nuk lejon integritetin shtetëror të Kosovës. Nuk motivon popujt serb dhe kosovar të jetojnë në paqe dhe të shoqërizohen brenda një shteti. Nuk e paqton dhe e qetëson popullin e Kosovës.

Por, krijon dy geto të ndara ku seicila pjesë e popullsisë ruhet nga tjetra, dy kultura të ndara, dy fate të ndarë, dy administrata të ndara, dy shkollime të ndara, dhe mendoni se në këtë dysi sociale do të ndërtohet një shtet i fortë i përbashkët?

Asnjë shembull nuk e provon.

"Krimineli" i rrezikshëm Albin Kurti mund të ketë shumë gabime, por ai ka të drejtë që me organizmin e ri te brendshëm, Kosova e humb përfundimisht shansin të jetë një shtet me integritet të brendshëm.

Kaq mjafton që klasa politike kosovare të mendojë një çast që nuk mund të marri vendime politike me ndihmën e forcës policore. Dhe çfarë vendimesh se...

Kurse klasa politike në Shqipëri me siguri nuk flet për këtë çështje sepse e konsideron pastaj si ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti fqinj...

Serbia e thotë fjalën e saj për Kosovën, kurse Shqipëria bën të ndershmen dhe princeshën e virgjër që nuk mund t'i heqi dorashkat e bardha prej nailoni...

RRUSTEM MUSTAFA DHE LATIF GASHI EDHE SHKELËS TË LIGJIT EDHE "MËSUES" TË RESPEKTIMIT TË TIJ



Arban Bislimi 


Ngjarjet që më kanë prekur më së shumti mbas lufte janë denimet për krime lufte të ish-luftëtarëve të UCK-së e cila është krenaria më e madhe e këtij populli dhe vlera më e lartë e tij; ushtria me luftën më të paster të parë ndonjëhere. Konfirmimin e denimit të Latës dhe Remit nga Gjykata e Apelit me 6 Nëntor 2015 e kam përjetuar rëndë... Sepse thjeshtë ishte denim politik sikur të gjithë ato procese të montuara kundër uçk-së. Kam qenë në dijeni sikur i gjithë opinioni (i cili është njoftuar përmes gazetave me 9 Nëntor 2015) se Remi edhe Lata kanë humbur automatikisht mandatin e deputetit. 

Përkundër këtij obligimi ligjor dhe Kushtetuesë të dy kanë vazhduar të votojnë si deputet. Më ka ardhur keq të përmendi këtë të vërtetë ndokund në publik për hatër. Megjithatë vjen një moment kur edhe të shkelësh ligjet dhe kushtetutën e vendit tënd edhe të paraqitesh "mësues" se si duhet respektuar ligjin, respektuar Shtetin, etj (si në ekstraktin qe vijon) më duket e tepërt dhe neveritëse: "Unë respektoj vendimet institucionale gjygjësore, e kam deklaruar se na duhet ndjeshmeri ndaj rendit, ligjit shumë herë. Sot ndjeva obligimin zyrtar dhe e dorzova mandatin e deputetit." 

Obligimi Zyrtar dhe ligjore nuk shkon "me ndjenja" por me zbatim të obligimit zyrtar në momentumin e duhur, në momentin kur të pushon mandati.

Tjetër është ajo se shkelja e ligjit dhe kushtetutës në këtë rast nuk është bërë për ti shërbyer ndonjë interesi madhor apo në respektim të ndonjë parimi apo rezistence e as ne te mire te vendit apo Shtetit, por thjeshtë për ti shërbyer obligimeve klanike dhe partiake të politikës ditore duke kryer votime të jashtëligjshme në Parlament dhe dhunuar ashtu këtë institucion "sovran". 

Remi dhe Lata në letrat e tyre u munduan të paraqiten si njerëz të përgjegjshëm, që respektojnë vendimet e institucioneve, si "burra të mëdhenjë dhe të ndritur të Shtetit"; mjerisht ata dhunuan dhe sfiduan deri në fund për tri javë rreshtë vendimet e institucioneve gjyqësore, ligjin dhe kushtetuten e Kosovës duke votuar atëher kur kishin humbur automatikisht mandatin e deputetit me datën 6 Nëntor 2015... Votat e tyre janë të pavlefshme dhe të paligjshme dhe pa to shumë votime nuk kishin mundur të realizohen... Qeveria dhe mazhoranca ka dhunuar ligjin dhe kushetuten me voten e tyre... Dhe vota e tyre ka shërbyer vetdijshem dhe kunderligjshem për këtë qëllim!

 Këto votime do mbeten si njolle ne karieren e tyre patriotike dhe institucionale mbasi i kane vene qëllimet partiake, individuale, grupore dhe klanike të një Qeverie që mbron Zajednicën, Gjykatën speciale, Demarkacionin dhe shumë pozita të paqendrueshme karshi historisë mbi interesin e sundimit te ligjit, te respektimit te rendit dhe Kushtetutes dhe mbi interesin e vendit... 

Thjesht, u korritën gjerë në fund dhe u munduan përsëri me letrën e lamtumirës ti shërbejnë të njejteve qëllime duke u paraqitur rrejshëm si "shembull" se si respektohen institucionet, ligjet dhe kushtetuta e vendit... Përsëri na dhimben, por së paku të mos shiten mësuesa...

REXHEP QOSJA SHKRUAN LETËR TË HAPUR AMBASADORËVE TË HUAJ








AMBASADORËVE TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, TË MBRETËRISË SË BASHKUAR, TË FRANCËS DHE TË ITALISË NË KOSOVË




Zotërinj të nderuar!

Në vlerësimin për protestën e tri partive opozitare – të Vetëvendosjes, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës, më 28 nëntor 2015, Ju shprehët gëzimin pse ajo protestë ishte paqësore.

Por, njëkohësisht Ju shprehët gëzimin edhe për, si thatë, përfshirjen, domethënë për sjelljen e Policisë së Kosovës ndaj asaj proteste.

Ky vlerësim i Juaji, duke përfshirë me të edhe vlerësimin për sjelljen e Policisë ndaj protestuesve, sa u solli gëzim “sundimtarëve” aq më shumë u solli dëshpërim të “sunduarve” në Kosovë.

Nuk mund ta di a e keni shikuar protestën deri në fund, kur me blic krig u pushtuan zyrat e Vetëvendosjes prej Policisë së Kosovës. Por, në qoftë se e keni shikuar protestën deri në fund, apo në qoftë se i keni parë pamjet që kanë dhënë disa televizione për epilogun e saj, atëherë nuk besoj se do të mund të shprehej gëzim për përfshirjen e Policisë së Kosovës në atë protestë.
Jo.

Policia e Kosovës nuk u soll vrazhdë, jo: Policia e Kosovës u soll armiqësisht ndaj protestuesve. Ajo përgjaku sa e sa protestues! Ajo përgjaku edhe plakun – baba të dy dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës! Ajo shtriu përtokë edhe avokatin e deridjeshëm të popullit! Ajo i ngarkoi në automjetin e saj – burg, fyeshëm, krye e trup përtokur, shumë të rinj! Ajo mori në biseda të ashtuquajtura informative, si u tha, rreth 180 protestues! Në të gjitha këto raste Policia e Kosovës u soll, pra, siç sillej policia e Millosheviqit kur futej nëpër shtëpitë e të rinjve shqiptarë të cilët gjatë protestave brohorisin parullën Kosova Republikë.

E si u soll Policia e Kosovës kur e arrestoi Albin Kurtin? U soll armiqësisht siç u soll Policia e Sllobodan Millosheviqit kur e arrestoi atë para shumë vitesh!

Ju, ndoshta, nuk e kuptuat pse Policia e Kosovës u soll aq armiqësisht ndaj protestuesve, ndaj Vetëvendosjes dhe ndaj Albin Kurtit. Dhe, nuk e kuptuat sepse mund të mos e dini jetëshkrimin politik të urdhërdhënësit të ndërhyrjes policore në protesta: të kryeministrit të Kosovës. Kryeministri i sotëm i Kosovës ishte shërbëtor politik dhe administrativ i Sllobodan Millosheviqit, pjesëmarrës në dhunën dhe në terrorin e regjimit të tij ndaj popullit shqiptar të Kosovës, në dy mandate kryetar i qeverisë së Prishtinës e, mandej, anëtar i Qeverisë që atëherë quhej Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, që në fund të vitit 1989 dhe në fillim të vitit 1990 kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë kur ishin vrarë disa dhjeta të rinj e kur ishin plagosur rëndë qindra të tjerë. Ai ishte formuar për një përdorim të tillë stalinist, të policisë ndaj protestuesve!

Për të gjitha këto arsye, gëzimi juaj, Zotërinj të nderuar, për përfshirjen e Policisë së Kosovës në atë protestë më bëri të vetëpyetem: a është e mundshme që diplomatët e popujve që i kanë sjellë aq të mira shkencore, politike, demokratike, kulturore, qytetëruese njerëzimit të gëzohen kur policia vendos “demokraci” në parlament, kur policia qëron hesape aq armiqësisht me vëllezërit, me baballarët, me atdhetarët e vet, me qytetarët e vet?

Unë, natyrisht, nuk pajtohem me përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Por, ky mospajtim nuk më bën të arsyetoj përfshirjen e tillë të Policisë së Kosovës në protestë; nuk pajtohem as me burgosjen e atyre që e përdorën gazin lotsjellës; dhe nuk pajtohem as me përjashtimin e deputetëve të opozitës nga mbledhjet e parlamentit! Jo. Unë shtroj pyetjen që Ju, si duket, nuk e keni shtruar: ku qëndron shkaku kryesor për krizën e sotme politike dhe institucionale në Kosovë? Po të shtrohet kjo pyetje do të jepet edhe përgjigjja e duhur: shkaku kryesor për këtë krizë qëndron në qeverinë e Kosovës.

Republika e Kosovës me këtë qeveri nuk është Republikë parlamentare. Jo, Republika e Kosovës me këtë qeveri është Republikë partiake. Në këtë Republikë partiake, Qeveria është organi suprem shtetëror! E shteti ku qeveria është organi suprem nuk mund të jetë shtet demokratik. Dhe, sjellja sulltanore e kësaj qeverie, shpërfillja e Kuvendit nga kjo qeveri, përdorimi privat i Policisë nga kjo qeveri, miratimi sulltanor duke përbuzur Kuvend e opinion i marrëveshjeve për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe për ricaktimin e kufijve me Malin e Zi kanë sjellë mospajtimet e pashmangshme çfarë i kemi parë, po i shohim e do t’i shohim të Opozitës dhe, të jeni të sigurt, të pjesës më të madhë të popullit shqiptar. Po, nuk vihet ashtu lehtë, ashtu krye më vete, ashtu papërgjegjshëm, pa u këshilluar as në Kuvend, as në popull, nënshkrimi për marrëveshje të tilla, që kanë të bëjnë me të sotmen e të ardhmen e Kosovës. Përvoja tragjike historike e ka bërë popullin shqiptar të jetë pamatshëm i ndjeshëm, pamatshëm i frikësuar ndaj “marrëveshjeve” të tilla. Përshtrirja e shteteve fqinje në tokat ku shqiptarët ishin popullatë e vetme a shumicë e madhe etnike dhe rrëmbimi i këtyre tokave me kufij të ricaktuar me vendimin e shteteve evropiane si Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia e jo mospuna, jo përtacia e kanë bërë popullin shqiptar të varfër, si kanë thënë dikur diplomatë e shkencëtarë tuaj, popull pa kushte natyrore për mbijetesë!

Në reagimin e gëzueshëm ndaj protestës Ju, zotërinj ambasadorë, thoni se jeni të përkushtuar: për “fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë”, se “asnjëri nuk është mbi ligjin”, se të gjithë, edhe përfaqësuesit politikë, “i nënshtrohen ligjit pa marrë parasysh cilës parti ata i takojnë”.

Për Kosovën sot dhe për Kosovën gjithmonë këto që thoni janë tepër të rëndësishme.

Do t’ju duhen shumë ditë e shumë përpjekje, që të bëhen njëmendësi këto mendime tuajat për Kosovën.

Ju e dini, besoj – e kjo u tha edhe në Raportin e Progresit të eurokomisarit për zgjerim, Johanes Hanit – se në Kosovë zotëron korrupsion pandemik. Numër i madh i pushtetarëve të lartë dhe i poltronëve të tyre politikë sot kanë pasuri të tundshme e të patundshme milionëshe. Me rroga natyrisht nuk e kanë krijuar atë pasuri. E kanë krijuar me korrupsion e me mënyra të tjera të paligjshme në procesin e privatizimeve, duke vjedhur, duke plaçkitur, duke rrëmbyer pasuritë kombëtare të Kosovës. Asnjëri prej tyre nuk është nxjerrë në gjyq. Të gjithë me “kushtetutë” e kundërshtojnë çdo ide për miratimin e ligjit mbi hulumtimin e prejardhjes së pasurisë. Pa u nacionalizuar pasuria e krijuar me korrupsion dhe në mënyra të tjera të jashtëligjshme Kosova nuk do të mund të demokratizohet e as do të mund të qetësohet. Ndihmojeni Kosovën që të shpëtojë prej këtyre të korruptuarve.

Ju e dini besoj – e kjo u tha edhe në Raportin e Progresit të zotëri Hanit, se në Kosovë zotëron krim i organizuar. Ndihmojeni Kosovën të shpëtojë prej kriminelëve që i bëjnë krimet ashtu organizueshëm.

Në Raportin e Progresit të zotëri Hanit u tha se Gjyqësori në Kosovë është i përdorur prej strukturave të larta politike. Ndihmojeni Kosovën, zotërinj ambasadorë, që Gjyqësori i Kosovës të bëhet çka është në vende vërtet demokratike: të bëhet i pavarur, institucion i së drejtës.

Ju e dini - e kjo u tha edhe në Raportin e Progresit të zotëri Hanit – se mediat në Kosovë, në mënyrë të veçantë RTK-ja, u shërbejnë pushtetarëve e jo opinionit. Ndihmoni, zotërinj ambasadorë, që mediat kosovare, në mënyrë të veçantë ato të rëndësishmet – ato elektronike, të kontrollojnë pushtetin e jo të jenë të kontrolluara prej pushtetit.

Nuk jam i sigurt se e dini së Kosova me më pak se dy milionë banorë ka sot shtatë universitete publike dhe mbi tridhjetë universitete private.Të gjitha këto universitete, përpos të tjerash, i shërbejnë edhe punësimit të njerëzve të pushtetarëve. Ndihmojeni Kosovën që numrin e universiteteve publike e private t’ia përshtasë nevojave e mundësive, nevojave e interesave të veta reale.

Ju mund të keni dëgjuar e mund të keni lexuar, zotërinj ambasadorë, se nepotizmi është kriteri kryesor për përzgjedhjen e njerëzve për punësim në të gjitha fushat e jetës shoqërore, politike, ekonomike, universitare, madje edhe diplomatike. Vëllezërit, motrat, tezet, hallat, xhaxhatë, dajat, nipat, mbesat, kushërinjtë, miqtë janë të privilegjuarit e sundimtarëve të sotëm në Kosovë.

Numri më i madh, larg më i madh, i qytetarëve të Kosovës nuk gëzojnë liri dhe, nuk gëzojnë liri, sepse nuk janë në punë, nuk kanë me çka t’i mbajnë familjet e tyre, nuk kanë siguri ekzistenciale. Nuk ka liri pa siguri. Sepse siguri nuk mund të quhen vetëm siguria në aeroportet dhe ne vendtubimet e qytetarëve. Siguri e plotë, e vërtetë, është siguria ekzistenciale, që nuk ekziston sot për shumicën e kosovarëve.

Pasojat e kësaj pasigurie të numrit më të madh të qytetarëve të Kosovës, zotërinj ambasadorë, do t’i pësojnë vendet tuaja dhe do t’i pësojnë, sepse kosovarët e pa punë, të shpërfillur, të diskriminuar do të bëjnë çmos që të gjejnë shpëtimin në vendet tuaja.

Të këqijat politike, pushtetore, partiake, në Kosovë, të prodhuara prej sundimtarëve të sotëm, janë të shumta e të ndryshme. Mënjanimi i këtyre të këqijave dhe parandalimi i prodhimit të këqijave të reja mund të arrihet.

Dy marrëveshjet e sipërpërmendura, si shkaktare të krizës së sotme politike dhe institucionale në Kosovë, janë prodhim posaçërisht shqetësues i gjithë këtyre të këqijave që me vitë rëndojnë Kosovën dhe i revoltojnë fort qytetarët.
Mënjanimi i të këqijave ekzistuese dhe parandalimi i të rejave do të fillojë atë ditë kur do të dorëhiqen pushtetarët më të komprometuar në Kosovë, e kjo domethënë kur të dorëhiqet Qeveria e Kosovës. Me dorëheqjen e Qeverisë fillon edhe zgjidhja e krizës politike dhe institucionale. Pa këtë dorëheqje, siç duken punët, kriza mund të përthellohet duke u shprehur edhe në mënyra më rënduese e më shqetësuese.

Deklarimi i Juaj, zotërinj ambasadorë, për të ndëshkuar opozitën qoftë edhe me polici në Kuvend e për të rehabilituar Qeverinë, në supet e protagonistëve të së cilës rëndojnë përgjegjësi jo vetëm për këtë krizë, e bën njëmendësinë e Kosovës tepër të ftohtë dhe të errët.

Ndihmojeni Kosovën të mos zhytet edhe pas luftës në atë të ftohtë dhe në atë terr!

I keni të gjitha mundësitë.

Me nderimet më të përkushtuara.

Akademik Rexhep Qosja

LETËR E HAPUR ZONJËS LUNACEK



E dashur Znj. Ulrike Lunaçek! 

Unë, që ju shkruaj jam nje grua Shqiptare e Kosovës, nje nënë dhe intelektuale. 

Festa më e madhe për shqiptarët pa marrë parasysh se ku jetojnë ata është festa e Flamurit Kombëtar. Dje, më 28 nëntor, shqiptarët e besimeve të ndryshme fetare dhe pikëpamjeve të ndryshme politike i janë përgjigjur thirrjes së opozitës për protesët paqësore në Prishtinë.

Rreth 35.000 qytetarë ishin mbledhur për të manifestuar paknaqësinë e tyre ndaj Asociacionit të komunave serbe dhe kundër demarkacionit me Malin e Zi. Shqiptarët në Kosovë përbëjnë 90% të popullatës, kurse minoriteti serb me afro 6% ka të drejtat më të mëdha minoritare në Europë. Me Asociacionin e komunave serbe ata do te kontrollojne 30% te territorit të Kosovës, do të marrin taksat nga pikat doganore, do të marrin grantin nga qeveria, do të kenë lidhje direkte me Beogradin...etj. 

Zonja Lunacek, nuk e di a jeni në dijeni se nuk ka serb në Kosovë që paguan faturat e rrymës, nuk ka serb që paguan furnizimin me ujë, tatimin në pronë në shtetin e Kosovës, por popullata shqiptare ka respektuar këndvështrimin e institucionëve lidhur me këto çështje. Shqiptarët që kanë jetuar para luftës në pjesën veriore të Kosovës, edhe 16 vjet pas luftës akoma nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre. 

Zonja Lunaçek, ne qytetarët shqiptar nuk mund të tolerojmë Asociacionin e komunave serbe që tejkalon pakon e Ahtisarit. Më pak se 6% serb të administrojnë 30% të territorit të Kosovës, plus të marrin para nga granti i shtetit që mblidhet nga taksat, tatimet dhe pagesat doganore të shqiptarëve, që tejakalon të drejtat normale dhe duke pasur aq shumë kompetenca brënda shtetit tonë, kjo paraqet ofendim për popullatën shqiptare në Kosovës. Qeveria nuk mund të japë tokë dhe të aprovojë krahinë serbe brënda Kosovës. Ne e mbështesim opozitën në këtë qështje. Ne nuk kemi votuar që ta shesin vendin tonë. Më shumë se 202.000 qytetarë të Kosovës kanë nënshkruar peticionin kundër këtyre dy marrëveshjeve dhe ky zë DUHET GJITHSESI të respektohet. 

Pas protestës së madhe të djeshme, njerëzit u kthyen në shtëpitë e tyre, mirëpo forcat special të policisë e rrethuan selinë e ‘Vetevendosje” (partia opozitare) për të arrestuar liderin e tyre Albin Kurti. Pamjet i ngjanin regjimit serb, me pushë automatike e maska, duke hyrë në mënyrë të dhunshme në hapësira, duke thyer e duke i tërhequr zvarrë disa activistë. Në të vërtetë ata kanë rrahur disa që kanë gjetur brënda objektit. Ata kanë arrestuar Gani Krasniqin, një shqiptar me popullaritetin më të madh për sinqeritet dhe patriotizëm; Sami Kurteshin – avokatin e popullit (të fundit) dhe shumë të tjerë. Popullata është tmerruar!!!

Opozita jonë nuk është kriminele! Disa parlamentarë mund të mos kenë përdorur mënyrat më të mira brënda parlamentit, mirëpo dëmi që shkaktohet nga ‘Zajednica’ dhe nga vija e demarkacionit është me miliona herë më e dëmshme për ne. 

Ne, qytetarët jemi të pafuqishëm. Ne kemi vuajtur shumë dhe prapë ballafaqohemi me armë dhe dikat. Në emër të nënave, vajzave, bijave dhe humanitetit, ju shkruaj këtë letër për të kërkuar nga ju të bëni diçka përbrënda mekanizmave të Bashkimit European për të ndërmarrë hapa që do të parandalojnë dhunën dhe të drejtat njerëzore. 

Edhe ne shqiptarët jemi njerëz, për atë Zot, dhe ne meritojmë të jetojmë lirshëm, të kemi trajtim mjekësor, të kemi mundësi të lira në punësim, në arsim dhe të zhvillojmë shtetin tonë duke pasur për bazë njerëzit e arsimuar dhe të aftë dhe, jo, nuk duam të bëjme hapa prapa. Ne nuk mund të durojmë t’ja falim tokën tonë askujt, as nuk mund të tolerojmë që 30% të territorit të manaxhohet nga 6% e serbëve. A keni ju rast të ngjashëm në shtetin tuaj apo në ndonjë shtet tjetër Europjan?!

Ju lutem, nëse keni Zot, bëni diçka sepse popullit i ka ardhur në majë të hundës kjo dhe gjendja është shumë e rrezikshme, kurse ne akoma i kemi të freskëta plagët nga lufta, 20.000 gra të dhunuara gjatë luftës janë pa kurfar përkujdesje, dhe në vend se të mundohemi për të bërë njëfarë jetese me pagat e ulëta e çmimet e larta, ne prapë ballafaqohemi me problemet e shtetit. Thirrni ndërgjegjes suaj dhe ndërmerrni hapat e duhur në mënyrë që të parandalohet dhuna e mëtejme në Kosovë. 

Sinqerisht


Aferdita Dervishi 
Profesoreshë unversiteti
REPUBLIKA EKOSOVËS



29/11/2015

Rexhep Qosja : Albini e dërguan në burgun e sigurisë së lartë ashtu siç i dërgonte Millosheviçi atdhetarët në Centralni Zatvor

Akademik Rexhep Qosja ka reaguar pas dërgimit të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti në Burgun e Sigurisë së Lartë, në Dyz, të cilit Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën me paraburgim prej 30 ditësh.

Qosja ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” se, të rinjtë shqiptarë të konsideruar armiq të pushtimit serb, regjimi i Millosheviqit i çonte në burgun e sigurisë së lartë në Beograd, në Centralni Zatvor, dhe në burgjet e sigurisë së lartë në Sremska Mitrovicë e në Nish. Kurse, sipas tij, regjimi i ish shërbëtorit të Millosheviqit, Isa Mustafës, dhe bashkëpunëtorit të tij të sotëm, Hashim Thaçit, kundërshtarët e vet politikë, të trajtuar armiq, s’mund t’i çojë aq larg, por po i çon afër, në Burgun e Sigurisë së Lartë te Podujeva.
Postimi i plotë i akademik Rexhep Qosjes:
Ish-kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u dërgua në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz afër Podujevës dhe u dërgua aty si të ishte kriminel me rrezikshmëri të lartë e jo deputet i Republikës së Kosovës! Në burgun e sigurisë së lartë janë vënë edhe zyrat e Vetëvendosjes: rreth tyre edhe në mëngjesin e sotëm janë forcat policore!

Të rinjtë shqiptarë të konsideruar armiq të pushtimit serb, regjimi i Millosheviqit i çonte në burgun e sigurisë së lartë në Beograd, në Centralni Zatvor, dhe në burgjet e sigurisë së lartë në Sremska Mitrovicë e në Nish. Regjimi i ish shërbëtorit të Millosheviqit, Isa Mustafës, dhe bashkëpunëtorit të tij të sotëm, Hashim Thaçit, kundërshtarët e vet politikë, të trajtuar armiq, s’mund t’i çojë aq larg, por po i çon afër, në Burgun e Sigurisë së Lartë te Podujeva. Mund të ndodhë që, në qoftë se këta dy dhunëtarë pushtetorë do të mbahen edhe ndonjë muaj në pushtet, Albin Kurtat e ardhshëm t’i çojnë në burgun e sigurisë së lartë në Bashkësinë e Komunave Serbe, në shtetin serb në Kosovë!

Ata që e urdhëruan dërgimin e Albin Kurtit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz - në Bastijën e Kosovës: Isa Mustafa e Hashim Thaçi, nuk e kanë mësuar historinë: ata s’dinë se Bastija e Francës është rrënuar prej atyre që rrëzuan tiraninë mbretërore dhe krijuan Republikën e Francës.

Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz - Bastija e Kosovës është krijuar për më të rrezikshmit e sotëm të Kosovës: për të korruptuarit pushtetlartë, për pronarët e rançeve e pasurive të tjera të ndryshme të krijuara duke zhvatur Kosovën!

Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz - Bastija e Kosovës është krijuar edhe për kriminelët e krimit të organizuar e jo për mbrojtësit e Republikës, jo për mbrojtësit e tërësisë politike, kombëtare e territoriale të Kosovës.
Ata që e urdhëruan dërgimin e Albin Kurtit në Burgun e Sigurisë së Lartë - në Bastijën e Kosovës, harruan se para rrënimit të Bastijës pashmangshmërisht, me logjikë historike, rrënohet regjimi që në Bastijë i çon atdhetarët e Kosovës.

Ashtu u bëftë!
Ashtu e do e mira e Kosovës!
Ashtu e do e ardhmja demokratike e Kosovës!
Rexhep QOSJA, 29 nëntor 2015

07/11/2015

TË (KEQ)KUPTUARIT E UNESCO-SË





Xhevat Bislimi


UNESCO, siç dihet nga të gjithë dhe këtu nis keqkuptimi, është agjenci e specializuar e sistemit të OKB-së për edukim, shkencë dhe kulturë. Ajo (UNESCO) është krijuar para me shumë se gjysmë shekulli. Misioni parësor (themelor) i UNESCO-së është ndihmesa për ruajtjen e paqesë dhe të sigurisë në botë duke nxitur përmes edukimit, shkencës, kulturës e komunikimit bashkëpunimin midis kombëve. UNESCO angazhohet që të garantohet respektimi i të drejtë...s, i ligjit, i lirive dhe të drejtave themelore që u njihen të gjithë popujve pa dallim race, gjinie, gjuhe dhe besimi (religjioni). Pra, UNESCO nuk është organizatë-agjenci e specializuar vetem për mbrojtjën e trashëgimisë kulturore e historike, siç shpjegohet nga politikanët tanë dhe siç "promovohet" nga mediet në Prishtinë. Qellim themelor i UNESCO-së është promovimi i kulturës paqësore dhe demokratike (jo të dhunëshme) edhe përmes rrjetit të shkollave që ka ngritur kjo organizatë anembanë botës (mbi 6 000 shkolla, në mbi 165 vende të botës). 


Fushata neofashiste e Beogradit zyrtar dhe e nikoliçve të Serbisë është në kundërshtim të plotë me parimet dhe qëllimet fundamentale të UNESCO-se dhe angazhimëve të saj. Trashëgimia kulturore, kultura pergjithësisht, shkenca, arsimi-edukimi, sipas UNESCO-së duhet të vihen në shërbim të paqësë, respektit, barazisë, mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe pajtimit midis kombëve, racave, popujve, religjionëve e gjuhëve të ndryshme të kësaj bote-shoqërie njerëzore... Beogradi zyrtar, Qeveria e Serbisë dhe institucionet e saj shtetërore po propagandojnë, po përhapin dhe po nxisin hapur dhe anekënd botës urrejtje, dhunë dhe konflikt ndaj kulturës, gjuhës, popullit dhe historisë më të vjetër në Evropë, ndaj shqiptarëve. A thua bota do ta miratojë këtë propagandë neofashiste të Sërbisë duke mos e pranuar republikën e Kosovës në UNESCO?! Nuk ma ha mendja që bota do t'i shkele parimet dhe vlerat mbi të cilat është themeluar UNESCO për hatrin e ideve dhe politikave neofashiste të Serbisë...

 Trashëgimia kulturore dhe historike në tokat shqiptare-në Shqipëri, edhe kjo në Kosovë, nuk është as serbe dhe as turke, por është shqiptare dhe i takon shqiptarëve e pastaj mbarë njerëzimit... Kjo është e vërteta dhe argumenti që duhet ta përdorin fort zyrtarët tanë sharlatanë në "tavolinat" e botës, por edhe në "tavolinat" e Serbisë e të Turqisë, të cilatë janë përgjegjëse për rrënimin, cungimin, uzurpimin dhe përvetësimin e trashëgimisë kulturore-historike dhe të pjesës më të madhe të tokës sonë...