28/10/2014

SHQIPTARËT ORTODOKS NË REP. E MAQEDONISË NUK DUAN ZHURMË, POR DASHURI, RESPEKT E PËRKRAHJE


28 Tetor 2014

Gazetaria dhe shoqatat po mbijnë si këpurdhat mbas shiut, mu ashtu edhe intervistat, dokumentarët bashk me OJQ-të e ndryshme. 

Këtyre ditëve u vërshuam me dokumentarë dhe intervista për Rekën e Epërme. Tematika e shqipëtarëve ortodoks të Rekës Epërme gjatë 4-5 viteve të shkuara arriti një kulminacion, por po rrezikohet të dëgjeneron në përflakje nacionaliste, duke u rrezikuar të eskalojë në tematikë të gazetarisë rozë. Jo jo kjo çështje është proces i dhimshëm, do njerëzillëk, përkushtim, sakrificë afatgjate, sepse procesi i asimilimit është mbi 100-vjeçar dhe të asimiluarit mund të keqkuptojnë, sikur kemi interes nacionalist që ata t’i rikthehen identitet të tyre të ndrydhur kombëtar!

Branko Manojllovski duke u nisur nga burimi i Vardarit
Në disa intervista as emrat e mbiemrat e të intervistuarëve nuk ishin të saktë, bile dhe disa tematika konfuze që vijnë nga neglizhenca e gazetarëve të pa përgatitur, por që i ka kapluar emocioni se po merren me një çështje që është në modë sot. 

Kjo punë është nisur nga vet shqiptarët e besimit ortodoks, ata vet e kanë ruajtur kujtimin për Aleksandrin e Madh, për Josif Bagerin, ata vetë e problematizuan asmilimin e tyre në kohën kur zuri të praktikohej demokracia.

Branko (Tanashi)Manojllovski, për ta ndërgjegjësuar shoqërinë, në moshën 70-vjeçare eci në këmbë, buzë vardari, nga burimi në Vrutok të Gostivarit, deri në Derdhje në Detin Egje. Mediat atëherë nuk e vlerësonin atë sakrificë sublime dhe atë shqetësim njerëzor. Shoqata Josif Bageri është e kujdesshme që të mos provokoj aske në këtë angazhim, para se gjithash, njerëzor e qytetar, të cilit vetëm zhurmë e tifozëri pompoze nuk i duhet. Ata që duan të kontribuojnë, le të urdhërojnë të ndihmojnë që të rindertohet shtëpia e Josif Bagerit në Muze (meqë ishte edhe shkolla e parë shqipe në Maqedoni), le të ndihmojnë Shoqatën për të organizuar kurse të gjuhës shqipe për të interesuar...

Angazhim dhe punë ka për të gjithë, e jo të bëjmë urraaa për 48 orë me reportazhe e intervista aspak profesionale.

Ju falënderojmë për mirëkuptim.

ATDHEDASHURIA (PATRIOTIZMI) DHE PRIMITIVIZMI NUK SHKOJNË BASHKË

(PRIMITIVIZMI ESHTE BASHKEUDHETAR I KOLABORACIONIZMIT DHE KOLABORACIONISTEVE)





Xhevat Bislimi
28 Tetor 2014

"Shqiptarët nuk kanë një gjuhë, nuk kanë librat e vet, nuk kanë historinë e vet, kështu që nuk kanë të drejtë të jetojnë, nuk kanë të drejtë të ekzistojnë dhe nuk kanë të drejtë të formojnë kurrëfarë shteti". (Projekti i Vlladan Gjorgjevicit, i vitit 1908 per zhdukjen totale te shqiptareve, cit. sipa librit te Elena Kocaqit "Planet per zhdukjen e shqiptareve"...)

Këto ditë e këto vite na ka rënë të dëgjojmë dhe të lexojmë shumë për patriotizmin (atdhedashurinë), për patriotët (atdhetarët, atdhedashësit), për kolaboracionistët (bashkëpunëtorët), për kolaboracionizmin (bashkëpunimin me pushtuesin), për nacionalizmin (në kontekst pozitiv dhe negativ...), për kombin (shqiptar dhe atë "kosovar"), për "kosovarët" (kombmohonjësit) dhe "kosovarizmin" (shkombëtarizimin e shqiptarëve në Kosovë), për...

Vend të veçantë këto ditë ka zënë debati ndërshqiptarë edhe për Shqipërinë e Bashkuar ("Shqipërinë e Madhe")! Të gjithë, ama bash të gjithë, e dinë se "Shqipëria e Madhe" është shpikje e atyre që kanë pushtuar dhe po i mbajnë të pushtuara tri të katërtatë e Shqipërisë. Megjithatë, "Shqipëria e Madhe" u bë GOGOL jo vetem për ata që kanë pushtuar tokatë e Shqipërisë (fqinjët tanë...), por edhe nga disa ultraliberale dhe ultrakozmopolite shqipfolës e sllavishtmendonjës! Në vend se politika shqiptare (pa dallim krahine a shteti...), mediet dhe inteligjencia shqiptare të shkruanin dhe të flisnin për Serbinë e Madhe, për Greqinë e Madhe, për Malin e Zi të madh, për Maqedoninë e Madhe (sllave) po llomotisin për "Shqipërinë e Madhe"!! Madje, disa ultrakosovarë po shkruajnë e po flasin me panik për kërcënimet dhe rreziqet e këtij projekti ("Shqipërisë së Madhe")! 

E vërteta historike dhe e vërteta aktuale është se kombi shqiptar në Iliri-Ballkan dhe Shqipëria është i vetmi komb dhe i vetmi vend i copëtuar në gjashtë shtete të kësaj siujdhese! Ndërsa kombet dhe vendet tjera janë krijuar dhe zgjeruar (madhuar...) në kurriz të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë... Prandaj, duhet të jesh nga soji i H. Matoshit, B. Haxhiut dhe sojit të tyre që të shkruash dhe të propagandosh në një vijë me propagandën serbomadhe-fashiste për rreziqet, kërcënimet dhe pasojat që paska për paqen, stabilitetin... në Iliri projekti i "Shqipërisë së Madhe"! Shqiptarët dhe Shqipëria e tyre gjatë gjithë historisë (qysh se është krijuar bota-shoqëria njerëzore...) ishin në tokën e tyre! Ishin të tjerët që erdhen dhe pushtuan e përvetësuan tokatë pellazge-ilire-arbërore-shqiptare. Janë të tjerët që edhe sot po mbajnë të pushtuara tokatë e Shqipërisë dhe shqiptarët e saj! Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë pushtuar asnjë milimetër tokë të huaj... 

Këta sahanlëpirës shqipfolës do të kishin të drejtë të bashkoheshin me propagandën serbe, greke..., sikur shqiptarët të kërkonin dëbimin e popujve ardhacak në Iliri dhe krijimin e një Shqipërie në gjithë hapësirën e Ilirisë-Ballkanit! Pajtohem që kjo do të quhej "Shqipëri e Madhe". Por, ta quash "Shqipëri të Madhe" idenë, projektin, përpjekjën për (ri)bashkimin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në një shtet të vetem është një kualifikim dhe propagande e karakterit fashist. Zgjidhja e çështjës shqiptare në Iliri-Ballkan duke u ribashkuar shqiptarët dhe Shqipëria në një shtet të vetem në kufijtë e saj natyral-kombëtar aktual përbën fundamentin e paqesë, stabilitetit, prosperitetit dhe bashkëjetesës në Iliri. Me këtë zgjidhje krahas shqiptarëve do të çliroheshin edhe popujt tanë fqinj. Pa lirinë e kombit shqiptar nuk mund të jenë të lirë (siç nuk janë...) as popujt tanë fqinj që po mbajnë të pushtuara krahinatë e Shqipërisë dhe pjesë të kombit shqiptar...

Fushata e ca matrapazëve-hajvanëve të paguar për "kosovarizimin" e shqiptarëve dhe të Republikës së Kosovës shpie ujë në mullirin e Serbisë dhe të vendëve tjera fqinje që nuk po kanë akoma fuqi të çlirohen nga shqiptarët dhe tokat e tyre që po i mbajnë të pushtuara... 

Këta ultraliberalë të llojit të Matoshit e Haxhiut po ankohen se po u bëjnë presion e po i shantazhojnë "patriotët", duke u thirrur në të drejtën e mendimit dhe të fjalës së lirë!! Me lirinë dhe të drejtën ata kuptojnë edhe angazhimin e tyre për deshqiptarizimin ("kosovarizimin") e Kosovës...!! Asgjë më shumë nuk kërkonte Serbia! Gjatë gjithë historisë Serbia u angazhua dhe në masë të madhe ia doli për deshqiptarizimin dhe sllavizimin e tokave të Shqipërisë. Kush mund të thotë se ky nuk është projekt i Garashaninit, Gjorgjeviçit, Cubriloviçit, Tito-Rankoviçit, Milosheviçit, Nikoliç-Daçiçit? Këtë projekt po propagandojnë dhe për të po angazhohen edhe matoshët e kodoshët e paguar mirë, bashkë me një pjesë të klasës politike, të kalemxhinjve dhe inteligjëncies në Prishtinë, Tiranë e Shkup! Unë, dhe besoj çdo shqiptar, do t'i kuptonte dhe do t'i njihte si pjesë të lirive dhe të drejtave të tyre lirinë dhe të drejtën për të hequr dorë nga kombi i tyre, nga gjuha, kultura, tradita, feja... e tyre, por në asnjë mënyrë nuk do t'ua njeh, qoftë edhe një shqiptar i vetem, të drejtën për t'u angazhuar për deshqiptarizimin e Kosovës, duke imponuar një "komb" të ri "kosovar"! Le që kjo nuk mund të bëhet sa të ketë kombe mbi dhe!

Lexova edhe reagimin e Baton Haxhiut ndaj Sokol Ballës, i cili e kishte quajtur publikisht spiun-bashkëpunëtor të Sërbisë. Nuk ke bërë mirë, i shkruante B. Haxhiu S. Ballës në reagimin e tij, kur më ke quajtur spiun, sepse për këtë mund të më vras ndonjë patriot primitiv! Kjo edhe ishte arsyeja pse e bëra këtë shkrim. Baton Haxhiu dhe secili "opinionist", kalemxhi, "kosovar", liberal, kozmopolit, hajvan shqipfolës duhet ta mësoj, nëse nuk e ka ditur, se patriotizmi dhe primitivizmi nuk shkojnë bashkë... Atdhedashuria dhe atdhetari paraqesin shkallën më të lartë të emancipimit, kulturës, njerëzisë, dashurisë, qytetarisë dhe mirësisë në shoqërinë njerëzore. Primitivizmi është veçori thelbësore e kolaboracionistëve-bashkëpunëtorëve të pushtuesit dhe të armikut! 

Prandaj, Baton Haxhiu dhe soji i tyre kurrë mos të kenë frikë nga "patriotët primitivë", sepse të tillë nuk ka... Ndërsa vendi yne, Shqipëria dhe kombi ynë ka vuajtur shumë dhe po vuanë nga kolabaracionistë primitivë, që janë gjithmonë në shërbim të projektëve antishqiptare, në shërbim të dobësimit dhe zhbërjës së qënies shqiptare...!! Kolaboracionistët janë primitivë edhe për arsye se nuk po e kuptojnë se koha e projektëve serbo-greke për deshqiptarizimin e krahinave shqiptare ka perenduar... Clirimi i Kosovës është fakti më domethënës... Edhe përpjekjet e dëshpëruara për ta përdorur "Shqipërinë e Madhe" si gogol kundër ribashkimit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë në një shtet të vetem janë edhe një provë tjetër që vërteton tezen tonë se koha e deshqiptarizimit ka perënduar... 


Para shqiptarëve dhe, sidomos, para dy shtetëve të Shqipërisë (R. së Shqipërisë dhe R. së Kosovës...) dalin detyra dhe përgjegjësi të veçanta për organizimin, drejtimin dhe administrimin e kombit dhe të çështjes shqiptare deri në zgjidhjen përfundimtare... E një rëndësie të veçantë në këtë kohë është shkëputja e plotë e Kosovës nga Serbia dhe ndikimi i saj i mëtejshëm, dhe, krahas kësaj, përkrahja dhe mbrojtja e popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës (Preshevë, Medvegjë, Bujanoc)...

26/10/2014

UEFA, SI NJË INSTITUCION ANTI-SHKENCOR

Ylli Përmeti 
26 Tetor 2014

Barinjtë, zakonisht, qentë e stanit që kafshojnë të panjohurit, i lidhin, dhe për më tepër, për miqtë, i urtësojnë. Këtë e bëjnë për mos të kafshuar miqtë dhe shkaktuar ndonjë dhimbje dhe, për të nderuar veten. Në ndeshjen Serbi-Shqipëri, administratorja e saj e dinte mjaft mirë që sportdashësit dhe tifozët serbë do të “kafshonin” nëse provokoheshin. Kjo është arsyeja se përse ajo ndaloi sportdashësit dhe tifozët shqiptarë në stadium. Por, ajo, ndryshe nga bariu, nuk i “lidhi” tifozët e saj: përkundrazi, i bashkoi në kor, me maska, hunj, flamuj, dhe zjarrndezëse. Rezultati ishte ai që pamë: një makth futbollistik. Për më tepër, ne u përballëm me një racizëm të organizuar.

Vendimi i UEFA-s, rrjedhimisht, për ndeshjen në fjalë, në favor të Serbisë, nuk arrin as urtësinë e bariut, e jo më, të një administrate mbishtetërore. Ai nuk është, sigurisht, pasojë e ndonjë “inskenimi” apo “lobingu” Serb: sepse vendimi ka një argument, që është, se përfaqësuesja jonë ‘nuk pranoi të kthehesh në fushë’. Me këtë, UEFA, i vë vulën, njëherësh, vetes dhe drejtësisë: sepse loja me të vërtetë mund të luhet në kushte ekstremisht të pabarabartë, siç u luajt ndeshja në fjalë, por jo në kushte kur fotbollistët ishin të ekspozuar në racizëm të organizuar ndërkohë që u goditën. Kjo do të ishte, njëlloj sikur stanari, miqtë, mos t’i priste me qenë të lidhur dhe krah hapur, por, përkundrazi: me qenë që i ndërsente edhe më shumë drejt miqve, me qëllim që t’i shqyente.

Për këtë arsye, UEFA, me vendimin e saj tregoi se urtësia e saj juridike nuk është as në nivelin e drejtësisë familjare. Sigurisht, kjo s’do të thotë se një vendim më i drejtë nuk mund të merret nga gjykatat e tjera lidhur me ndeshjen në fjalë. Beteja sportive dhe juridike është përpara dhe në duhet të jemi gati për çdo të papritur. Sepse në drejtësinë e kombeve, dhe veçanërisht me popullin shqiptar, organet ndërkombëtare, gjithnjë kanë qenë të padrejtë. Dhe Serbia, pikërisht sepse luan diplomatikisht me integrimin në BE dhe globalizmit neoliberal dhe modelin politiko-ekonomik të Rusisë, nuk ka nevojë të ngrejë lobingje dhe intriga prapa skenave: asaj i mjafton kjo “lojë”, dhe Europa do të jetë gjithnjë në gjunjë përpara saj. Sepse ‘mendja’ e një populli tjetër kërkon një farë sakrifice…

Por, le t’i kthehemi vendimit në fjalë: protagonist në të, është Platini. Ai, katapultoi nga një futbollist në administrator të institucioneve ndërkombëtare, respektivisht, nga FIFA te UEFA. Aktualisht ai mban rolin e presidentit të UEFA-s. Por, nga sa njohim, nga natyra njerëzore dhe shkencat, një futbollist zhvillon kryesisht aftësitë e tij fizike dhe arsyetimin instinktiv. Pikërisht, sepse, ai i përsërit këto veprime. Përsëritja në vetvete zhvillon aftësinë tonë në çdo objektiv. Dhe, nëse një futbollist nuk edukohet paralelisht në aspekte të tjerë shkencorë dhe etikë, ai s’ka kurrsesi mundësi të zhvillojë arsyetim silogjistik dhe etikë. Ky i fundit kërkohet për çdo njeri e jo vetëm për administratorët. Nëse gjykojmë nga Platini, ai ka zhvilluar vetëm njërën anë: anën fizike dhe instinktive. Por këtë anë zakonisht e zhvillojnë të gjitha kafshët që jetojnë në xhungël e jo më njeriu.

Kështu, Platinisë i mungon zhvillimi shkencor dhe etik. Për të njëjtën arsye UEFA është një institucion anti-shkencor. Problemi, sidoqoftë, nuk kufizohet vetëm tek UEFA: thuajse të gjithë institucionet sociale sot, administrohen nga njerëz që zhvillojnë njërën anë ose të dyja por jo plotësisht. Kjo është arsyeja (ose shkaku) se përse Platini vendosi aq foshnjërisht në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Nëse kthehemi, tani, tek aftësia e Armand Dukës, presidentit të FSHF-së, dhe gjykojmë nga jeta dhe studimet e tij, mund të konkludojmë njëlloj: sepse ai, me të vërtetë ka studiuar ekonomi socialiste, por profesionin e tij e ka ushtruar në parqet e mallrave, në të cilët mund të përmirësohet mirëmbajtja dhe shpërndarja e tyre, por jo si administrator specifik i të drejtës publike. Kjo është arsyeja që ai, njëlloj si Platini, katapultoi në tregun e marketingut dhe u bë, shumë shpejt një tregtar i suksesshëm. Dhe siç dihet, nga pasuria, zakonisht burojnë edhe ofiqet në administratën publike. Rrjedhimisht, zhvillimi i tij në drejtësi është tejet i pjesshëm.

Por, në rezultatin e ndeshjes në fjalë, Duka s’ka dhe shumë përgjegjësi. Përgjegjësia bie mbi Platininë dhe anëtarët e tjerë të UEFA-s dhe procesi se si zgjidhen administratorët e institucioneve në fjalë. Në të parin, sepse ishte futbollist i mirë, në të dytin sepse ishte tregtar i mirë. Të dy rastet nuk lidhen aspak me drejtësinë. Kësisoj, këto institucione duhet të vendosin kritere specifike për pretenduesit e roleve përkatës. Ndryshe padrejtësia do të jetë gjithnjë në zemër të institucioneve në fjalë. Pasi të vendosen kriteret, d.m.th. një individ që zhvillon njëherësh aftësinë e tij intelektuale silogjisitike (shkencore) dhe etike dhe aftësinë e tij fizike, mund të pretendohet një post publik. Nëse këto dy kritere nuk përputhen tek një pretendues atëherë institucioni do të çalojë gjithnjë. Nuk mjafton, rrjedhimisht, dorëheqja e Dukës, siç këlthasin shumë në massmedia (Ngjela etj.) për të përmbysur rezultatin në fjalë. Sepse edhe nëse dorëhiqet Duka vendimi në fjalë varet nga Platini e të tjerë si ai. As edhe dëftimi i korrupsionit në radhët e UEFA-s (Dita, 25 Tetor 2014). Sepse korrupsioni është pasojë, jo shkak. Por duhet të vendosen kritere shkencorë qoftë për UEFA-n, FIFA-n, FSHF-në e institucione të tjerë me qëllim që drejtësia të luajë rolin e vet.

PËRTEJ NGREFJES DHE DELIRIT PROVINCIAL

Artur Zheji
23 Tetor 2014

Dikur, një tufë kureshtarësh, me siguri nga Shqipëria, e kishin pyetur filozofin persian, Nastradin efendiun, me afsh të madh për dituri, se ku është qendra e botës?

Qendra e Botës?! – ishte përgjigjur mendueshëm dijetari, duke kruajtur të pasmet.

Shumë e thjeshtë! Ja këtu, këtu, në këtë hurin, ku e lidh gomarin unë! – kish dhënë karar Nastradin Efendija. Dhe kështu nxënësit e tij të asaj kohe, të ngjashëm shumë me shqiptarët e sotshëm, ishin larguar me kokën plot nga dijet e marra.

Kjo rrëfenjë e gjyshes m’u kujtua kur dëgjova vendimin e UEFA-s, në lidhje me interpretimin që iu bë, “ndeshjes përleshje” që u zhvillua në stadiumin serb të Beogradit ca ditë më parë. Pasi na rrahën paq dhe na poshtëruan sa mundën, tanimë serbët, morën, në sajë të lobimeve të tyre virtuoze ndërkombëtare, barazimin moral. Duke na dhënë kështu njëherazi, një mësim të mirë dhe që do të mbahet mend gjatë!

Mësimi, nëse duam të kapërcejmë nivelin filozofik të Nastradinit, thotë pak a shumë, se Qendra e Botës nuk është as në Tiranë dhe as në Prishtinë, e pra, nuk është aty ku e lidhim gomarin ne! Qendra reale e botës pra, është aty ku e lidhin “gomarin” të fortët dhe të mëdhenjtë realë të kësaj bote që njohim dhe nuk njohim. Dhe përpara kësaj bote dhe kësaj Super Elite, ne jemi realisht shumë të vegjël dhe shumë pa peshë.

Sepse mbi të gjitha jemi një popull i gjorë, që kemi prodhuar përgjithësisht një klasë politike, përgjithësisht delirante dhe provinciale. Një klasë politike, grindavece, egoiste dhe tahmaqare, për para, pushtet dhe ngrefje publike prej beu.

Një klasë politike, e cila, edhe në këtë incident ndërkombëtar qëndron në barrikadat e veta meskine të luftës politike, herë bojkotuese dhe herë kryeneçe. Një klasë politike që nuk e gjen dot mënyrën, edhe në këtë përballje ndërkombëtare, të bashkojë forcat, influencat, lobimet dhe energjitë për të mbrojtur ngjyrat kombëtare në një arenë ndërkombëtare, që rrëfehet ndoshta me të drejtë, cinike me ne.

Sepse, këta ndërkombëtarët kanë një kujtesë të mirë. Ata mbajnë shënim me përpikmëri për lumin e sharjeve, fyerjeve, akuzave të ndërsjella dhe të paprovuara, që klasa jonë politike dhe zagarët që e përcjellin lëshojnë lartë e poshtë kundër njëri-tjetrit. Duke zhvleftësuar vetveten dhe të gjithë ne sëbashku, në sytë e të gjithëve. Duke ndërtuar me çdo mjet imazhin e një populli konfliktual, sherrxhi dhe primitiv, si pjesa më e madhe e klasës politike që ka pjellë, e që ka mbushur me të vjella e vrere stomaqesh të prishura, korridoret dhe zyrat e Brukselit, në këto 20 e ca vite.

Kjo përsa i përket mëkateve tona të majme. Të cilat e kanë bërë më të lehtë, shumë më të lehtë vendimin e UEFA-s ndaj nesh, duke na konsideruar teorikisht fajtorë, pavarësisht se në këtë rast nuk ishim aspak.

I kam ndjekur me simpati reagimet “popullore” ndaj të huajve. Shumë mirë! Por gishti duhet drejtuar fillimisht nga vetja. Nga aftësia jonë për të krijuar një peshë të vërtetë influencash dhe lobimesh. Nga aftësia jonë kombëtare për të krijuar jo ngrefje, por prestigj kombëtar. Duke filluar së pari nga fshirja e pështymave fyese për njëri-tjetrin, e pra duke filluar nga respekti për veten, që të fitojmë me durim edhe respektin e ardhshëm të të tjerëve.

Padyshim, ky vendim qesharak i UEFA-s është një tallje për të gjithë. Një dëshmi se sa pak vlejmë në arenën ndërkombëtare, se sa shumë vlera i kemi ngrënë vetes përmes luftës së brendshme politike, ku shahesh me farë e fis deri në tre breza.

Por edhe një kujtesë: “Qendra e Botës nuk është aty ku e lidhim gomarin ne!”

Sepse këtë tha edhe UEFA, “Qendra e Botës është aty, ku e lidh gomarin unë!”

23/10/2014

STRATEGËT E BEOGRADIT DHE SNOBËT E PRISHTINËS E TIRANËS



Blerim Latifi

22 Tetor 2014



Politika udhëhiqet nga interesat e të sotmes dhe ato të së ardhmes. Interes i të sotmes është fuqizimi ekonomik dhe demokratik i Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që nesër të realizojmë qëllimin e hyrjes në civilizimin perëndimor. Një gjë është e sigurt: ksenocentrizmi, vetëpërbuzja nuk e shkurton rrugën drejt këtij qëllimi. As snobizmi, sepse në Europë nuk do të pranojnë kopje të këqija të europianëve, por shqiptarë të europianizuar përnjëmend

Në Beograd u dha alarmi: Shqipëria e Madhe po vjen. Në Prishtinë dhe Tiranë gazetarë e publicistë që kanë pasion kritikën e nacionalizmit iu bashkuan alarmit. Alarmi në Beograd ka qëllime krejtësisht të qarta: të krijohet perceptimi mbi kërcenimin shqiptar për rajonin dhe Europën dhe më pas, sipas mundësive, ky perceptim të eksportohet në botën perëndimore, atje ku shqiptarët kanë mbështetjen vitale për vendet e tyre.

Në këtë mënyrë Beogradi përpiqet të mbajë në këmbë mitin e vet për serbët si kombi më i rëndësishëm në rajon.

Ky mit u krijua fillimisht në Luftën e Parë Botërore kur Serbia qëlloi të jetë në mesin e fitimtarëve të kësaj lufte dhe pastaj për herë të dytë u rikrijua në Luftën e Dytë Botërore, ku përsëri Jugosllavia e Titos u gjend në anën e fitimtarëve të rinj të kësaj lufte dhe më pas prishja guximtare e Titos me Stalinin i dha përfundimisht Beogradit kurorën e lavdisë në vendet perëndimore.

Ky mit mori fund në pranverën e vitit 1999, kur pikërisht këto vende ndërmorën bombardimin e Beogradit për t’i shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga terrori i tij. Dhe trauma e sotme e Beogradit është trauma e fëmijës së përkëdhelur që papritur merr një shuplakë të madhe nga përkëdhelësit e tij: humbja e Kosovës në vitin 1999 dhe pavarësia e saj në vitin 2008.

Dy shtete shqiptare në Ballkan nuk përputhen dot me mitin për kombin serb si kombi më i rëndësishëm në regjion dhe derisa serbët nuk e kalojnë traumën dhe nuk heqin dorë nga ky mit ata do të vazhdojnë të shfryjnë mllef kundër shqiptarëve si në stadiumin e Partizanit në Beograd, të humbin kohë, energji e financa për të bindur botën se dy shtetet shqiptare janë faza e parë drejt Shqipërisë së Madhe dhe si shtete ku radikalizmi islamik ka një strehë të sigurt për ëndrrën e tij neo-mesjetare të kalifatit islamik. Në këtë plan, gjëja ideale do të ishte që në njëfarë mënyre simbolet e nacionalizmit shqiptar të bashkoheshin në një unitet simbolik me simbolet e radikalizmit islamik. Grafitet UÇK- ISIS të shkruara natën në muret e Manastirit të Deçanit, ose ridizajnimi virtual i mjekrës së Adem Jasharit në stilin e mjekrave të xhihadistëve, më se miri e shprehin këtë dëshirë të madhe kujdestarëve strategjikë të kombit serb.

Ndërkaq, në Prishtinë dhe Tiranë denoncimi i nacionalizmit shqiptar është snobizëm intelektual, që do të thotë dëshirë për t’u dukur sa më liberal dhe sa më perëndimor, sipas formulës popullore “më katolik se Papa”. Dy emra në vijnë ndërmend këtu: miku im Halil Matoshi dhe publicisti Fatos Lubonja. Ka plot të tjerë.

Këta publicistë, në shumë raste, nuk e hetojnë se si nga kritika pasionante e etnocentrizmit shqiptar rrëshqasin në ksenocentrizëm ( ksenos- i huaj), do të thotë në një pozicion ku gjithçka e kulturës tënde të duket e pështirë dhe pavlerë në krahasim më kulturën e huaj. Kësisoj kritika e vetëmburrjes etnocentrike kthehet në vetëpërbuzje ksenocentrike.

Ksenocentrizmi është pasojë logjike e snobizmit intelektual. Snobët ( imituesit e vlerave kulturore të një kulture të madhe të huaj) e kanë kompleksin e provincialitetit dhe mënyrën më e mirë për t’i ikur këtij kompleksi e gjejnë në kauzën kundër nacionalizmit, në rastin tonë, kundër nacionalizmit shqiptar, i cili afirmon vlerat vendore. Kështu në tekstet e Lubonjës i gjithë rrëfimi i nacionalizmit shqiptar është një rrëfim i pështirë, ndërsa te Matoshi snobizmi intelektual shfaqet në termin e “nacionalizmit fshatar shqiptar” dhe konceptin e tij shumë të dashur të “patriotizmit kushtetues”. Në këtë rast i bie që të dukesh më gjerman se gjermanët, ngase janë intelektualët gjermanë ata që kanë shpikur nocionin e patriotizmit kushtetues dhe atë për dy arsye. E para për të krijuar një formulë legjitimiteti për realitetin e dy Gjermanive të ndara gjatë Luftës së Ftohtë; dhe, dyta, për të mundësuar krijimin e një sensi identiteti të ri brenda kombit gjerman, si shenjë e çlirimit përfundimtar nga trashëgimia e rëndë e nacional-socializmit. Nga kjo pikëpamje, patriotizmi kushtetues është konsekuencë filozofike e procesit të madh të denazifikimit të shoqërisë gjermane. Matoshi e nxjerr këtë koncept nga konteksti gjerman dhe në mënyrë dogmatike e aplikon në kontekstin kosovar dhe me këtë bie në lajthitje të madhe intelektuale, sepse shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë për denazifikim. Është Serbia ajo që ka nevojë për doktrinën e patriotizmit kushtetues, pra për një sens të ri identiteti nacional, e jo ne. Ne nuk kemi kryer gjenocid ndaj askujt në emër të shqiptarizmit, siç kanë bërë serbët në emër te Serbisë Hyjnore. Ne mezi kemi mbijetuar për vete. Nacionalizmi shqiptar gjithmonë ka qenë i dobët aq sa, në fund të shekullit XX, po të mos ndërhynte NATO Kosova sot do të ishte vetëm një vend i kujtimeve nacionale. Duke pasur parasysh këtë, elitat politike në Prishtinë dhe Tiranë dhe nacionalizmi gjithmonë është zeje e elitave, kanë hequr dorë nga parimi themelor i nacionalizmit shqiptar në funksion të strategjisë bazike për të qëndruar në krah me botën perëndimore. Ky parim, që është identik në të gjithë nacionalizmat e tipit etnik, thotë: njësia politike (shteti) duhet të përputhet me njësinë kulturore (etnike). Nacionalizmi është çdo lëvizje që synon realizimin e kësaj përputhjeje. Nacionalizmi shqiptar duke qenë i dobët kurrë nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe në funksion të përmbushjes së këtij parimi. Ideja e Lidhjes së Prizrenit për bashkimin e të gjithë shqiptarëve nën një vilajet të vetëm është zanafilla e përfytyrimit të një Shqipërie të Bashkuar, sipas parimit të nacionalizmit etnik, ide që pas krijimit të Shqipërisë me kufijtë e sotëm, të njohur në vitin 1913, filloi të quhej ideja e Shqipërisë së Madhe dhe harta që valëvitej mbi kokat e tifozëve serbë që thërrisnin për mbytjen e shqiptarëve në fakt është harta e katër vilajeteve shqiptare të bashkuara në një vilajet të vetëm, por brenda Perandorisë Osmane. Nuk është e rastësishme pse kjo hartë ka filluar t’u pëlqejë turqve që sot mburren me lavdinë e dikurshme osmane. Halili bën gabim trashanik kur e identifikon Shqipërinë e Madhe si projekt fashist. Unifikimi i Kosovës dhe Shqipërisë nën sundimin e fashizmit nuk ka qenë unfikim kombëtar, ngase kjo bie në kundërshtim me parimin e nacionalizmit, i cili kërkon shtet kombëtar sovran e jo shtet vasal, siç ka qenë shteti i Xhafer Deves. Aso kohe shqiptarët kanë qenë të bashkuar njësoj siç ka qenë e bashkuar gjithë Europa nën çizmen naziste dhe sipas logjikës së Halilit i bie që sot Europën e Bashkuar ta quajmë projekt fashist.

Halili dhe Lubonja duke denoncuar rrezikun e Shqipërisë së Madhe u duket se po mbrojnë ide liberale e demokratike, por në fakt nuk e shohin se nga ngutia për t’u dukur sa më liberalë janë kthyer në stalinistë dhe enveristë publicistikë. Pse? Në Gjyqet e Stalinit dhe Enver Hoxhës ka qenë rregull që viktimat, të cilat rëndom nuk kishin bërë ndonjë faj real, para se të merrnin dënimin detyroheshin të bënin autokritikë, që do të thotë duhej vetë dhe publikisht të pranonin fajin e gabimet, në mënyrë që drejtësia e partisë të dukej krejtësisht e pastër. Të njëjtën gjë në rrafshin publicistik sot e bëjnë Halili dhe Lubonja: i kërkojnë nacionalizmit shqiptar të bëjë autokritikën e Shqipërisë së Madhe, pra të pranojë një faj të cilin kurrë nuk e ka bërë dhe as që ka ndërmend ta bëjë. Nacionalizmi shqiptar është nacionalizmi i vetëm sot në Ballkan që ka pranuar logjikën e kompromisit historik dhe fakti më i drejtpërdrejtë i kësaj është turpërimi elektoral i Aleancës Kuq e Zi në Shqipëri dhe pafuqia e Lëvizjes “Vetëvendosje” në Kosovë për t’i nxjerrë në rrugë njëqind njerëz në emër të bashkimit kombëtar. Nacionalizmi shqiptar nuk e ka përmbushur në tërësi parimin e përputhjes në mes njësisë politike dhe njësisë etnike (kulturore), por me luftën dhe çlirimin e Kosovës e ka përmbushur një qëllim tjetër po aq të madh të tij: rilidhjen e shqiptarëve me botën perëndimore. Kjo lidhje ishte shkëputur ditën kur u mbulua me dhe Pjetër Bogdani në Prishtinën e vitit 1689 dhe ringjallja e saj kishte qenë boshti i idealeve të nacionalizmit kulturor të rilindasëve shqiptarë.

Në një rrafsh tjetër, ideja e Shqipërisë së Madhe në esencë i referohet një kujtese historike dhe shqiptarët kanë të drejtë të kenë kujtesë historike, që do të thotë kanë të drejtë të dijnë se paraardhësit e tyre kanë jetuar dikur deri tek Nishi, apo në Greqinë veriore si popullsi e madhe dhe sot nuk janë më. Askush nuk ka të drejtë t’u kërkojë të zhdukin kujtesën e tyre. Vrasja e kujtesës është akti final në një dramë gjenocidi dhe ne s’kemi pse të bëhemi pjesëmarrës në këtë akt, duke i ndihmuar xhelatit si viktima të bëjë më shpejt punën e tij. Por, kjo e drejtë në kujtesë në kushtet e sotme gjeopolitike dhe në perspektiven e realizmit politik assesi nuk mund të shndërrohet në program politik për të dizajnimin e të ardhmes sonë. Malli për të kaluarën është kategori poetike, por jo kategori politike. Politika udhëhiqet nga interesat e të sotmes dhe ato të së ardhmes. Interes i të sotmes është fuqizimi ekonomik dhe demokratik i Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që nesër të realizojmë qëllimin e hyrjes në civilizimin perëndimor. Një gjë është e sigurt: ksenocentrizmi, vetëpërbuzja nuk e shkurton rrugën drejt këtij qëllimi. As snobizmi, sepse në Europë nuk do të pranojnë kopje të këqija të europianëve, por shqiptarë të europianizuar përnjëmend.

GEORGIEVSKI NUK DONTE NDARJE TË MAQEDONISË, POR DONTE TI JEPTE NJË PASHALLËK ALI AHMETIT

Artur Zheji
23 Tetor 2014

Lideri i BDI-së, mbrëmë në emisionin "Opinion" të Blendi Fevziut ndër tjera tha se i ishte propozuar ndarja e Maqedonisë, por se ky i fundit nuk e kishte pranuar një propozim të tillë.

Po në këtë emision, kanë dhënë mendimin e tyre, analistët Fatos Lubonja dhe Artur Zheji.

Zheji theksoi se Ljubço Georgievski nuk i ka propozuar në fakt Ahmetit ndarje të Maqedonisë, por i ka propozuar një pashallëk Ahmetit, transmeton Almakos.

Më posht do të gjeni të plotë atë që ka thënë Artur Zhejit për propozimin e Georgievskit për "ndarje të Maqedonisë"

E para njëherë, Ali Ahmetit nuk i është propozuar ndonjëherë një ndarje e Maqedonisë, por një copë, një llokme. Kjo ishte një lloj dhënie pashallëku për Ali Ahmetin, ndërkohë që shqiptarët e kishin fituar luftën, humbësi i jepte fituesit pashallëkun e tij. Ajo e propozuar ishte shumë më keq se ndarja, në të gjitha parametrat... Sot që ne flasim Lubço Georgievksi ka kërkuar një pasaportë bullgare. Zgjidhja më e mirë për shqiptarët e Maqedonisë ende nuk ka ardhur, të gjitha koalicionet që krijohen në Maqedoni herët a vonë lënë të parealizuar kontratën të lidhur me popullin, apo edhe Marrëveshjen e Ohrit. Përshembull shpërndarja e gjitha buxheteve të Shkupit (Qeverisë) shkojnë te pjesa maqedonase, kurse asgjë nuk shkon në Tetovë, Gostivar, apo edhe në vendlindjen e Ali Ahmetit, por në këto vendbanime të del përpara lopa e kali.

22/10/2014

S'KA KANDAR QË MUND TA PESHOJ ANTISHQIPTARIZMËN DHE POSHTËRSINË E MATOSHËVE DHE KODOSHËVE

23 janar 2013


Sot lexova një shkrim të Halil Matoshit te "Koha Ditore" me titull antishqiptar: Pse nuk pati flamuj të Kosovës në Preshevë? Titulli fletë më shumë se një libër për qëllimet e poshtra dhe të liga antishqiptare të Halil Matoshit, i cili mund të përqafojë cilindo flamur përveç FLAMURIT shqiptar, kuqezi... Me sherrin e njeriut të p[aguar mirë, H. Matoshi pyet? A ka Kosovë apo vetëm Shqipëri? Përgjigjia e shekullore dhe e përbotëshme e Kosovës dhe e çdo pëllëmbe të tokës shqiptare është dhe do të jetë: Kishte, ka dhe do të ketë vetëm një Shqipëri. Shteti shqiptar, me kryeqytet Tiranën, është vetëm një e treta e Shqipërisë. Prandaj, Kosova është Shqipëri, sikur edhe e gjithë Shqipëria Verilindore, Çamëria, Shqipëria Veriore...

Me shumë dëshirë ky "kosovar" (jo shqiptar) do të këmbente edhe gjuhën e nënës së tij me një gjuhë tjetër, çfarëdoqoftë... Nuk e ka bërë këtë akoma vetëm për një arsye: Po të shkruante në një gjuhë tjetër nuk do të lexohej nga ata tek të cilët është i paguar të ndikojë, te shqiptarët e Kosovës, që do të dëshironte të ishin "kosovarë", jo shqiptarë... Nëse një ditë do t'ia arrinte qëllimit që shqiptarët të shndërrohen në "kosovarë", ta harronin veten e tyre, siç ka dëshiruar gjithmonë Serbia dhe pushtuesit tjerë sllavo-grekë, H. Matoshi dhe kompania e tij, të paguar mirë nga qarqet antishqiptare, do të provonin t'ua ndërronin FLAMURIN KUQEZI me flamurin e Atisarit (këtë shqetësim kishte edhe Daçiçi. Pse nuk është flamuri i Kosovës-Atisarit në Preshevë?). Madje këtë flamur të Atisarit me dëshirë do ta valonin në gjithë hapësirën shqiptare dhe të shpallnin me bujë para padronëve të tyre: Fituamë! Flini të qetë! S'ka më shqiptarë, s'ka më Flamur kuqezi! Faza e fundit e këtij projekti, që nuk do të realizohet sa të ketë njerëz mbi dhe, do të ishte (sipas dëshirës dhe porosive të padronëve të tyre) ndryshimi i gjuhës dhe krijimi i një gjuhë "esperanto"... S'kanë faj të shkretit matoshër e kodoshër... Po e bëjnë për bukën e gojës. Thonë që buka të çon edhe në derë të hasmit... E unë uroj, meqë kështu po duan, të mbeten gjithmonë në derën e hasmit dhe jo në gjirinë e kombit të tyre dhe nën hijen e FLAMURIT KUQEZI, flamurit më të vjetër dhe më të bukur në Evropë, flamur që daton të paktën nga shek VI para erës sonë (sipas studiuesve të heraldikës). Ky dhe vetëm ky, Flamuri kuqezi, është Flamuri i Kosovës, i çdo krahine shqiptare-i gjithë Shqipërisë dhe i gjithë kombit shqiptar...

21/10/2014

PËR NJË EKONOMI TË PËRBASHKËT TË TREGUT TË LIRË PA BARRIERA NDËRMJET VENDËVE TONA

Jakup Krasniqi

21 Tetor 2014



Themeluesit e Bashkimit Evropian të sotshëm, që në vitet e pesëdhjeta e patën filluar krijimin e tregut të përbashkët për thëngjill e çelik e më vonë edhe për energji atomike. Ajo politikë në mënyrë sistematike është angazhuar për ekonominë e lirë të tregut (ekonominë e përbashkët), për tregun e lirë e pa pengesa. Kjo politikë vizionare nuk u ndal vetëm me ekonominë e tregut të lirë për thëngjill, çelik dhe energji atomike, por u shtri, dalëngadalë edhe në sfera tjera të jetës si të lëvizjes së lirë të kapitaleve, shërbimeve dhe punës. E më vonë është vazhduar në politika ambientaliste e sociale dhe ka vazhduar edhe në fushat që për një kohë kanë qenë të rezervuara për politikat nacionale, siç janë: politika e jashtme, siguria dhe drejtësia.

E thashë në pika të shkurtra çështjet e më sipërme, për t'ia përkujtuar politikës shqiptare (qeverive tona), në të dy anët e kufirit, se duhet sa më parë t'i eliminojnë të gjitha pengesat që e pamundësojnë zhvillimin e ekonomisë së tregut të lirë (tregun e përbashkët) shqiptarë në të dy anët e kufirit. Mundësitë e krijimit të politikave të reja edhe në fushat tjera të jetës, po bëhet domosdoshmëri dhe interes jetik jo vetëm i shqiptarëve, por i gjithë rajonit tonë.

Por, në rajonin tonë, të njohur ndryshe edhe si Evropë Juglindore, edhe përkundër interesave dhe mundësive të shumta të bashkëpunimit ekonomik, ende nuk kemi një frymë politike në interes të zhvillimit e të bashkëpunimit në ketë pjesë të Evropës ku tifozëria huligane i dikton politikës. Derisa të krijohen ato kushte bashkëpunimi, ne shqiptarët duhet të përshpejtojmë bashkëpunimin në mes dy vendeve tona gjë që është shumë më i lehtë, për faktin se mes nesh nuk ka pengesa gjuhësore apo kulturore, veçse nëse e kemi lidhur vetveten.

Këtu kërkohet vetëm vullneti i mirë politik i krerëve të politikës kombëtare, me kushtin që ata të punojnë për interesin e kombit. Sipas të gjitha gjasave kjo politikë e interesit kombëtar është duke u penguar nga lidhjet e ngushta të politikanëve të lartë të të dy vendeve tona, që ata kanë krijuar lidhje të ngushta me oligarkët e sferave të ndryshme biznesore, të cilët pa dyshim janë duke i mbrojtur interesat e tyre ekonomike e financiare dhe aspak interesat kombëtare.

Për t’u realizuar ekonomia e tregut të lirë (tregu i brendshëm shqiptar) në mes Shqipërisë dhe Kosovës, përveç vullnetit politik është e domosdoshme që të organizohen trupa ekzekutive profesionale, të cilat duhet ta marrin përgjegjësinë për ekzekutimin e politikave programore te të dy qeverive, që pa dyshim do të ishin në interes të të gjithë shqiptarëve. Sigurisht që shqiptarëve nuk u duhet tregu i “krundeve” të përbashkëta, ky treg nuk i duhet askujt. Ne na duhet tregu i përbashkët zhvillimor i konkurrueshëm, jo vetëm për tregun shqiptar. Veç kësaj, në mes ministrive të ndryshme të Shqipërisë e të Kosovës janë nënshkruar disa marrëveshje të mira, por askush nuk e ka përcjell realizimin e tyre. Ne duhet të edukohemi, jo vetëm me kulturën e fillimit të një pune të mirë, por edhe të realizimit deri në finalizim të saj për gjithçka që merremi vesh.

Kur mundin evropianët me gjithë atë konglomerat kombesh që kanë brendapërbrenda për të pasur tregun e përbashkët, pse nuk mundim ne shqiptarët që jemi një komb e dy shtete, që më pas presim të bëhemi edhe pjesë e integruar e Bashkimit Evropian, atje ku janë eliminuar moti kohë këto barriera. Nëse për t’u bërë pjesë e integruar e BE-së kemi shumë pengesa të përcaktuara nga të tjerët për shkak të “standardeve para integrimit”, pengesat e brendshme varen kryekreje nga ne shqiptaret, që po “qajmë me lot krokodili” për t’u integruar në BE.

20/10/2014

KRITIKËT NDAJ "NACIONALIZMIT" SHQIPTAR JANË TË PASINQERTË

Avni Zogiani 
20 Tetor 2014

Ju që e shihni veten si "eksponentë" të zërave kritik ndaj "dalldisë" së "nacionalizmit", ja pse ju jeni ekskulzivistë, por jo anti-nacionalistë, e as kritik të sinqertë :

1. Ju nuk dini të bëni dallimin mes theksimit të identitetit dhe nacionalizmit, dhe këtë ndonjëherë e bëni me qellim.

2. Ju shifni secilin manifestim të identitetit si nacionalizëm, ndërkohë që nuk e kuptoni ndonjëherë se theksimi i identitetit pa shprehur asnjë ksenofobi është në fakt anti-nacionalizmi më i madh.

3. Ju u vërbuat dhe nuk patë që manifestimi i flamujve shqiptarë në dhjetra qytetet shqiptare, në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët, nuk pati as edhe një thirrje kundër një entiteti tjetër.

4. Ju se patë që manifestimet në Fushë Kosovë u bënë përskaj vendbanimëve serbe, të cilat vazhdonin të bënin jetën pa asnjë shqetësim.

5. Ju mendoni se theksimi i identitetit është patetizëm e iracionalitet, por nuk e kuptoni që ju vetë bëheni patetik kur insistoni dhe e thoni vetë se ne duhet të sillemi në një mënyrë të caktuar, në menyrë që titujt e gazetave evropiane të mos jenë gjykues për shqiptarët, pra ju nuk e keni oirgjinalë këtë që e thoni e shkruani, por silleni në mënyren që ju besoni se ju bën të mirë në sytë e dikujt tjetër.

6. Ky qendrim jo që s'ju bën juve anti-nacionalistë, por ju bën auto-racistë, të kompleksuar, e inferiorë.

7. Shqiptarët kanë për ta theksuar identietin e tyre pa e shëndërruar atë në nacionalizëm, e kuptuat ju këtë ose jo.....!

LOJTARËVE SHQIPTARË JA HAPËN PORTATAT E ARENËS NË VEND TË STADIUMIT TË FUTBOLLIT


Ramadan Bozhlani
20 Tetor 2014

Me katërmbëdhjet tetor në qendër të Beogradit natyra paqësore dhe festive e stadiumit të futbollit rrëshqiti tragjikisht duke nxjerr në sipërfaqe atmosferën mesjetare të arenës së gladiatorëve. 

Për një moment mu dukë që bari u shndërrua në rërë, presidenti i Sërbis në Jul Cezarin e Romës, policët në ushtar me heshta, tifozët në spektator të etur për gjak dhe për betej fatale, ndërsa futbollistët në gladiator të fuqishëm. 
Nga shkallët e amfiteatrit brohoritjet vinin kurajuse për sërbët ndërsa dekurajuse, poshtruse, fyese dhe nënçmuse për shqipëtarët. Shqiptarët u ndjen sikur të ishin zënë rob, asnjë brohoritje për ngritjen e moralit të tyre, ndërsa të përjashtuar spektatorët në favor të tyre. Pastaj spektatorët e tërbuar të sulur ndaj shqiptarëve me ngjanin në shtazë të arenave mesjetare. Ushtarët me heshta me gjysme vullneti mbrojtën shqiptarët. 

Zbërthimi i kesaj atmosfere na shpien në një logjik të thjesht përpunimi. Klima e zhurshme me ngjyrime ultranacionaliste lojtareve shqiptar ju shkaktoj një ndjesi të pasigurt, ku ia çakordoj teknikat e mbrojtjes si dhe menaxhimin e topit në fillim. Serbët e shfrytezuan këtë situat dhe vazhduan duke shkaktuar shumë lendime, por megjithat shqiptarët e morren veten dhe mu atëher kur u forcuan dhe e zotruan përballjen nga qielli u leshua madhërishëm një bez i cili përbante një hart të vulosur me shqiponjen dy krershe si dhe anash saj dy figura të rëndësishme shqiptare. E mirëseardhur për lojtarët shqiptarë ndërsa tërbuse për lojtarët serb dhe tifozët e tyre. Serbët me padurim e priten zbritjen e bezit për ta tërhequr me nervozizëm dhe në mënyrë krejtësisht fyese që ishte e padurushme për lojtarët tanë, ku edhe në mbrojte të saj u përballën edhe me spektatorët e tërbuar që shkulnin karrigat për të përfunduar në kokat e lojtarëve shqiptarë. Qëndrimi i lojtarëve tanë është i dinjitetshëm dhe në përputhje me ligjet e vetëmbrojtjes, për këtë e kanë dëshmitar ekranin e televizorit. Lojtarët shqipëtar në krye me Lorik Canën u nisë drejtë stadiumit të futbollit në Beograd duke përfillur ligjet e sportit dinjitetshëm, por ata ja hapën portat e arenës. 

Serbët historikisht shquhen për diplomaci dinake, kësaj radhe në pamundësi për ta përballuar humbjen bën një gjest aq anti serb dhe aq pro shqiptar vetëm për hirë të një rrëmuje, që ndryshe do të perkthehej në një shpëtim të krenaris së tyre ultranacionaliste.

Ekranet televizive të mbarë botës u konvertuan në deshmitar se serbët as ky shekull nuk arriti t'i disiplinoj dhe familjarizoj me ligjet humane të njerzimit. 
Në emër të sigurisë i privuan nga mbartja e emertimit të Shqipëris nëpër fanela edhe tifozët ia përjashtuan për hirë të sigurisë edhe prap se prap në prezenc të asaj armate policore u rrahën lojtarët shqiptarë. 

UEFA nuk do të vuan për fakte, dëshmi dhe dëshmitar për të vendosur në favor të drejtësisë.

SHQIPTARËT AS NUK KANË QENË DHE AS NUK JANË LUFTËNXITËS. DUAM VETEM DREJTËSI !


Marin MEMA


Do të doja të dëgjoja sot qoftë edhe një nga ekspertët e mëdhej që bëjnë sikur e njohin ballkanin të më thoshte se kur një këmbë shqiptari ka shkelur në dhe të huaj si pushtues, ka vrarë njerëz të pafajshëm , ka prerë e masakruar, ka ofenduar, ka dhunuar apo ka prerë në besë. Kurrë. Ndaj edhe nuk urrejmë, ndaj edhe kemi pritur në Shqipëri, Malazezët, Grekët, Maqedonët, Bullgarët, Rumunët, Turqit e këdo me besën e burrit e civilizimit më të jashtëzakonshëm europian. Ndaj edhe Serbët do të vinin këtu pa kurrëfarë problemi sepse ne forcën e kemi tek identiteti , tek flamuri, tek shpirti, tek shqiptaria e jo tek dhuna e pabesia.


Kurrë një lojtar mik nuk është prekur sepse ne e kemi në gen të qenit të drejtë të paktën në këtë pikë. Jemi të këqinj të vetës sepse nuk bëjmë dot shtet por me miqtë e "armiqtë" jemi prapë miq e komb i besës. Historia e ka thënë me gojën e saj atë që jemi sot, një komb që nuk dhunon e që nacionalizmin e sëmurë ekstrem e përçmon.. Ne duam flamurin tonë por nuk urrejmë simbolet e të tjerëve, ne flasim shumë por nuk paragjykojmë kurrë asnjë minoritet, ne kemi vuajtur pafund por nuk kemi zgjedhur dhunën si përgjigje, ne jemi shqiptar dhe kemi pranuar që në Ballkan të bashkëjetojmë me të gjithë..

Ndaj sot bota duhet të gjykojë drejtë një komb që ka zgjedhur Europen si rrugën e tij, si stacionin e natyrshëm ku bashkohen kombet e civilizuara. Janë ato kombe që dhunën nuk e shohin si zgjidhje e drejtësinë e kanë simbol të shtetit të tyre. Këtë duam edhe ne, DREJTËSI. Asgjë më shumë. Drejtësi jo beteja, bashkëjetesë e jo luftë, bashkëpunim e jo shtytje, zgjidhje e jo urrejtje. Ne jemi shqiptarë e ju siguroj të dashur ekspertë që siç e ka shkruar historia nuk do të bëjmë kurrë asgjë për të ndezur zjarrin në tokën tonë apo të tjetërkujt. Duam vetem Drejtësi dhe asgjë tjetër.

19/10/2014

MAKTHI DHE TMERRI I EVROPËS ISHTE DHE ËSHTË SERBIA E MADHE DHE JO SHQIPËRIA NATYRALE


Jakup Krasniqi
18 Tetor 2014

Vuçiq thotë: “Njerëzit qe thonë se Shqipëria e Madhe është makthi ynë, kanë absolutisht të drejtë. Por ky nuk është vetëm makthi ynë, është makthi i Evropës, makthi i gjithë njerëzimit, e ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që ta parandalojmë atë. Shpresoj se shqiptarët normal do ta kuptojnë këtë porosi” .
Kujt po ia tregon ketë përrallë Vuçiçi, pse ai nuk e kthen kujtesën e tij vetëm pak vite pas, kur ishte nxënës i zellshëm i Sheshelit dhe i Millosheviqit dhe pastaj për ti kujtuar veprimet e tija në mesin e paramilitarëve, atëherë kur të njëjtën gjë e thoshte për shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët. A mos po kujton ai se të tre popujt e përmendur i kanë harruar jo makthet si thotë ai, por tmerret e një lufte fashiste me të gjitha parametrat e gjenocidit të egër ?! A kujton ai se bota demokratike dhe ne si pjesë e saj i kemi harruar barbaritë e atij pushteti e të atyre njerëzve që edhe sot e qeverisin Serbinë ?! Liderët shqiptarë të Kosovës, gjatë këtyre viteve, shumë gjera i kanë heshtur, kanë shikuar përmes gishtërinjve, duke besuar se me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar do të pendoheni, në rend të parë me të kaluarën tuaj kriminale, se jeni penduar e shkëputur nga ajo ideologji antinjerëzore, tmerruese për të gjithë jo-serbët e ish federatës jugosllave, e në mënyrë të veçantë për shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi, të cilët për gati një shekulli i ishin nënshtruar një politike shfarosëse, por më mirë nuk kaluan as boshnjakët e kroatët. Këtu nuk po ua përmendi edhe faktet tjera, se si politika shoviniste serbe ishte fajtore edhe për Luftërat Ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore. Historia regjistron gjithçka e nuk harron asgjë. Pra, politika serbomadhe ishte tmerri e makthi, në rend të parë, i popujve që një kohë kishin bashkëjetuar, por edhe Bota demokratike u tmerrua me krimet tuaja të kryera në Bosnje e Hercegovinë, Kroaci e më pas edhe në Kosovë.

Jo zoti Kryeministër, as ne e as Bota nuk mund t’i harron luftërat e tmerret që ua keni shkaktuar njerëzimit gjatë shekullit XX. Madje kush je ti, që shqiptarët i ndan në “normal” e "jo normal". A e keni parë fytyrën tuaj në pasqyre ? Po, ti a e ke pyetur veten në je normal ? Pse nuk e thua asnjë fjale, për thirrjet e bashkëkombëseve tuaj për vrasjen, therrjen e zhdukjen e shqiptarëve ? Që u brohorit për më shumë se dyzetë minuta në Beograd ? Aty ishte edhe shefi yt dhe heshti ! Dhe krejt këtë po tentoni ta e mbuloni me valvitjen e një flamurin-hartë të trojëve shqiptare. Me veprimet tuaja, me zellin tuaj për tu kapur pas atij flamuri, tregoni se ju jeni organizatori i gjithë hallakamës që ka ndodhur atë ditë në Beograd ! Me këtë budallallëk që e thua. Ti po të ishe normal, do ta ndjeje një fije pendimi për krimet që ideologët tuaj ju shkaktuan popujve të tjerë jo-serb, në shtëpitë e tyre ! Po të ishit normal, ju se paku do të duhej të heshtnit pas ndeshjes se futbollit të zhvilluar në stadiumin e Partizanit në Beograd.

Po shpresoj, se ketë fushatë fashiste që keni filluar në Beograd, veç të tjerëve janë duke e shikuar, Brukseli e Uashingtoni.

Ndërsa liderët shqiptar, nuk duhet ti shtinë veshët në lesh, siç kanë vepruar gjatë gjithë viteve të shekullit XXI ! Për ta dhe popullin e tyre, ju po u bini kambanave të alarmit. Ata duhet të jenë të vëmendshëm, ose duhet ti thonë popullit se janë të paaftë ta drejtojnë në këto kohë të vështira.

18/10/2014

NUK ISHTE HARTA E SHQIPËRISË SË MADHE, POR HARTA QË PËRFAQËSON VENDBANIMET SHQIPTARE

Jakup Krasniqi 

16 Tetor 2014

Ajo nuk ishte harta e Shqipërisë së Madhe, ishte harta e tifozëve të kombëtares shqiptare që nuk u lejuan ta përcillnin kombëtarën e tyre.

Në ndeshjen e kombëtareve të Serbisë e të Shqipërisë, të zhvilluara në stadiumin e Partizanit në Beograd, e cila u përcoll gjatë gjithë Kohës nga Presidenti i Serbisë nën brohoritjen fashiste të tifozëve serbë: “Vrisni, therni, masakroni derisa mos të ekzistojnë shqiptarët”. Thuajse pak shqiptarë kanë vrarë, masakruar dhe dëbuar nga trojet e tyre autoktone. Këtë jo vetëm që nuk e ka “dëgjuar” Presidenti i Serbisë që mban edhe nofkën “Grobar” (Vorrtari), i cili jo vetëm që nuk ka denjuar të largohej në mënyrë demonstrative nga ai kor korbash, por edhe ka dhënë instruksione se si të vepronin njerëzit e sigurimit serbë në stadiumin e Partizanit. Sikur Presidenti serb mos të kishte durimin për ti dëgjuar ato thirrje raciste, atëherë do të mund të thoshim: “Serbia po ndryshon”, se po ndryshojnë, pasuesit e fashizmit serbe, Nikoliqi, Vuqiqi e Daqiqi. Po diçka e tillë nuk u pa, jo vetëm atë ditë, por as pasi do të duhej të ftoheshin gjakrat. Kjo tregon se sa të thella janë rrënjët e urrejtjes te këta njerëz që sot e udhëheqin Serbinë në rrugën e integrimeve evropiane!? Zoti mund të bëjë mrekullira!?
Po përpiqem ta kuptojm Presidentin “Grobar”, se ajo ishte edhe filozofia e tij politike, por si ta kuptojmë Presidentin e UEFA-së, francezin Platini, i cili në dronin shqiptar dëshiron të kishte një bombë!? Jo zoti Platini, aty ishte flamuri i fudbolldashësve shqiptar, i cili flamur përfshinte hartën e tifozëve të skuadrës kombëtare shqiptare. Askush nuk mund ta mohoj faktin se në ato troje jetojnë shqiptarët dhe askush nuk mund të mohoj faktin se në të gjitha ato troje jetojnë shqiptarët. Këtu nuk duhet supozuar se çka mund të kishte droni shqiptar, por çka mbante ai dhe ai mbante flamurin e tifozëve të kombëtares shqiptare, as më shumë e as më pak.
Çdo skuadër futbolli dhe çdo përfaqësuese kombëtare, kanë tifozë edhe jashtë kufijve administrativ të shtetëve të tyre përkatëse. Pse kjo tu mohohet shqiptarëve?

17/10/2014

BARUTI BALLKANIK


Artur Zheji


16 Tetor 2014

Beogradi na ktheu befas shumë e shumë kohë mbrapa. Në kohë dhe hapësirë dhe padyshim në anti-kulturë. Ne jemi gjithsesi të pakënaqur me shumë gjëra që nuk shkojnë mirë në Shqipëri. Duke filluar nga korrupsioni, nga mos përsosmëria e demokracisë, nga trafiku kaotik dhe nga gjuha e rëndë verbale e politikës.

Mirëpo ngjarjet në Beograd, përtej rrënqethjes së natyrshme që shkakton ky koncentrat i urrejtjes dhe dhuna që u lirua fill më pas, na jep një ngushëllim jo të vogël, sepse Shqipëria, kqyrur simbas optikës së Beogradit dhe jo vetëm, na duket tash shumë më e sigurt dhe shumë më demokratike.

Mjafton të ndjekësh me vëmendje raportimet e mediave serbe në lidhje me ngjarjen që shpërtheu në stadiumin “Partizani” të Beogradit dhe rrënqethja të të dyfishohet. Nëse tifozët e udhëhequr nga i ashtuquajturi “Ivani i tmerrshëm”, si në të gjithë botën, dihet që janë pjesë e një segmenti të trishtuar të shoqërive, përgjithësisht krijesa të dëshpëruara, nëse këta tifozë pra, bënë këtë që bënë, si mundet politika dhe media serbe, hynë në rezonancë me këtë panoramë të zymtë?!

Kamerat e televizionit serb u larguan menjëherë nga shpërthimi i dhunës, me qëllim fshehjen e qëllimshme të saj. Reporterët serbë u rrëfyen menjëherë dhe si me komandë, pjesë e një ushtrie të organizuar, për të falsifikuar atë turp që ndodhi dhe për t’i dhënë një interpretim të ndryshëm, krejt larg nga e vërteta. Fill më pas erdhën rrëmbyeshëm edhe deklaratat e politikës beogradase.
Të cilat ishin, pak të themi tejet të paguximshme dhe falsifikuese. Askush nuk tha prej autoriteteve serbe se garancitë ishin skandaloze në mbrojtje të sportistëve shqiptarë. Përkundrazi, në një kor retorik dhe hipokrit, u përqendruan te droni me flamur shqiptar, që askush nuk e di se kush e lëshoi dhe pse.

Ministri i Jashtëm Daçiç e më pas kryeministri Vuçiç, shpërthyen në fyerje publike kundër tifozerisë shqiptare, e cila nuk ishte asfare në atë stadium. Dukshmërisht të nervozuar për imazhin e shëmtuar që u prodhua në këtë ndeshje, në të vërtetë përleshje, Daçiç dhe Vuçiç hapën një tenxhere të vjetër duke nxjerrë skema antilogjike, tejmbushur mjerisht për ta, me një falsitet mediokër.
Gënjeshtra mediatike e radhës për popullin serb, e paketuar me skemat e vjetra të kohës së Milosheviçit, është krimi më i rëndë që drejtuesit e sotshëm serbë i bëjnë Serbisë, vendit të tyre, që ata shtiren se e duan, por në fakt e dhunuan edhe kësaj radhe. Përpara Luftës në Kosovë, por edhe gjatë gjithë Luftës në ish-Jugosllavi, kam punuar si gazetar në trekëndëshin Romë, Tiranë dhe Shkup dhe ngado ndeshesha me disinformacionin më të shëmtuar që mund të përjetohet. Një disinformacion që fabrikoi dhjetëra mijëra ushtarë të robotizuar dhe vrasës, të boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve. Një krim, që hodhi në masakër popullin serb.

Një luftë kundër Bosnjës, kundër Kroacisë, kundër Kosovës, kundër NATO-s, por njëherazi edhe kundër të gjithë Botës së Qytetëruar perëndimore. Duke humbur krejtësisht çfarë iu premtohej se do të fitonin.

Edhe sot serbët po ushqehen me një gjellë të prishur mediatike. Atyre po u serviret në mënyrë të rrejshme, se barbaria që ndodhi në stadium, që rrahja e futbollistëve shqiptarë, ishte një impuls i pafajshëm djemsh patriotë, që u provokuan nga “maskarenjtë” shqiptarë. Për habi, edhe mediat helene që pata mundësi të konsultoj këto 24 orë, kishin një prirje, mjerisht të ngjashme. Një solidaritet i pandreqshëm pra me reagimin serb. Sikur ajo që ndodhi, ishte vetëm pasojë e provokimit që droni me flamurin etnik shqiptar ndezi simbas tyre, një emocion të pafajshëm mbrojtës në radhët e serbëve. Duke përligjur rrahjet dhe dhunën.

Kaq rëndësi paska pra një simbol, që fluturon mbi një helikopter lodër, që ende askush nuk e di se kush e ka bërë, në krahasim me britmat, me rrahjet reale dhe fizike të djemve shqiptarë që kishin shkuar në Beograd për të luajtur thjesht futboll? Të dënuar madje të luajnë futboll pa tifozët e tyre, pa simbolet e tyre kombëtare!

Ky deformim që ushqen popujt me këtë gjellë të prishur dhe kaq të vjetër mediatiko-politike, është në radhë të parë i mjerueshëm për vetë ata. Por edhe për ne, dreqi e mori, që duhet të ndajmë prej së paku 100 vitesh gënjeshtrën nga e vërteta në mënyrë rraskapitëse, në lidhje me fqinjët e shqetësuar serbë.

Ky barut ballkanik, kaq kokëfortë, është një ushqim që na ka varfëruar dhe mjeruar në shekuj.
Tek shikon tifozët dhe qytetarët e revoltuar shqiptarë rrugëve të Tiranës apo Prishtinës, grusht bashkuar rreth Flamurit Kombëtar, të pushton një ndjenjë kënaqësie, por edhe një ndjenjë frike. Frikë e natyrshme nga tendenca për një simetri urrejtjeje, që ka klimë të përshtatshme mbas asaj që ndodhi. Sepse në mijëra vite, është frika ajo që i grupon njerëzit për të përballuar një të keqe më të madhe. Frika se përsëri duan të na shkelin dhe përsëri duan të na skllavërojnë. Ashtu si dikur, ashtu si ndoshta edhe nesër.
Sepse kur mjafton një helikopter lodër për të hedhur në erë nervat e popujve në Ballkan, atëherë e keqja duhet kqyrur më thellë. Te plagët tona të pashëruara dhe po aq të sëmura sa edhe më parë.

Në këtë optikë, lodrat politike të Kosovës, që zihen e shqyhen politikisht duke e lënë vendin kaq kohë pa qeveri, janë kaq ireale dhe kaq të turpshme, ndërkohë që një koncentrat urrejtjeje shpaloset kaq primitivisht. Maja e ajsbergut të mllefit nacionalist që nuk mplaket.

16/10/2014

MONUMENTE CARËSH

Arbër Zaimi

Tiranë, 15 tetor 2014

Në Beograd ca ditë më parë u vendos një monument i ri, dhuratë bërë Serbisë nga Federata Ruse. Monumenti i përkushtohet Carit të fundit të Rusisë, Nikollaj Romanovit, i cili, siç janë shprehur dhe autoritetet e qytetit të Beogradit “ka bërë shumë për Serbinë në Luftën I Botërore”. 

Sigurisht që s’është thjesht kaq. Vendosja e monumentit të Nikollajit II lidhet drejtpërdrejt me vizitën që udhëheqësi i Rusisë, Putini, pritet të bëjë në Beograd në 16 tetor. Vizita ka si justifikim formal shënimin e 70 vjetorit tëçlirimit prej nazi-fashistëve, ama kushdo që ka sadopak lidhje me historinë do të mund ta shtronte pyetjen: ç’lidhje ka Cari i vrarë nga Ushtria e Kuqe me përkujtimin e një lufte të fituar pikërisht nga Ushtria e Kuqe dhe aleatët e saj?

Absurditeti i pretekstit të vizitës monumentale është evident, por përtej këtij absurditeti mund të lexohen simbolikat për të kuptuar diçka, në mos për historinë, për aktualitetin. Në këtë periudhë tejet të acaruar, kur Rusia e Putinit ka bërë të qartë rikthimin e vet në skenën e përplasjeve imperialiste – së fundmi duke shkatërruar Ukrainën (edhe pse Ukraina kishte “garancinë” e SHBA dhe BE, që prej traktatit të Budapestit në 1994 se nuk do lejohej kurrë cënimi i integritetit të saj, në këmbim të çarmatosjes bërthamore) – ai pritet me paradë ushtarake, me të shtëna topash e me gjithë parafernalet neo-pansllaviste në mes të Beogradit. Vetë ngritja e përmendores së Carit të fundit duket sikur dëshiron të rrëfejë se ai Car e ka lënë një pasardhës, që rastësisht bart emrin e rëndësishëm perandorak Vladimir (të njëjtin emër me atë që shfronësoi dhe urdhëroi vrasjene Nikollajit II).

Përfshirja e Serbisë në projektin neoimperial të Putinit nuk del në pah vetëm te simbolika e monumentit ama. Janë dhjetëra të dhëna nga vitet e fundit që rrëfejnë për këtë, nga qëndrimet diplomatike, aktivitetet e përbashkëta, marrëdhëniet speciale ekonomike, gjer edhe rezistenca për të ndërmarrë sanksione ndaj Rusisë pas agresionit të fundit në Ukrainë. 

Politikbërësit në perëndim duket se shpresojnë që Serbia megjithëmend të jetë të paktën në dilemë mes Rusisë dhe BE-së, e që këtë dilemë ta zgjidhin në favor të tyre duke ofruar ndihma, investime, favore, ndonjë korrupsion të elitës, e mbi të gjitha duke ofruar mbajtjen pezull të Kosovës dhe sakrifikimin e çështjes shqiptare. Serbia e di këtë, dhe jo rrallë përpiqet që ta luajë lojën e dyfishtë dhe të maksimalizojë fitimet, apo “të pijë nga dy nëna”.

Por loja nuk është edhe aq bindëse, sidomos nëse sheh ngjashmëritë mes disa formave të politikëbërjes në Moskë dhe Beograd, ku e para lot rolin e mësuesit dhe e dyta të dishepullit.

Ndër to mund të përmendet ringjallja e pansllavizmit si nënshtrat i mendimit imperial, dhe forcimi i bindjes se serbët e rusët janë kushërinj, në mos vëllezër, të bashkuar nga pravosllavizmi. (Se pse vetëm serbët e rusët e jo popujt e tjerë sllavë, kjo pyetje do trajtim në një artikull tjetër, e jo këtu). E vetmja kohë kur kjo vëllazëri “e natyrshme” u prish, ishte në kohën kur qeverisnin disa “jorusë” e “joserbë”, psh. armeni Xhugashvili dhe kroati Broz. Koha kur politika u ndikua gjithnjë e më pak prej shenjtëve patriarkë të Moskës e Beogradit. Por, thuhet në retorikën e përditshme publike e politike të këtyre dy vendeve, ajo kohë ka ikur e sot unioni shtet-kishë, thelbësor për identitetin rus e serb, i ka hapur sërish dyert e bashkëpunimit tradicional.

Po ashtu, ngjashmëri vërehen edhe në forcimin e konservatizmit politik, i cili ka kapur pushtetin në të dyja vendet. Patriarkalizmi, theksimi i lavdisë së shkuar imperiale, anti-liberalizmi, ultranacionalizmi, racizmi etj. gjejnë vend jo thjesht në margjina të shoqërisë, por tek figurat qendrore të qeverisjes. Një nga fashistët më të rrezikshëm bashkëkohorë, Aleksandër Dugin, është këshilltar i Vladimir Putinit (thuhet se prej tij e ka marrë Putini konceptin e euro-azisë), ndërsa në Serbi president është Tomisllav Nikoliçi, i cili në fillim të viteve ’90 shpalli tezën “e këndshme” se shqiptarët duheshin infektuar të gjithë me AIDS që të zgjidhej çështja shqiptare. Kryeministër është Aleksandar Vuçiçi, dikur ministër informacioni në qeverinë e Millosheviçit, në kohën e Luftës së Kosovës, kur jo pak gazetarë kanë përfunduar të vrarë për shkak të opozitës ndaj regjimit kriminal. Vuçiçi edhe më vonë, nga 2006, propagandonte për mbrojtjen shtetërore të gjeneralit Ratko Mlladiç, dhe duke patur parasysh figura të tilla, Ivica Daçiçi, i cili ka qenë zëdhënës i Millosheviçit, gati-gati duket si engjëll...

Por ngjashmëritë më të mëdha mes Rusisë dhe Serbisë duken tek themelimi i të ashtuquajturave “shtete matrioshka”. Rusia ka themeluar si të tilla Abkhazinë e Osetinë në Gjeorgji, Transnistrinë në Moldavi, tash Donbasin në Ukrainë, ndërkohë që kërcënon me ndarje të tilla edhe shtetet Balltike. Ndërsa Serbia ka siguruar praninë e saj në Bosnjë përmes “Republikës Srpska”, tentoi të krijojë një të ngjashme në Kroaci “Republika e Krajinës” – por pa sukses pasi që kroatët e zbythën me ushtri ndërhyrjen serbe, po tenton të krijojë Bashkësinë e Komunave Autonome në Kosovë, dhe ka vënë totalisht nën tutelën e vet Maqedoninë.

Të gjitha vendet ish-perandorake kanë popullsi etnike jashtë kufijve të tyre, e cila jeton nën statusin e minoritetit etnik. Por kjo nuk vleka për serbët edhe rusët, të cilët kudo që janë duan të krijojnë shtet e republikë, dhe askund s’pranojnë të jenë minoritet. Në thelb të kulturës së tyre nacional-imperiale qëndron besimi se janë “popull i përzgjedhur”, suprem ndaj popujve të tjerë. 
Ku gjenden shqiptarët në këtë ekuacion? Në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri federata serbe bëri një kërkesë të paprecedentë, që të mos shkonin tifozë për shkak të “rrezikshmërisë së lartë”. Dokrra. Pse nuk kanë paraqitur rrezikshmëri të lartë tifozët kroatë që shumë herë e kanë vizituar Beogradin me kombëtaren e tyre? Mos vallë për shkak se Kroacia shumë shpesh në histori e ka gjetur forcën (herë me të drejtë e herë pa të drejtë) që t’i kthejë sulmin Serbisë, ndërsa shqiptarët gjithnjë janë gjetur të sulmuar dhe të detyruar të mbrohen? Mos vallë ky popull që kurrë nuk ka qenë agresor na qenka më i rrezikshmi prej krejtve? Jo. Është thjesht përbuzje dhe injorim ndaj shqiptarëve, të cilët edhe më parë janë konsideruar si qytetarë inferiorë në Jugosllavinë e hegjemonizuar nga serbët, siç konsiderohen sot fatkeqësisht dhe pa të drejtë, romët.

Ngritja e përmendores së Romanovit të fundit në Beograd shënon vazhdimin e vektorit imperial rus në Ballkan, ashtu siç ngritja e përmendores së Car Dushanit në Shkup para ca kohësh shënon vazhdimin e politikës dhe interesave serbe jashtë kufijve të saj. Si kukullat matrioshka, nga barku i imperializmit rus del ai serb, e nga barku i serbit del ai maqedonas. Nuk është rastësore që mu përballë një pllake tëpadukshme që përkujton Nënën Terezë në Shkup gjendet një qendër tregtare ku pllakati madhështor lexon “EuroAsia”, si për të treguar gjer ku mbërrijnë rrënjët e degët e Putinit. 

Nuk është rastësore po ashtu, që serbët ndërkohë që e kanë gojën plot me kërkesa e me ankesa, për rikthimin e serbëve në shtëpitë e në pronat e tyre në Kosovë, nuk po ndihmojnë as që të kthehen trupat e 1700 të zhdukurve gjatë spastrimit që ata ndërmorën në Kosovë. Ndërkombëtarët i këshillojnë shqiptarët që të jenë zemërgjerë e të dinë të falin, dhe politikanët shqiptarë shpeshherë të verbër nga vetëdija historike e politike, janë gati të falin, edhe pse politikanët serbë as që kanë kërkuar falje për ndonjë gjë. 

Në memorandumin famëkeq të viteve ’30 të shekullit të kaluar Vaso Çubrilloviç shfaqet shumë interesant. Ai e sheh spastrimin e shqiptarëve si një detyrë kombëtare. Në faqet e atij memorandumi nuk shfaqen dëshira për gjakësi, apo urrejtje etnike patologjike. Përkundrazi, ai shfaqet si një “shkencëtar” gjakftohtë, i cili i është vënë studimit të një problemi që kërkon zgjidhje. Pasi i referohet spastrimit të shqiptarëve nga Nishi, nga Toplica e nga Jagodina (ku para më pak se një shekulli ishin shumicë, e sot s’ka asnjë syresh), ai thotë se duhen spastruar dhe ata të Kosovës dhe Maqedonisë. Ndër zgjidhjet që sugjeron, është dhe zhvendosja e tyre drejt Turqisë e Shqipërisë (kjo zgjidhje më vonë, në kohën e “komunizmit” gjeti zbatim në marrëveshjen Tito-Kyprili, dhe mbi 300.000 shqiptarë u dërguan “të paketuar” në Anadoll). Nëse autoritetet në Tiranëdo të ngrenë zërin, sugjeronteÇubrilloviçi, atëherë le të hyjë në lojë paraja. Ryshfeti është mjeti më i mirë për të platitur zërat e pushtetarëve shqiptarë.

A është kështu edhe sot? Zënkat publike mes Baton Haxhiut dhe Margarita Kadriut (të dy mbështetës të Hashim “çlirimtarit”)na rrëfyen se kush i shërben Mishkoviçit (ish-zv.kryeministër i Millosheviçit, sot manjat i ekonomisë në Ballkan e Evropë) e kush Stanishiçit (ish-shef i shërbimeve sekrete të të njëjtit) prej të dyve. Problemi i “miellit kosovar” na tregoi edhe se sa vendore janë produktet që importohen nga Serbia dhe paketohen në Kosovë. Lukoil-i rus i cili ka kapur tregun maqedonas të naftës na tregon edhe për pushtetarët shqiptarë, bashkëpronarë në këtë biznes putinian. Dhe prania e bollshme e “Fazlliçave” e “Mishkoviçave” në Tiranë na lë të kuptojmë se sa e madhe është fuqia korruptive e kapitalit serb. 

Të gjitha këto duhet të mbahen parasysh prej kryeministrit Edi Rama (dhe prej presidentes Jahjaga, nëse vendos të shkojë edhe ajo) në vizitën që ka planifikuar të bëjë në Beogradin ku kurrë nuk ka nisur procesi politik i defashistizimit apo i demillosheviçizimit, vizitë që unë me gjithë mend shpresoj dhe dua që të jetë bona fide. Ndoshta Rama ka nisur të mbajë pranë këshilltarë si Blair, që “hanë bukë” edhe në Beograd e gjetiu në vende rreth Rusisë, e ndoshta bashkë me Blair-in vijnë te Rama edhe gjeorgjianë e këshilltarë të tjerë, por çështja shqiptare në Ballkan nuk zgjidhet përmes ukrainizimit, as përmes gjeorgjianizimit, të ekonomisë dhe diplomacisë.


03/10/2014

Putin në Beograd, a do ta krahasojë përsëri Kosovën me Krimenë?

Koço Danaj
3 Tetor 2014


Në 16 tetor, Presidenti Putin do të vizitojë Beogradin. Ajo që na intereson ne, është fakti se a do të krahasojë përsëri Kosovën me Krimenë sic bëri para disa muajsh. Dhe e dyta, a do të korigjigjojë “harresat” e deklaratës së parë. Cila ishte kjo “harresë”? Ajo kishte të bënte me 6 fakte. Ja cilat janë ato:

E para: Presidenti Putin e di shumë mirë se Kosova u aneksua me dhunë Sërbisë, pas Konferencës famëkeqe të Londrës, ndërsa Krimeja ju dha Ukrainës nga Byroja Politike e PKBS në kohën e Hrushovit. Le të dënojë Putin mbledhjen famëkeqe të Londrës që coptoi kombin shqiptar dhe ja dha Kosovën Sërbisë duke e trajtuar si plackë lufte!!. As më shumë e as më pak le të bëjë atë që bëri Lenini në 1917.

E dyta: Mbi Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës u ushtrua një gjenocid gati një shekullor nga shovinizmi sërb. Le ta dënojë presidenti Putin këtë gjenocid zyrtarisht.

E treta: Rusia është ajo që mban akoma në këmbë Rezolutën famëkeqe 1244, duke vendosur Veton e saj. Kjo Rezolutë, është akoma si fusnotë pas fjalës Kosovë. Le ta heqë, Putin, të drejtën e Vetos duke u bërë nismëtar I anullimit të kësaj Rezolute.

E katërta: Kosova nuk ka të drejtë me Kushtetutë të bashkohet më Shqipërinë, për shkak të kësaj Rezolute. Le të ndikojë Putin tek arbitrat ndërkombëtarë, për të ndryshuar Kushtetutën duke lejuar Kosovën të bashkohet me Shqipërinë.

E pesta: Putin duhet ta dijë se miqtë e tij sërbët e kërcënojnë Kosovën me ndarjen e Veriut të saj, ndërsa Krimeja u bashkua me Rusinë pa pyetur se sa tatarë apo ukrainas jetojnë atje. Për kulturë të diplomacisë ruse, në Kosovë jetojnë 92 përqind shqiptarë dhe 8 përqind pakica kombëtare. Në Krime jetojnë 58 përqind rusë dhe 32 përqind pakica kombëtare.

E gjashta: Në Konferencën e Potsdamit në Korrik 1945, populli shqiptar I Kosovës u trajtua si pakicë që kishte marrë pjesë aktive në Luftën e dytë botërore me 50 mijë antifashistë dhe 6 mijë dëshmorë. Megjithatë, aleatët më të ngushtë të Putinit, sërbët vazhduan gjenocidin ndaj tyre dhe shpërnguljen në Turqi.

Pra janë gjashtë fakte që nuk janë thënë as nga Putin, por disa prej tyre as nga diplomatët perëndimorë, që kanë vënë shënjën e paralelizmit midis Kosovës dhe Krimesë apo që e kanë kundërshtuar atë. Kur të pranohen këto gjashtë fakte në fillim nga Moska e Putin dhe pastaj disa prej tyre edhe nga miqtë e sërbëve në Bruksel, shqiptarët do të gjykojnë ndryshe. Deri atëhere ata nuk I pranojnë deklarimet demagogjike si nga Moska ashtu edhe nga një pjesë e Brukselit.