09/03/2016

Mehmet (Muhamed) Ali Pasha themeluesi i Egjiptit modern


Prof. dr. Beqir Ismaili

Me rastin e 200 vjetorit të ardhjes së Mehmet Ali Pashës në Egjipt, më 12 Maj të 2005, në ambjentet e agjensisë së informacionit “Alba Press” në Kairo, u mbajt një tryezë historike me temë “Mehmet Ali Pasha, themeluesi i Egjiptit modern”. Përveç të tjerëve, në këtë tryezë ishin të pranishëm dhe personalitete të historisë dhe kulturës egjiptiane si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Kairo. Me këtë rast, Prof. Dr. Beqir Ismaili bëri një rezyme të shkurtër të jetës dhe veprës së Mehmet Ali Pashës, duke vënë theksin në madhështinë e kësaj figure të ndritur të historisë shqiptare.
Mehmet Ali Pasha, ky pinjoll i trojeve shqiptare, i njohur me emrin Muhamed Ali Pasha, është një nga bijtë më të shquar që ka nxjerrë toka shqiptare në historinë e saj.
Mehmet Aliu ka lindur me 1769, në një familje shqiptare. Pasi u mor për një farë kohe me tregëti nëpër Çamëri, vendosi të bashkohet me ushtrinë shtetërore Osmane.
Mehmet Aliu nuk e kishte arsimim e duhur ushtarak. Ai mësoi shkrim dhe lexim, me shumë vështirësi, në të dyzetat e tij, por ai shquhej për aftësinë e tij në planifikim dhe mprehtësi mendimi në zgjerimin e kulturës dhe ardhmërisë së vendit që ai udhëhiqte. Mehmet Aliu ishte një njeri i mençur dhe largpamës, gjë që i mundësoi atij të bëjë karrierë në ditët e mëpasme të jetës.
Me ardhjen e forcave pushtuese franceze në Egjipt në 1798, Perandoria Osmane, në krye të së cilës ishte Sulltan Selim Khan, djali i vëllait  të ish Sulltan Abdul Hamidit, që ndërroi jetë më 1796, filloi të përgatisë kundërsulmin për dëbimin përfundimtar të francezëve nga Egjipti. Për këtë qëllim u thirrën ushtarë vullnetarë nga e gjithë Perandoria. Nga viset shqiptare u grumbulluan disa mijëra vullnetarë ku vetëm nga zona e Kavallës u paraqitën treqind ushtarë vullnetarë shqiptarë, të stërvitur dhe të paisur me armatime dhe të gatshëm ti përgjigjeshin thirrjes për luftë, në çdo moment.
Njësia ushtarake shqiptare, e cila udhëhiqej nga Ali Aga, filloi të lëvizë nga trojet shqiptare në drejtim të njërës prej bazave ushtarake detare në Detin Egje. Në këtë port, ishin në pritje anije të shumta ushtarake dhe disa anije të tjera, të ardhura nga anë të ndryshme të Perandorisë, të mbushura me materiale të nevojshme për këtë ndërmarrje ushtarake.
Pak para mbërritjes së forcave osmane në Egjipt, Ali Aga e pa të pamundur të vazhdonte të drejtonte formacionin shqiptar dhe për këtë arsye ia dorëzoi komandën Mehmet Aliut.
Pas përpjekjeve të shumta luftarake me francezët, ushtria osmane më në fund arriti t’a çlirojë Egjiptin nga zgjedha Bonopartiste. Formacioni shqiptar i udhëhequr nga Mehmet Aliu luajti një rrol shumë të madh në këtë luftë.  Falë strategjisë së përdorur nga komandanti shqiptar, francezët u shpartalluan dhe u larguan përfundimisht nga vendi.
Pas mposhtjes së francezëve, forca të shumta të cilat kishin qëllime kontradiktore, u orvatën të merrnin në dorë sundimin e këtij vendi. Këto forca i shpallën luftë njëra – tjetrës duke luftuar secila për llogari të vet.
Fuqia më e madhe ishte Shteti Osman, i cili e udhëhiqte Egjiptin që prej tre shekujsh dhe dëshironte që ky vend të mbetej në duart e tij.
Një tjetër fuqi me synime ndaj Egjiptit ishin anglezët, të cilët gjithmonë kishin qenë të gatshëm të ishin prezentë në këtë vend. Për këtë arsye anglezët po bënin të gjitha përgatitjet për t’a okupuar Egjiptin, për tia arritur kështu qëllimit që nuk nuk mundën t’a arrinin gjatë kryqëzatave. Britania kishte për qëllim që me pushtimin e Egjiptit t’i hapte rrugë vetes në Detin e Kuq dhe në Detin Mesdhe e të siguronte kështu mbizotërimin e saj në vijën kryesore bregdetare e prej këtu të lidhej me Indinë.
Pretendues për sundimin e Egjiptit ishin dhe mamlukët (feudalët vendas), të cilët në realitet vepronin sipas pëlqimit të osmanllinjëve.
Pas çlirimit të Egjyptit dhe mosmarëveshjeve të ndryshme civile, më në fund në vitin 1805, Muhamed Aliu me propozimin e Sheikhut të Al-Az’harit- udhëheqësi më i lartë fetar në vend, njëkohësisht dhe Rektor i Universitetit më të madh dhe një nga më universitetet më të vjetër të botës, mori fermanin nga Sulltani për t’u bërë Guvernator i Egjiptit dhe njëkohësisht iu dha titulli “Pasha”. Në 1805, zë fill dinastia shqiptare e zotërimit të Egjiptit. Mehmet Ali Pasha, shqiptari reformator, iu përvesh punës për modernizimin e vendit të Nilit. Krejt i pavarur, në luftë me të gjithë, madje edhe me sulltanët, Muhamed Aliu arriti deri në portat e Stambollit.
Koha e Mehmet Alit u shqua si kohë e fitimit të betejave të shumta, ushtarake dhe ekonomike. Mehmet Ali Pasha, me zgjuarsi dhe strategji të rrallë arriti të shuajë shumë mosmarrëveshje mes mamlukëve dhe osmanlinjve.
Këto arritje të Muhamed Aliut nuk i shkuan për shtat atyre që donin të ishin  dominues të Egjiptit, anglezëve, të cilët të penduar për tërheqien e tyre nga Egjipti vendosën në 1807 të riktheheshin përsëri. Duke përdorur politikat e tyre dhe duke shfrytëzuar tradhëtinë e disa udhëheqësve mamlukë që, nuk posedonin aspak atdhedashuri dhe kulturë dhe që interesat e tyre personale i kishin më të shtrenjta se vendi dhe populli i tyre, anglezët provokuan një kryengritje të cilës i printe admirali Frizer. Ofensiva nuk vazhdoi shumë, por u zmbraps me dy sulme në Aleksandri dhe Reshidë. Duke mos pasur rrugëdalje tjetër, Frizeri u largua nga deti.
Mehmet Aliu e priti me keqardhje të madhe tradhtinë e mamlukëve. Për të vënë në vend nderin e nëpërkëmbur të Egjiptit, në Mars të 1811-ës ai i thirri prinjësit tradhëtarë “të penduar” mamlukë, në një darkë në kështjellën e tij. Qëllimi i  tij i vërtetë ishte, të lante hesapet një herë e mirë me mamlukët. Dhe është pikërisht kjo darkë që shënon fundin e mamlukëve në Egjipt. Ai e shpartalloi përfundimisht udhëheqjen e mamlukëve dhe bëri ankeksimin e forcave mamluke në rradhët e ushtrisë së tij, duke hapur me këtë veprim një faqe të re në historinë e  Egjiptit.
Mehmet Aliu ishte largpamës dhe ambicioz. Ai ëndërronte të themelonte një perandori të gjerë. Që në momentin e marrjes në dorëzim të fronit ai e kuptoi se që Egjipti të shkonte përpara, duhej të bashkohej. Kështu ai punoi e luftoi gjithë kohën për t’ia arritur këtij qëllimi. Ndërkohë ai i zgjeroi kufinjtë e pushtetit të tij deri në Kerdefan dhe Nubeh dhe në 1821-1823 themeloi Hartumin, kryeqytetin e Sudanit të sotëm.
Pas zgjerimit të kufinjve filloi të ashpërsojë qëndrimin e tij ndaj Portës së Lartë në Stamboll dhe filloi të distancohet nga osmanët. Djemtë e tij ishin përkrahësit e tij kryesorë. I biri, Ibrahim Pasha, që në shpejtësi të madhe kishte pushtuar Sirinë dhe kodrat e Turusit, nuk u mjaftua me kaq por depërtoi në Azinë e vogël drejt Stambollit. Në të njejtën kohë Muhamed Aliu kërkoi të rriste epërsinë e tij të mëtjeshme të kufijve depërtues në Siri në mes dy lumenjve, e me këtë rast dëshironte të depërtonte deri në Bagdad në mënyrë që të hapte rrugët e tregëtisë me Indinë.
Në 1824, Sulltan Mahmudi i II-të, i cili nuk mundi të shtypte kryengritjet e grekëve, thirri në ndihmë Mehmet Aliun. Ky i fundit, caktoi djalin e tij Ibrahim Pashën, në krye të ekspeditës kundër grekëve, i cili arriti t’i shuaje dhe t’i shtypë revoltat në Greqi. Si shpërblim të kësaj fitoreje, Sulltani e emëroi Mehmet Aliun Guvernator të Kretës.
Triumfi dhe epërsia e ushtrisë së Mehmet Aliut nuk i shkoi për shtat Shtetit Osman dhe fuqive Europiane, të cilëve u cënoheshin kështu interesat e tyre në rajon e më gjerë. Për këtë arsye, në Korrik të vitit 1840, u grumbulluan në Londër kundër Mehmet Aliut. Ato vendosën që Egjipti të rikthehet në kufijtë e vjetër, të jetë pjesë e Shtetit Osman dhe t’i paguaj haraç vjetor Sulltanit, ushtria të mos numërojë më shumë se 18.000 trupa si dhe të mos prodhojë shpata apo armë luftarake.
Për të qetësuar Mehmet Aliun dhe për ti dalë përpara mundësisë së reagimit nga ana e tij, ato e shpallën Mehmet Aliut zëvendës mbret të Egjiptit dhe të drejtën e trashëgimisë së fronit mbretëror, ia kaluan pjestarëve meshkuj të familjes së tij.
Arritjet e Mehmet Aliut janë të shumta dhe i përkasin fushave të ndryshme. Përveç suksesit në strategjinë ushtarake, ai konsiderohet i pari moderator i botës Islame. Ai ishte i pari që ndërtoi sisteme moderne shtetërore për vendet që udhëhoqi, futi në përdorim shtypshkronjën, ndërtoi fabrika, projektoi dhe realizoi furnizimin me ujë të Aleksandrisë nga krahina Mahmudie, etj. Krijimi i Egjyptit si shtet, modernizimi, ndërtimi i qyteteve, qendrave tregtare, industriale etj, bëri që në Egjipt të fillojë epoka e lulëzimit, lirisë dhe pavarësisë. Kjo i dha mundësi Egjiptit  të fitojë krenarinë dhe madhështinë shpirtërore dhe materiale. Vlen të theksohet këtu se Egjipti u bë qendra e diasporës shqiptare, opozitare e Portës së Lartë.
Krijimi i shtetit të Sudanit, emancipimi i shoqërisë sudaneze dhe dhënies, kësaj shoqërie, nje fizionomie qytetare ndryshe nga fizionomia fshatare që Sudani kishte para ardhjes së Mehmet Aliut, konsiderohen si arritjet titanike të këtij strategu të madh. Emancipimi i shoqërisë Egjyptiane, që sot është zemra e botës arabe, nëpërmjet aktivizmit të vendaseve endacake-fshatarë në jetën shoqërore qytetare, e bënë Mehmet Aliun arkitektin e intelektualizmit dhe iluminizmit arab, të sistemit të ri, të krijimit për herë të pare, në botën arabe, të një ushtrie me të vërtetë profesioniste dhe shumë më të avancuar se ushtria osmane.
Suksesi i ushtrisë së Mehmet Aliut, i tregoi sultan Muratit se sistemi osman ishte vjetëruar. Kjo bëri që Sulltani të formulojë një strategji të re ushtarake, sipas modelit të Mehmet Pashës, por që asnjëherë nuk arriti suksesin e tij.
Vlerat e Mehmet Aliut, për zemrën e sotshme të botës Arabo – Islame janë të panumërta.
Në ditët e fundit të jetës së tij Mehmet (Muhamed) Ali Pasha shprehet: “Nuk kisha menduar se do të arrijmë në këto suksese në të cilën jemi sot. Shpresat e mia sot janë forcuar dhe po të vihej në pikëpyetje ndërtimi dhe përparimi i Egjiptit, po të lindte nevoja, do të flijoja dikë nga familja ime, vetën e vetëm që të ecte përpara ky vend dhe ky popull.”
Me sëmundjen e Mehmet Aliut, në vitin 1848, mëkëmbës i Egjiptit u shpall i  biri Ibrahim Pasha. Mehmet Ali Pasha vdiq më 1849, por dinastia e krijuar prej tij vazhdoi të udhëheqë Egjiptin deri në vitin 1952.
Vendasit dhe të huajt sot shohin një Egjipt të konsoliduar, qendër të zhvillimit dhe civilizimit, djep i kulturës arabe dhe islame, por asnjëherë dhe përasnjë çast nuk harrojnë se në themel të gjithë këtij zhvillimi qëndron figura e atij që është cilësuar si “Bonaparti i Botës Arabe”, e projektuesit dhe arkitektit të përparimit të këtij Egjipti modern, shqiptarit Mehmet Ali Pasha.

Në vend të urimit për 8 mars!


Afërdita Dervishi, PhD(C)




Më shumë se të na dhuroni lule e të na sillni dhurata, për 8 mars, kërkojmë të respektohen
të drejtat tona për të cilat luftuam, të cilat i fituam dhe të cilat i meritojmë.


Femra shqiptare, u lind, u rrit, u zhvillua dhe jetoi  në kushte dhe rrethana të veçanta historike dhe shoqërore.  Sot, në ditën e kremtes së 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, më shkon mendja ta pyes Qeverinë dhe Parlamentin tonë:  Çka keni bërë për këto femra të dhunuara gjatë Luftës së UÇK-së (20400 sipas statistikave)?  Çka keni ndërmarrë, që ato të integrohen në jetën dhe të vazhdojnë të jetojnë si ne të tjerët? 

Po bëhen 16 vjet pas Luftës së UÇK-së, sa di unë, nuk është ngritur një padi nga organet përgjegjëse të Republikës së Kosovës kundër Serbisë, kur dihet botërisht se dhunimet janë kategori që përkufizohen me gjenocidin.  Ato gra, nëna, motra, ngado që shkojnë, në çdo minutë e kanë luftën kudo me vete. Ashtu si gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e tyre, që janë shenja të historisë e të lirisë që e gëzojmë ne, të gjallat, edhe femra ishte pjesëmarrëse dhe bartëse e këtyre proceseve të mëdha që ka hapur vetëm lufta për çlirim dhe liri.

Thirrje Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë

Ne, femrat shqiptare nuk kërkojmë asgjë të na falet, përveç respektit dhe vendit që e meritojmë, përveç drejtësisë që të ndriçohen rastet e vrasjeve dhe të marrin dënimin maksimal kryesit e vrasjeve të Diana Kastratit, Zejnepe Bytyçit,, Donjeta Pajazitit, dhe të shumë grave tjera shqiptare.  Gjithashtu bëjmë thirrje te Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë që të  bëjnë ndryshimet e plotësimet e ligjeve për të rritur dënimet dhe për të gjithë dhunuesit që guxojnë të abuzojnë seksualisht me vajzat dhe gratë shqiptare.  Për ata që ecin me dy këmbë dhe kanë sy e vesh, nuk ka asgjë më të rëndë se sa vajza të dhunohet në shtëpinë ku jeton nga ai që do të duhej ta mbronte atë nga të tjerët.  DENIMET TE JENE ME BURGIM TE PERJETSHEM, BURG TE RENDE!

Në këtë ditë,  i rikujtoj burrat shqiptarë se nuk është në traditën e  shqiptarëve që një prind, një burrë, dhe as një politikan të cenojë dinjitetin e femrës shqiptare, pavarësisht koncepteve të saja politike.  Secili që është më i vjetër në moshë, do të duhet të ruajë gjakftohtësinë dhe të dijë të reagojë në përputhje me nderin dhe moralin shqiptar.  Në nderin e shqiptarëve gjithashtu nuk është të nëpërkëmbet emri i familjes as jeta private e familjarëve të politikanëve, prandaj secili që merret me këto në fakt e ul veten e tij/saj.

Lufta e femrës shqiptare dhe liria

Nëna, motra dhe gruaja shqiptare historikisht ishte aty ku e thërriste zëri i atdheut.  Ajo ka dëshmuar se di të punojë, se di të luftojë, si dhe di të krijojë e edukojë familje. Ajo e ka dëshmuar se është e denjë dhe luftëtare si vëllai e babai, si shoku apo bashkëshorti, prandaj, edhe sot në paqe ajo dëshmon se është e zonja ta justifikojë plotësisht besimin e dhënë me punën, angazhimin dhe përkushtimin e saj.  Sot, në vend të urimit e përkujtoj historinë tonë.

Mbretëresha Teutë, pas vdekjes së të shoqit, mbretit Agron, u vu në ballë të shtetit Ilir dhe të ushtrisë se tij.  Nën udhëheqjen e saj u përtëri zhvillimi ekonomik, u përforcua pushteti qendror, u fuqizua ushtria, sidomos flota detare dhe anijet luftarake të saja “Liburnia”, e bënin  ligjin në detin Adriatik. Mbretëresha Teutë, e cila sundoi në vitet 230-228 para epokës së re luajti rol të rëndësishëm historik në bashkimin e konsolidimin politiko- shtetëror, në përparimin ekonomiko-kulturor e në fuqizimin ushtarak të Ilirisë. 
Në Mesjetë, Mamica, motra e kryetrimit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, pas Betejës së Beratit, ku i vritet i shoqi, Muzak Topia, ishte jo vetëm këshilltare e të vëllait, por edhe krahë lufte e krahë i veprimeve diplomatike.  Ajo udhëheqë dhe vendosë për pasurinë e principatës së saj, pas vdekjes së Skënderbeut, nuk largohet nga Shqipëria.   

Shotë Galica, simboli i qëndresës së femrës shqiptare dhe ndër emrat më të lavdishëm të heroinave të kombit tonë, në vend të duvakut dhe nusërisë zgjodhi koburen, në vend të shtrojës zgjodhi malin.  Kjo kishte rëndësi jo vetëm për luftën që po bënte kundër pushtuesit serb, por, edhe për luftën kundër zakoneve që e përulnin femrën shqiptare.  Nusja e maleve, luftoi në Lëvizjen Kaçake për 12 vjet rresht, në mbi 40 aksione të armatosura. Në vitin 1921, Shota bashkë me katër bashkëluftëtarë hyn brenda ne zyrën e eprorit serb dhe e vret me dorë të vet.   “E vrava Azem!  E vrava në emër të nënave që i ka lënë pa djem, në emër të nuseve që i ka lënë pa burra, në emër të motrave që i ka lënë pa vëllezër, në emër të lirisë së Kosovës”, i thotë Azemit.

Gjatë LNÇ  ishin 595 partizane që morën pjesë në luftë. Heroinat si: Margarita Tutulani, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima e shumë të tjera, thyen tabutë e kohës për të mbrojtur familjen, nderin dhe atdheun. Mëtutje, femrat shqiptare, u radhitën në lëvizjen ilegale, në radhët e UÇK-së, jo vetëm për ta fisnikëruar atdhedashurinë, por edhe për ta fituar lirinë e tyre ndaj zakoneve e dokeve që e përulin atë, duke zënë vend në bërthamën e historisë sonë kombëtare.  Ajo luftoi edhe për të fuqizuar vendin që do t’u takonte në shoqëri e në shtetin që do të vinte bashkë me çlirimin. 

Në vend të urimit

Sot, rikujtoj se Presidentja, Atifete Jahjaga, gjatë mandatit të saj, më shumë u mor me deklarata mediatike  dhe nuk qe në gjendje të lë shenja të dukshme në mbrojtjen dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri.  Deputetet e Kuvendit të Kosovës, përmes reformës ligjore dhe politike të iniciojë barazinë mes burrave dhe grave, sepse ky 30%-shi i garantuar me ligj, nuk do të thotë që ne te ‘flejmë‘.  Barazia gjinore nuk është lëmoshë, sepse ashtu siç edhe burrat, edhe ne jemi nga i njëjti brumë: mish, gjak e kockë. Femra jonë nuk kërkon t’i falet asgjë, ajo kërkon, sepse ka të drejtë, t’i lejohet të dëshmojë aftësitë e veta përmes veprimeve dhe angazhimeve, por duke u mbrojtur me ligje pozitive që do të duhej t’i zbatonte shteti. .   
Femra shqiptare, në breza, me ndonjë përjashtim të vogël, e ka ruajtur përkatësinë dhe identitetin kombëtar. Ashtu siç ka punuar dhe vepruar për këtë identitet kombëtar, e madhja e Rilindjes sonë Kombëtare, Elena Gjika, e cila përveç me shkrimet e saj, thuajse të rralla në botën e femrës intelektuale kudo në Evropë, u angazhua konkretisht në përgatitjet për kryengritjet shqiptare të kohës së ndritshme të Rilindjes Kombëtare.  Kjo dhe femra tjera, që ka dhënë kombi ynë, janë tharmi i rritjes dhe krijimit të kombit modern shqiptar.

Në vend të urimit, në këtë ditë kremte të 8 marsit, nënat, gratë dhe motrat tona që jetojnë e punojnë kudo , ftojë që në rend të parë të angazhohen më shumë dhe seriozisht në fuqizimin e tyre intelektual dhe aftësimin profesional, të mbështetën në vlera morale dhe njerëzore për arritjen e synimeve të tyre.  Duke ecur vertikalisht, të zonjat, ballëhapur, i ftoj ato që më shumë ta ngritin zërin e tyre kundër dhunës,  kundër neglizhencës së organeve përkatëse gjyqësore dhe të rendit, që të jenë të barabarta. Të jenë më të fuqishme kundër rasteve të dhunës në familje; të ngritin zërin kundër  diskriminimit gjinor që u bëhet femrave në vendin e punës, ngase nuk zbatohen në praktikë ligje të punës, gjë që, nëse vazhdon një trajtim i këtillë, numri i fëmijëve shqiptarë që do të lindin do të zvogëlohet dukshëm. Poashtu, të ngritin zërin për dënimet e vogla që u shqiptohen atyre që dhunojnë femrën, që i trafikojnë ato, kurse emrat e mbiemrat e tyre të jepen në të gjitha mjetet e informimit publik, në mënyrë që nënat të dinë t’i ruajnë fëmijët prej tyre. I ftoj të ngritin zërin kundër diskriminimit për përfshirjen e femrave në pozitat udhëheqëse dhe në vendimmarrje, dhe në veçanti të  ngritin zërin deri në qiell, për gratë e vajzat e dhunuara, në mënyrë  që shteti të marrë përgjegjësinë për obligimet që ka, duke ngritur fond të veçantë për raste të tilla, edhe duke krijuar lehtësira për punësimin e tyre.

Gratë dhe vajzat shqiptare e kanë merituar respektin e shoqërisë, ato nuk kërkojnë lëmoshë, por respekt për vlerat që përfaqësojnë si gra, si nëna dhe si profesioniste të afta.


Autorja është e burgosur politike dhe profesoreshë universiteti.