30/09/2014

NJË SHEKULL GENOCID ANTISHQIPTAR NDAJ ÇAMËRISË

HYQMET ZANE
30 Shtator 2014

Çamëria është një krahinë që ndodhet në Greqinë Veri-Perëndimore në provincën e Epirit, prefekturë e Thesprotisë. Ajo ka një madhësi përafërsisht 10 mijë km2 dhe me një popullatë rreth 150 mijë banorë. Emri Çamëria vjen nga lumi antik Thyamis, që në ditët e sotme quhet Kallamas. Popullata e Çamërisë quhen çamë, ka qenë shqiptare me të dyja besimet, si kristianortodoks, ashtu edhe muslimanë. Çamët kanë një trashëgimi të pasur kulturore, siç është e shprehur në ligjet e tyre të kostumeve, zakoneve, traditës, të të folurit, këngëve dhe valleve.

Më 1913 Çamëria iu caktua formalisht Greqisë. Më 1923 çamët nuk u përfshinë nga marrëveshja e detyrueshme e shkëmbimit të popullsisë midis Greqisë dhe Turqisë, e nënshkruar në Lozanë të Zvicrës më 1923 dhe u njohën si një minoritet shqiptar etnik. Më 1944 dhjetëra dhe mijëra çamë myslimanë u përjashtuan nga Greqia kundër dëshirës së tyre dhe nga ky shkak u drejtuan si refugjatë të përkohshëm drejt Shqipërisë. Atyre iu mohua në mënyrë konstante e drejta për t’u rikthyer në Çamëri, me gjithë normalizimin e relatave midis Shqipërisë dhe Greqisë më 1987. Ata kanë qenë subjekt i persekutimeve të ashpra nga regjimi komunist shqiptar. Minoriteti çam, përkohësisht i stabilizuar në Shqipëri ose kudo, gjithmonë ka hedhur poshtë çdo formë të dhunës ose intolerancës për të arritur qëllimin e tyre të rikthimit në vatrat e tyre në Greqi dhe të jetojnë në paqe dhe harmoni me popullin grek. Sidoqoftë, kërkesat e tyre të përsëritura për t’u rikthyer dhe për të vizituar shtëpitë e tyre në Greqi, kanë qenë më së shumti të mohuara nga shërbimi konsullor grek.

Më 10 janar 1991 u formua Shoqëria Çamëria pikërisht në ato ditë kur kishte nisur procesi i pakthyeshëm “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe pluralizmi kishte nënshkruar dokumentin e të parës parti politike siç ishte PDSH. Ishin ditë që u vlerësuan nga qindra banorë të komunitetit çam në të gjithë Shqipërinë, në prag të vizitës së kryeministrit grek të asaj kohe Micotaqis. E rëndësishme për Shoqërinë Çamëria ishte kërkesa e trajtimit të çështjes së quajtur “problemi çam” që në atë kohë kishte 46 vjet që rrinte nën kthetrat e harresës vrastare të sistemit diktatorial.

Për kujtesën historike shqiptare, 27 qershori është regjistruar në kalendarin e kombit si dita e genocidit të shovinizmit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Më 27 qershor 1944 forcat e Regjimentit të 16-t të Divizionit të X të EOEA-s në Greqi nën komandën e kolonel Vasil Kamarës të udhëhequra nga Kranjaj me ndihmës Lefter Strugari, avokat Stavropullas, Ballumi, Zato, kriminelët me damkë Pantazejtë, etj., hynë në qytetin e Paramithisë. Në kundërshtim me premtimet e dhëna dhe marrëveshjes së bërë midis Myftiut Hasan Abdullai nga njëra anë dhe Shopera me dhespotin e Paramithisë nga ana tjetër, si agjentë të Zervës, filluan masakrat më të poshtra. Burra, gra dhe fëmijë të pambrojtur qenë objektivi i monarkofashistëve grekë. Numri i të masakruarave në qytetin e Paramithisë dhe rrethe arrin në 600 vetë.

Ishte ky epilogu i një genocidi antishqiptar, që prologun e tij e ka që nga ai prill i 1913, kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër do të vendoste copëtimin territorial dhe spastrimin e popullsisë autoktone shqiptare nga trojet e veta legjitime të njohura historikisht si atdheu i Pirros së Epirit dhe i Dodonës së lashtë, që flisnin tjetër gjuhë nga ajo e grekëve dhe që kishin të tjera tradita e zakone etnokulturore nga ato të grekëve. Shekulli i 20-të do të shënonte edhe atë genocid që do të merrte rrugën e paracaktuar nga Zeusët e Europës plakë ndaj shqiptarëve në Shqipërinë e vërtetë. Ka qenë 23 shkurti 1913, kur bandat e Delianaqit të shtytur dhe të përkrahur nga autoritetet shtetërore të Greqisë, masakroi, pa më të voglën arsye, 72 burra të krahinës së Paramithisë në Përroin e Selanit. Këto masakra qenë fillimi i shfarosjes së minoritetit shqiptar, të cilat zbuluan edhe orientimet që mori politika greke me Megalidenë kundrejt popullatës shqiptare muslimane të Çamërisë. Koska, Lopësi, Varfanji, Karbunari, Kardhiqi, Paramithia, Marglliçi, Arpica, Grikohori, Filati etj., janë ato që e kanë paguar më shtrenjtë këtë terror grek.

Përsëri, pa u ndalur në rrugën e tyre kriminale për shpopullimin e Çamërisë, më 1922-1923, qeveritarët e Greqisë vendosën të impononin shpërnguljen e elementit mysliman të Çamërisë në shkëmbim me grekërit e Azisë së Vogël, duke i konsideruar shqiptarët si turq. Ky akt i turpshëm i qeveritarëve të Athinës u ballafaqua me rezistencën çame dhe, me ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve, që konstatoi nacionalitetin e popullatës së Çamërisë, hodhi poshtë vendimin e qeverisë greke. Por, edhe pse qeveria greke kishte marrë angazhimet solemne në Lozanë të Zvicrës më 16 janar 1923, përsëri politika e shpronësimit të 6 mijë ha tokë të çamërve u bë një politikë e vështirësimit të jetesës në fshatrat Dushk, Gumenicë, Kardhiq, Karbunar etj., duke i populluar ato me grekërit e ardhur nga Azia e Vogël.

Lufta italo-greke u bë një shkak formal për të filluar ai plan spastrimi i territoreve të Çamërisë, kur qindra burra nga e gjithë krahina u internuan (shkuan në iksori siç thuhet nga vetë çamët) si skllevër në ishujt e Hios e Midilinit në kufi me Turqinë, me qëllimin e vetëm të shfarosjes së burrave, në një kohë që në qytetet dhe fshatrat e Çamërisë andartët dhe bandat e armatosura kryen vjedhje, bënë masakrime, çnderuan gra dhe vajza me mendimin se të zotët nuk do të ktheheshin më. Por ja që ndodhi e kundërta.

Por masakra e pas 27 qershorit 1944 do të ishte fatale për një popullatë që u gjend e pambrojtur nga brenda dhe nga Shqipëria. Vazhdonte dhe merrte përmasa genocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga ana e qarqeve më ultrashoviniste greke. Më 28 korrik 1944 forcat e regjimentit 40 nën komandën e Agorës hynë në Pargë ku masakruan 52 burra, gra dhe fëmijë. Dëshmitarë okularë që e kanë jetuar atë kohë si Muharrem Adem Ismaili shprehet se “masakrat e Çamërisë i mori vesh edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë nacionalçlirimtare dhe vetë Enver Hoxha që ato ditë ishte në rrethinat e Përmetit, por nuk dha asnjë urdhër dhe nuk dërgoi asnjë batalion, pale brigadë në Çamëri për të mbrojtur vëllezërit shqiptarë që po shfaroseshin barbarisht nga bandat e Napoleon Zervës. Bile më keq akoma Enver Hoxha dha edhe urdhër që të mbyllej kufiri jugor me Çamërinë në muajin gusht ’44 që popullata çame të mos vinte në Shqipëri, me mendimin që të mos linte vendin e vet. Por kjo ishte një tradhti e lartë se në atë periudhë u bënë edhe masakrimet më të mëdha. Nuk mund ta them me siguri, por mes Enver Hoxhës dhe komunistëve grekë duhet të kishte një marrëveshje, sepse asnjëra palë nuk denoncoi në atë kohë atë që ndodhi me popullin çam. Të mjerët njerëz nuk dinin kujt t’i kërkonin ndihmë”. Në fakt më vonë ngjarjet zbuluan të vërtetat e bashkëpunimit të PKSH me EAM-in që ishte në dijeni të asaj që ndodhi në Çamëri.

Forcat e EOEA-s nën komandën e Theodhori Vitos, Ilia Kaçon, Kristo Mavrudhi, Hrsito Kaço, Harri Dhiamanti etj., pasi rrethuan qytetin e Filatit, më 23 shtator 1944, ditën e shtunë në mëngjes, hynë në qytet. Po në këtë ditë hynë edhe në Spatar. Plaçkitën dhe grabitën të gjitha familjet. Duke u gdhirë 24 shtatori hynë edhe forcat e komanduara nga Kranjaj, Strugari etj., të cilët filluan menjëherë masakrat. Pas 47 të masakruarve burra, gra e fëmijë dhe 157 të masakruar në Spatar, pak ditë më vonë monarkofashistët grekë grumbulluan të gjithë burrat që kishin mbetur dhe me vendimin e gjyqit fallco Koqinja (kryetar), Stavropullas (prokuror) dhe 4 anëtarë dënuam me masakrim 47 burra të tjerë. Në Granicë të Filatit janë mbuluar kufomat e 46 vetëve të vrarë e të therur me thika dhe 45 të tjerë në Fushë të Filatit te ara e Xhelo Metos.

Duhet thënë se Çamëria, në luftën e madhe antifashiste kontribuoi materialisht dhe moralisht. Me qindra të rinj çamër u hodhën në radhët e ELAS-it, kur EAM-i lëshoi kushtrimin e luftës për liri. Me zgjerimin e luftës antifashiste kundër okupatorit gjerman, popullata e Çamërisë u hodh pa rezerva në një luftë totale dhe formoi Batalionin e 4-t të Regjimentit të 15 të ELAS-it. Nga popullata e Çamërisë dolën mbi 500 luftëtarë që luftuan me trimëri e vëndosmëri. Gjaku i Heroit Kombëtar Ali Demi e i dëshmorëve Bido Sejko, Muharrem Myrtezai, Ibrahim Hallumi, Hysen Vejseli e të tjerë u derdh bashkë me atë të partizanëve grekë në Qafat e Qeramicës, dëshmojnë për një fakt historik. Këtë e pasurojnë edhe internimet e shumë çamërve në kampet e përqëndrimit në Itali e Gjermani si Osman Zenel Taka, Hajri Fetahu, Nuri Emin Zane dhe Ramazan Jemin Gora, që gjithsesi asnjëherë nuk u nderuan si veteran dhe nuk u dekoruan për të qenë dëshmi dhe aktakuza ndaj pretendimeve greke.

Më 12 mars 1945 forcat qeveritare greke të garnizonit të Korfuzit, duke shkelur marrëveshjen e Varkizës (shkurt 1945), organizuan dhe kryen pabesisht masakrat e shëmtuara të Vanrës (Filat) që nxorën në shesh politikën antishqiptare dhe genocidin e forcave greke. Qëndrimi në Shqipëri si refugjatë të pas Luftës II Botërore do të ishte edhe më fatal për popullatën shqiptare të Çamërisë. Filloi një genocid i ri i tipit komunist. Dhjetëra e qindra burra u dënuan sapo vinin nga Çamëria me akuzën, se kishin vrarë atje qytetarë grekë. Por asnjëherë shteti shqiptar nuk dënoi ndonjë grek që kishte bërë masakra ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Edhe deklarimi i E.Hoxhës në Konferencën e Paqes në Paris ishte një demagogji e radhës që do të hidhej poshtë me veprat që bëri ndaj një popullate të masakruar e të shpërngulur pa shtëpi e katandi nga ana e shtetit komunist. Burgu i Gjirokastrës është dëshmitari okular i persekutimeve që pësuan shumë çamër vetëm e vetëm se ishin nacionalistë. Aqif Selimi, një i përndjekur politik i regjimit të diktaturës shqiptare që ka bërë 32 vjet në burgjet komuniste, bile ca vjet edhe në Gjirokastër, pohon me dhembje se ka parë me sytë e tij dhe ka përjetuar me një kujtesë fenomenale se si para gjyqeve komuniste të kohës dënoheshin pa më të voglin dyshim bij të Çamërisë vetëm e vetëm se nuk pranonin se ishin vrasës dhe se nuk pranonin të bashkëpunonin me komunistët grekë dhe se ishin nacionalistë. Llagëmet e kalasë së Gjirokastrës janë dëshmitarët e gjallë të atyre persekutimeve dhe veprimeve genocidiste që kishin rënë pa mëshirë mbi burrat dhe djemtë e Çamërisë. Në këtë kala u bë edhe gjyqi ndaj nacionalistit Masar Dino, që u dënua me varje vetëm e vetëm se ai nuk ishtë bashkëpunëtor i komunistëve.

Lufta civile e Greqisë do të ishte një tjetër shkak për genocid mbi çamërit nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës. Mospranimi nga ana e komunitetit çam për të shkuar në Greqi për të luftuar në ndihmë të komunistëve grekë në luftën civile, do të çonte në kënetën e Maliqit dhe në Lozhan të Korçës qindra burra që vdiqën, u mbytën dhe nuk u kthyen kurrë tek familjet e tyre. Ndërsa 1953-shi do të shënonte edhe masakrën antikombëtare, kur shteti i diktaturës komuniste do t’u jepte çamërve shtetësinë shqiptare dhe duke u mohuar atyre shtetësinë greke, kur ata e kishin kombësi shqiptare e shtetësi greke. Konferenca e 17 e Tiranës e vitit 1956 do të shënonte edhe një luftë të re politike ndaj intelektualëve çamë që kundërshtuan kultin e individit të Enver Hoxhës, duke bërë që dhjetëra prej tyre të çoheshin në burgjet famëkeqe ose të përfundonin në vetëvrasje siç do ta personin edhe Veip Demi dhe Taho Sejko, dy personalitete me emër në jetën politike dhe shoqërore të kohës.

Kulmi do të shënohej më 1960 kur sigurimi i shtetit me orientimin e Enver Hoxhës do të shpikte një grup të ashtuquajtur armiqësor, ku drejtues do të ishin figurat e njohura : kundëradmirali Teme Sejko në bashkëpunim me Tahir Demin, Taho Sejko, Shaban Ademin, Osman Eminin, Adem Kalon e të tjerë që u pushkatuan e burgosën, sa shumë prej tyre nuk u dihen as varret. Genocidi antiçam do të thellohej edhe me një opinion masovik të përhapur nga organet e sigurimit të shtetit, duke mbjellë urrejtjen krahinore në mes të shqiptarëve, që deri në atë kohë kishin marrëdhënie shumë miqësore me familjet që bashkëjetonin në harmoni dhe pa probleme. Kjo situatë dhe atmosferë persekutimi, sa çamët konsideroheshin si qytetarë të dorës së tretë në shoqërinë shqiptare, do të vazhdonte deri më 1991, kur erdhi era e pluralizmit dhe fitoi demokracia.

Ka qenë kjo periudha, kur u krijua edhe Shoqëria Politike Atdhetare Çamëria që mendohej se do të mundësonte zgjidhjen e problemit çam në bashkëpunim me qeverinë demokratike. Puna e nisur mirë dhe me qëndrime dypalëshe nga qeveria demokratike e PD, do të sabotohej pas 1997-ës, kur në fuqi do të vinte qeveria socialiste e njohur për lidhjet e saj dhe bashkëpunëtorëve të saj me qarqet qeveritare greke. Zgjidhja e problemit çam po kthehej në një çështje që përdorej për të frikësuar shqiptarët emigrantë në Greqi dhe qeveritë e njëpasnjëshme greke do të fokusonin çështjen çame si gogoli i Ballkanit. Mosaprovimi nga ana e socialistëve i rezolutës për Çamërinë në mars-prill 2004 vulosi edhe karakterin antishqiptar dhe antiçam të qeveritarëve socialistë që kanë nënshkruar në këtë mënyrë edhe tradhtinë e radhës për një çështje që tashmë ka 70 vjet që vuan pasojat e genocideve të një shekulli të tërë. Duam apo nuk duam ne çështja çame është edhe një çështje që kërkon edhe angazhimin e sinqertë dhe me përgjegjësi të qeverisë dhe shtetit shqiptar, ashtu si edhe të institucioneve ndërkombëtare. Por një gjë e tillë nuk mund të ndodhë kur parlamenti shqiptar është i sunduar nga qarqet greke dhe që dikton përmes pinjollëve të saj dhe që urdhërohen nga greko-amerikani Nikolas Gage.

Ky është realiteti i një Çamërie që mban emrin shqiptar, bijtë e së cilës kanë luftuar për atdheun e tyre dhe flamurin kuq e zi, por që si shpërblim morën genocidin e një shekulli të tërë dhe sot e kësaj dite enden si refugjatët e vetëm në botë, të pakthyer në trojet tyre stërgjyshore.

Dhjetëra konventa ndërkombëtare që janë nënshkruar edhe nga Greqia për mbrojtjen e të drejtave të njeriut apo për detyrimet që ka një shtet anëtar i OKB dhe BE për të zbatuar, mbeten të parespektuara nga vetë shteti grek dhe një dëshmi se genocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë do të vazhdojë sa t’u dojë qejfi atyre që kanë mbetur të përkëdhelurit e Europës, edhe pse çdo ditë shkelin të drejtat legjitime të shqiptarëve dhe veçanërisht të popullatës çame të shpërngulur me zjarr e me hekur nga vendi i tyre legjitim.

Por i veçantë dhe pa ndonjë ndryshim të madh është edhe qëndrimi i njëpasnjëshëm i qeverive shqiptare të majta dhe të djathta për zgjidhjen e çështjes çame. Vetën se është krijuar një Shoqatë me emrin “Çamëri” dhe nga qeveria demokratike është nënshkruar një marëveshje me palën greke edhe për çështjen çame në vitin 1996, por që mbeti në letër se asnjëherë pala greke nuk e mori seriozisht këtë marrëveshje, ndërkohë që ende edhe sot e kësaj dite mbahet në fuqi Ligji i Luftës i Greqisë ndaj Shqipërisë. Dhe si të mos mjaftojnë këto, heshtjet e herëpashershme të zyrtarëve shqiptarë ndaj çështjes çame, në takimet bilaterale, janë një tjetër fakt që flet për nënvleftësim të një çshtjeje mbarëkombëtare dhe një futje të problemit në “kalendat greke”. Vetëm në një rast në vitin 2002 në dhjetor, në Parlamentin shqiptar nga ana e ish ministrit të kohës, Ilir Meta që ishte edhe zvendëskryeministër, u mbajt një qëndrim zyrtar për problemin e pazgjidhur të pas Luftës II Botërore. Por vetëm kaq dhe çdo gjë i ka mbetur spontanitetit ose heshtjes dhe në programet e partive politike mungon tërësisht trajtimi i këtij problemi shqiptar. Vetëm Presidenti Alfred Moisiu guxoi të priste homologun e tij grek Karolos Papulias në Sarandë në një kohë që zhvillohej një protestë paqësore para turizmit të Sarandës, pronë e një biznesmeni çam në atë kohë që bëri edhe anullimin e vizitës së grekut Papulias. Po ashtu ky President Shqiptar ka pasur rastin edhe të dekorojë pjestarë të komunitetit çam si në Elbasan, Nuri Emin Zane nga Filati i Çamërisë që ka edhe djalin e tij në Elbasan, si dhe një pjestar tjetër të këtij komuniteti në Vlorë, Hajri Fetahu, çka flet për qëndrim zyrtar të presidentit kur është shprehur “Është një respekt, jo thjesht i imi personal, por një respekt i gjithë popullit shqiptar për ata që kanë kontribuar në luftën kundër pushtuesve të huaj. Kjo tregon se edhe popullsia çame, si gjithë popullsia tjetër shqiptare, ka luftuar dhe është ndeshur fyt për fyt me pushtuesit e huaj, sepse ne shqiptarët, asnjëherë nuk e kemi duruar zgjedhën. Kudo ku kemi qenë, kemi treguar aftësitë dhe dëshirat tona liridashëse për të luftuar pushtuesin e huaj. Edhe çamët kanë marrë pjesë në formacionet partizane, si në ato greke, edhe në ato shqiptare për të luftuar pushtuesin e huaj. Dhe kjo është një meritë që e njeh historia dhe askush nuk mund ta mohojë. Edhe një herë unë ju përgëzoj”. Ndërkohë që në tekstin e dekorimit shkruhet “Në shenjë vlerësimi të lartë dhe respekti të përhershëm për kontributin e dhënë në luftë kundër pushtuesve nazifashsitë, në Krahinën e Çamërisë, dhe për rezistencën e vuajtjet, si i internuar në kampin e përqendrimit të Dakaos”.

Por a mjaftojnë këto për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve të Çamërisë ? Jo dhe vetëm jo. Bile ka edhe një nënvleftësim për komunitetin çam nga politika.

Vetëm përfaqësimi i sotëm me 5 deputetë përmes PDIU si dhe disa qëndrime pozitive të diplomacisë dhe qeverisë shqiptare në këto kohët e fundit, kanë krijuar një sinoptikë tjetër më të qartë në ecurinë për zgjidhjen e çështjes çame.

Gjithsesi, çdo tentativë në shërbim të çështjes çame nga qeveria hapur ose fshehtas, bie ndesh me politikën e qarqeve greke që fusin hundët në politikën shqiptare dhe që në forma të ndryshme realizohet edhe përmes shumë makinacioneve që mund të thuhet se janë antishqiptare. Ndoshta pas përfundimit të Pavarësisë së Kosovës, me ndihmën e Bashkimit Europian dhe asaj të SHBA do të marrë një zgjidhje edhe çështja çame.

23/09/2014

MESHA E PAPËS NË TIRANË, FEJA DHE SHQIPTARËT

Xhevat Bislimi

21 Shtator 2014

E ndoqa me vëmendje të shtuar meshën e Papës në Tiranë... Dhe, u (ri)binda sa të kota janë fetë-religjionet... Ardhja e Papës, por edhe mesha e tij në Tiranë, sikur i gjithë manifestimi për këtë ardhje, përshkoheshin nga një propagandë bajate kundër Enver Hoxhës dhe ideologjisë komuniste... Një "gazetare" naive e Ora News, e përfshirë nga "ekstaza", që prodhonte fjalimi i Papës, tha se "ky ishte manifestimi më i bukur kundër komunizmit"!! A thua se "komunizmi" po e sundon dhe poshtëron Republikën e Shqipërisë?! A thua komunizmi e kishte lënë Shqipërinë të copëtuar dhe në errësirë dhe prapambeturi mesjetare deri në vitin 1945?! Ku ishte Papa dhe Vatikani gjatë shekujve që njëherë nuk e thanë një fjalë të mirë për popullin më të lashtë në Evropë, por e kishin lënë në mëshirën e perandorëve bizantinë, pastaj të sulltanëve dhe të pushtuesëve fqinjë?!!

Edhe fjalimi i Papës u përshkua nga kjo frymë "antikomuniste"...!! Ai vajtoi katolikët,ortodoksët dhe myslimanët që paskanë dhënë edhe jetën e tyre për fenë, që qenkanë "martirizuar" për besnikërinë e tyre ndaj fesë... Pallavra...! Ka patur ndonjë të tillë që i veshur me rrobën fetare, komuniste, balliste, zogiste... i shërbente interesave dhe agjenturave të huaja...!! Si nuk e tha një fjalë të vetme a një lutje ky Papa për ata qindra e mijëra shqiptarë që u flijuan, u vranë, u masakruan dhe u dëbuan nga shtëpitë dhe atdheu i tyre, pse u përpoqën dhe luftuan me përkushtim për Shqipërinë e tyre, për popullin dhe tokën e tyre, që ishte pushtuar dhe grabitej nga pushtuesit...?! Si nuk e tha një fjalë a një lutje për qindra e mijëra shqiptarë, femijë, gra e pleq që u vranë, u masakruan dhe u dëbuan hiç më larg se para 15 vitesh nga Serbia fashiste?! 

Apo, sepse këta nuk ishin përpjekur, nuk ishin vrarë e dëbuar për FE, por për ATDHE?!! Ishte për t'u "habitur", që Papa (nëse e kam dëgjuar çdo fjalë të Tij...) nuk e përmendi as Heroin tonë Kombëtar, mbrojtësin e Shqipërisë dhe të qytetërimit evropian për një çerek shekulli!! Apo pse nuk kishte luftuar me flamurin e Kishës e të Vatikanit, por me Flamurin me Shqiponjën dy krenare...?!! 

Nëse Papa dhe servilët e hipokritet e tij në Tiranë kanë harruar, populli ynë nuk i ka harruar vrasjet, helmimet, torturat, ndjekjet dhe gjenocidin që është bërë ndaj shqiptarëve edhe në emer të fesë katolike, ortodokse e myslimane... Nuk është harruar gjenocidi, vrasjet, ndjekjet dhe asimilimi me dhunë e terror i shqiptarëve, që "Greqia", bashkë me Kishën, bënte në emër të Zotit e të Krishtit...!! Nuk është harruar as ndjekja, masakrat, terrori dhe gjenocidi që sulltanët e Turqisë për pesë shekuj bënin në emër të Zotit e të Muhametit ndaj shqiptarëve që mbi të gjitha kishin Shqipërinë...!! Nuk janë harruar as ndjekjet, torturat, vrasjet, masakrat dhe gjenocidi që bënte dikur Venediku e më vonë Italia në emër dhe me përkrahjen e Kishës katolike ndaj shqiptarëve...!! Madje, edhe fashizmi italian, që vrau e masakroi qindra e mijëra shqiptarë, kishte edhe "bekimin" e Vatikanit...!! Prandaj, nëse përmenden dhe vajtohen një grusht "martirësh" të persekutuar apo të ekzekutuar (jo gjithmonë për bindjet e tyre fetare...) do të duhej të përmendeshin dhe të "vajtoheshin" edhe njëqind apo njëmijë fishi i shqiptarëve të vrarë në emër të Zoti e të fesë...!! Këtu nuk po përmend persekutimet, torturat, masakrat..., që ka bërë vetë Kisha katolike (Kisha-shtet...) me gjykatatë e saj...!! Kujtojeni vetem Natën e Shën Bartolomeut në Francë...!! 

Shqiptarët, si populli më i vjetër dhe më i qyteteruar i Evropës, gjatë gjithë
historisë (ekzistencës së tyre...) kanë dëshmuar se para çdo feje, para çdo ideologjie apo interesi tjetër kanë patur Shqipërinë-Atdheun... Kur kishin shqiptarët Zotin e tyre-ZEUSIN ose besimin e tyre në DIELL, popujt ose etnitë tjera nuk dinin ç'është besimi ose feja... Kotësia e fesë dhe shterpësia e saj u pa edhe sot në Tiranë... Asgjë të shenjtë, asgjë të jashtëzakonshme nuk pamë, perveç ca ritualëve monotone, ca përrallave dhe një propagande bajate...! Të vjen keqë për një pjesë të njerëzve që nuk e shfrytëzojnë lirinë, pavarësinë dhe fuqinë që u ka dhënë Zoti-Natyra, por vazhdojnë të mbeten të lidhur me zingjiret e fesë (kishës, xhamisë...)... Vazhdojnë të mbeten nën pushtetin e parazitëve, shfrytëzuesve dhe matrapazve më të mëdhenj të njerëzimit, KLERIT, të të gjitha feve... C'është e vërteta religjionet gjithmonë kanë qenë në shërbim të pushtetëve dhe të shtetëve dhe në anën e shtypësve të lirive dhe të drejtave të njeriut... Kisha, xhamia... dhe kleri i tyre vetem ZOTIT nuk i ka shërbyer dhe nuk i shërben...! Prandaj, njerëzimi, me përjashtim të ca të mjerëve dhe të pushtetarëve, që shtypin dhe shfrytëzojnë popullin e tyre me ndihmen e fesë, po largohet dhe po çlirohet gjithnjë e më shumë dhe më hapur nga pushteti i padrejtë i religjionëve... Feja është përdorur dhe vazhdon të përdorët për përçarjën e popujve e jo për unifikimin dhe mirëkuptimin e tyre... 

Po vjen një kohë që feja ose duhet t'i shërbej Zotit ose duhet të ec...! E vërteta është se fetë janë shpikje e njeriut (si puna e ideologjive dhe partive...) dhe jo e Zotit... Zoti nuk ka fe (është Zot për të gjithë njerëzit dhe për mbarë universin) dhe nuk ka nevojë për fe e për klerin parazitë e mashtrues të njerëzimit... Zoti nuk ka nevojë për ndërmjetës midis Tij dhe njeriut ose botës...

E lash për fund fjalimin e Imzot Rrok Mirditës... Ishte më i matur, më i balancuar, më përmbajtësor dhe me këmbë në tokën shqiptare... Madje, shumë më i mirë se disa politikanë, gazetarë e publicist hipokritë e servilë...

P.S. Kjo « kritikë » nuk ka për qëllim të mohojë rëndësinë e madhe që ka kjo vizitë në këtë kohë për Republikën e Shqipërisë dhe për shqiptarët, mbarë Shqipërinë…

12/09/2014

XHEMIJETI I RI


BLERIM LATIFI
8 Shtator 2014 


Rrënjët e islamit politik në Kosovë nuk shtrihen vetëm në vahabizmin e importuar arab, por edhe në tavolinën e punës së kryeministrit të dikurshëm serb Nikolla Pashiq.

Në analizat e shumta që sot bëhen mbi origjinën e radikalizmit islamik në Kosovë, rëndom theksohet ideja se kjo origjinë lidhet me vitet e pasluftës kur në Kosovë vërshuan kushedi sa organizata arabe, të cilat, së bashku me ndihmat për një shoqëri të shkatërruar, sollën edhe ideologjitë e tyre, format dhe interpretimet radikale të islamit, të cilat më pas u përhapën përmes klerikëve të shkolluar në botën arabe. Kjo tezë është gjithsesi e saktë, por nuk shpjegon në tërësi problemin e islamit politik në Kosovë. Ekziston një burim tjetër prej nga e gjen frymëzimin ky lloj islami dhe ky burim lidhet me vetë historinë e Kosovës, të gjysmës së parë të shekullit të kaluar.

Që të kuptojmë këtë, është e nevojshme pak histori.

Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, Kosova u ripushtua nga Serbia. Ideologët kosovarë të lëvizjes nacionale shqiptare të mbetur në Shqipëri, e të mbledhur në Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës, vendosën të nisin një kryengritje të madhe për çlirimin e Kosovës. Në krye të saj u vendos Azem Bejta dhe zona ku duhej nisur kryengritja u vendos të jetë Drenica. Me të ardhur pranvera, krejt ky plan u vu në veprim. Diku rreth 10 mijë luftëtarë u përfshinë në kryengritjen, e cila për shkak të strategjive të dobëta dhe armatimit të keq shpejt u shua nga ushtria serbe. Kryengritja u shua, por prapa mbeti një fakt tronditës për qeverinë serbe: pakënaqësia e shqiptarëve ishte masive dhe në kushtet kur shteti serb i dalë nga lufta ishte pothuajse i rrënuar, një organizim më i mirë i kësaj pakënaqësie do të rrezikonte seriozisht humbjen e Kosovës.

Si duhej vepruar në këtë rast? Si mund të zbutej nacionalizmi shqiptar në Kosovë me metoda të tjera më pak të kushtueshme? Këto pyetje morën shpejt përgjigje duke u nisur nga parimi se kur nuk kryen punë forca - kryen ideologjia. Në këtë drejtim mënyra më e mirë për të zbehur nacionalizmin shqiptar në Kosovë ishte që të investohej në komponentin fetar të identitetit të popullatës shqiptare në Kosovë, në kuptimin që shteti të krijonte më shumë hapësirë legale dhe politike për afirmimin e këtij komponenti. Vetëm pak muaj pas kryengritjes së Drenicës, kjo ide mori formë konkrete. Në Shkup u formua partia e parë politike e shqiptarëve në Jugosllavi e ashtuquajtura Xhemijeti, e cila u regjistrua si “Shoqata islamike për Mbrojtje dhe Drejtësi”. Që në emër ne e kuptojmë orientimin e saj ideologjik, që është një orientim turko-islamik, qëllimi themelor i të cilit është të afirmojë dhe mbrojë të drejtat e myslimanëve shqiptarë në Kosovë. Mes tjerash, njëra prej pikave programore të Xhemijetit ishte arritja e të drejtës që në popullatën shqiptare në Kosovë të përdorej sheriati në fushën e të drejtës civile, që do të thotë në fushën e marrëdhënieve pronësore dhe familjes. Vetëm realizimi i kësaj pike programore do të mjaftonte që komponenti fetar i identitetit të shqiptarëve në Kosovë të fitonte epërsi mbi komponentin nacional. Xhemijeti mori pjesë në zgjedhjet serbe, fitoi disa ulëse në parlament dhe hyri në koalicion me partinë radikale të Pashiqit, i cili si duket është inspiruesi dhe ideatori fillestar i islamit politik të Xhemijetit. Kur lideri i Xhemijetit, Nexhip Draga u sëmur rëndë, vetë Pashiqi u përkujdes për dërgimin e tij në spitalet e Vjenës. Pas vdekjes së tij, postin e liderit të Xhemijetit e zuri vëllai i tij, Ferhat Draga. Me vrasjen e Azem Bejtës, dhe rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet, në Shqipëri, ndërruan edhe rrethanat. Në Kosovë kishte marrë fund çdo vatër e rezistencës serioze dhe në Tiranë tanimë ishte në pushtet një antikosovar dhe për rrjedhojë nevoja e qeverisë serbe për Xhemijetin nuk ishte më emergjente. Në këtë kontekst, kjo qeveri nisi persekutimin e shumë eksponentëve të saj me dënime me burg dhe forma të tjera të ndjekjes në mënyrë që ata të shuanin edhe shkëndijën më të vogël të nacionalizmit që mund të shfaqej në strukturat e Xhemijetit.

Sot, në kushtet e fillimeve të shekullit XXI, kur feja në rrafsh global është rikthyer fuqishëm në çështjet e politikës dhe identitetit të shoqërive, islami politik në Kosovë ka të njëjtin funksion që e kishte në vitet ’20 të shekullit të kaluar, të fuqizojë komponentin fetar të shqiptarëve të Kosovës, në dëm të atij nacional dhe sikurse atëherë, interesin më të madh në këtë drejtim e ka Serbia, ngase përmes kësaj, në plan afatgjatë, ajo rifiton pozicionin e ëndërruar për të qenë vendi, kufijtë e të cilit janë edhe kufijtë e Europës. Kësisoj klerikët e sotëm kosovarë që kërkojnë futjen e sheriatit në të drejtën civile, futjen e dogmave fetare në sistemin e arsimit publik të Kosovës, partitë me orientim ideologjik islamik si Partia e Drejtësisë dhe Lëvizja Bashkohu, që për koincidencë kanë në emrat e tyre vetë emrin e Xhemijetit, janë në thelb ringjallje e këtij të fundit. Ato janë Xhemijeti i Ri. Të tillë si Fuad Ramiqi e Shefqet Krasniqi janë pasardhës besnikë të Nexhip e Ferhat Dragës. Ramiqi e Krasniqi nuk mund të ulen më në ulëset e Parlamentit në Beograd, ngase Kosova është shtet i pavarur nga Serbia, por punën në terren e bëjnë njëjtë si dikur Xhemijeti, të përhapin sheriatin dhe t’i bindin shqiptarët se simbolet e nacionalizmit shqiptar, si ai i Skënderbeut, duhen braktisur. Dhe duhet pranuar se nuk janë pa gjë përpjekjet e tyre. Sot sheriati është duke prekur normat e të drejtës zakonore shqiptare dhe këtë më së miri e shohim në ndërmjetësimin e konflikteve civile. Nëse dikur ndërmjetësuesit në këto konflikte ishin profesorët, të shkolluarit ( kujtojmë pajtimin e madh të gjaqeve) sot këtë rol e kanë marrë hoxhallarët salafistë. Vendin e fushave dhe odave të pajtimit e kanë zënë xhamitë ku derdhen paratë e dyshimta arabe. Në këto kushte Anton Çeta do të kishte dështuar krejtësisht po të donte të pajtonte dikë, aq më tepër se në gjuhën e Xhemijetit të Ri, ai do të ishte vetëm një profesor katolik.

PO BIE NDONJË VDEKJE E PO SHIHEMI



Xhevat Bislimi
9 Shtator 2014

Kështu thotë një fjalë e urtë e popullit tonë. Disa rryma, grupe e qarqe kundërshqiptare në Republikën e Kosovës dhe në mbarë Shqipërinë (hapësirën shqiptare…) ka kohë që janë parë e po shihen, duke i shpalosur qëndrimet, qëllimet dhe angazhimet e tyre të pastërta kundërKosovë dhe kundërshqiptare. Vetëm institucionet e Republikës nuk kanë parë e nuk kanë dëgjuar gjë…!! Veprimtarinë e tyre ato me mjeshtëri e veshin herë me kostum fetar, herë me kostum partiak, herë me kostum ideologjik, krahinor, etj. Mirëpo, "trupi" i veshur me këto kostume është gjithmonë i njëjti: kundërshqiptar! 

Djegia e "flamurit" të ISIS-it nxori për fushe edhe njëherë ata që në një mënyrë a në një tjetër kanë marrë "koparin" e këtyre grupeve ekstremiste, që kanë mprehur shpatën dhe në emër të fesë, të profetit e të Zotit po presin kokat e njëri-tjetrit, duke i shndërruar Sirinë dhe Irakun në pellgje gjaku...! Ata që po e paguajnë më shtrenjtë se kushdo tjetër janë pikërisht arabët myslimanë të ndarë e të përçarë ne sekte e grupe të ndryshme të të njëjtës fe!! Kjo vëllavrasje dhe kjo gjakderdhje që po bëhet nga këto grupe dhe organizata të ndryshme, në emër të Zotit e të fesë, veç për të mirën e popullit arab-mysliman nuk është. Thirrjet në Zot e në fe janë vetëm sa për t'i fshehur qëllimet antiarabe dhe antimyslimane! Bota arabe dhe myslimane ka hyrë në një krizë të thellë ekonomike, politike, morale, fetare, kombëtare, njerëzore, kulturore... Nga kjo krizë nuk mund ta nxjerrin kurrë ata që valvitin "flamurin" e Zotit, të fesë-religjionit e të profetit... Madje, ata po ndihmojnë në thellimin e kësaj krize, shkaktarë të të cilës deri diku edhe janë, dhe të kësaj tragjedie arabe e myslimane, duke u shërbyer atyre që ia kanë me hile botës arabe dhe qytetërimit të saj... 

Pjesë e kësaj tragjedie janë bërë edhe disa individë e grupe nga vende të ndryshme të botës. Midis tyre edhe disa shqiptarë(!!), të cilët janë angazhuar edhe drejtëperdrejtë në ato konflikte dhe po kontribuojnë në tragjedinë arabe-myslimane... Pastaj, ka edhe disa grupe dhe qarqe në Republikën tonë që po bëhen herë dyshek dhe herë jorgan i kësaj ideologjie dhe veprimtarie ekstremiste, që te ne është mbi të gjitha antishqiptare... Secilit njeri normal i vjen keq për tragjedinë e botës arabe, por më së paku ne shqiptarëve na takon të bëhemi pjesë e asaj tragjedie dhe të deklarohemi "për" e "kundër" një grupi, organizate apo qeverie në Arabi. Kriza-tragjedia arabe më së paku i ka rrënjët në fe e në Zot... Me emrin e Zotit dhe të fesë në gojë veç sa po ujiten rrënjët e asaj krize-tragjedie. Në fund të fundit shqiptarët, edhe po të donin, nuk kanë "takat" as me e ndezë më shumë atë "zjarr" dhe as me e shu... Këta individë dhe këto grupe që po rrahin gjoks ose po deklarohen e po angazhohen në ato konflikte munden dhe po e dëmtojnë vetëm "imazhin" e kombit tonë para botës në një kohë jo fort të mirë për kombin shqiptar dhe për Shqipërinë në Iliri-Ballkan. Ky edhe është qëllimi afatshkurtër dhe afatgjatë i këtyre grupeve, partive dhe në masë të madhe edhe i BIK-ut të uzurpuar nga Naim Tërnava e të papenguar nga shteti i Hashimit. 

Konfliktet dhe luftërat në emër të fesë (të kryqit...), të profetit dhe të Zotit i kanë përjetuar dhe kaluar edhe të krishterët-evropianët... Ishte kisha, ajo që mobilizonte dikur princër e mbretër në konflikte dhe luftëra anekënd botës duke tundur "flamurin" e Zotit, të fesë dhe të profetit (Krishtit). Në fakt, pas atyre "simboleve" fshiheshin interesat materiale të kësaj bote: të kishës, të feudalëve, të princërve, të mbretërve... Ata që paguanin me gjakun dhe jetën e tyre ishin shtresat më të varfëra të popujve të Evropës. Ky mësim i luftrave në emër të kryqit dhe të Zotit, do të duhej t'u shërbente popujve arabë dhe "udhëheqësve"-elitave të tyre politike, kulturore... 

Djegia e « flamurit » të ISIS-it në Prishtinë 

Partia Demokratike e Kosovës, e uzurpuar nga Hashim Thaci dhe grupi i tij, paska organizaur një grup të rinjsh për djegien e "flamurit" të ISIS-it në Prishtinë! Kjo parti, e gjendur nën trysninë e fajsisë së "partneritetit" me këto grupe, organizata e parti, që janë "logjistika" e ISIS-it në Kosovë, mendoi të "çlirohej" nga kjo peshë e fajsise (t’i lante duart…) duke djegur "flamurin" e ISIS-it! Kjo djegie publike ngjalli reagimet e atyre që tashmë janë identifikuar me atë ideologji ekstremiste dhe me veprimtarinë e atyre grupeve-organizatave kundërshqiptare. Ishte PD-ja e Ferid Aganit, pastaj BIK-u i Naim Tërnavës dhe individë të caktuar që reaguan dhe dënuan djegien e "flamurit"...! Vërtet "lojë" e ulët dhe e rrezikshme e Hashim Thacit dhe e partisë së tij...! Nga njëra anë, PDK-ja, ka marrë në gjirin e saj përfaqësuesit-simbolet tipike të këtyre rrymave ekstremiste antishqiptare (“mjekrrën” dhe “shaminë” "arabe"...), ndërsa nga ana tjetër djeg "flamurin" e tyre!! Me këtë veprim të shëmtuar dhe krejtësisht të panevojshëm në Prishtinë, PDK-ja e Hashimit, i "detyroi" disa shqiptarë të pozicionohen "për" dhe "kundër" një "flamuri" dhe një organizate që s'ka të bëjë fare me Republikën e Kosovës, me traditën, kulturën, besimin dhe me kombin shqiptar! Ky pozicionim i disa inividëve, grupeve, partive dhe i Bashkësisë Islame të Kosovës, që janë mish i huaj në trupin shqiptar, (ri)dëshmoi edhe njëherë mjerimin e politikës dhe të institucioneve të Republikës sonë. Imagjinojeni ku ka shkuar puna (për fajin e këtyre politikave të mbrapshta "ndërkombëtare" e vendore në Kosovë...): shqiptarët të përçahen për hesap të ISIS-it, të "flamurit" dhe të ideologjisë së tij...!! Në atë "flamur", arsyetojnë këta që janë "kunder" djegies dhe për ISIS-in, është shkruar emri i ZOTIT (allahut) dhe i profetit!! Punë e madhe! Arsyetim i bukur për ata që kështu duan t'i arsyetojnë dhe mbulojnë qëllimet e tyre thjeshtë antishqiptare... Zoti (Allahu në arabisht...) nuk ka nevojë dhe nuk ka pasur kurrë për "flamurin" e njerëzve... Nuk ka flamur në botë, qoftë edhe ai që tundet-valvitet në emër të Zotit “mysliman” a të “krishter”, që mund t'i mbulojë dhe arsyetojë krimet-vrasjet, masakrat dhe terrorin ndaj njerëzve... Askush nuk ka të drejtë ta shpallë veten përfaqësues të Zotit në tokë. Njeriu nuk ka nevojë për ndërmjetësim midis tij dhe Zotit. Njeriu ose është i lidhur drejtëpërdrejt me Zotin ose nuk është fare i lidhur… Askush nuk ka të drejtë të marre jetë në emër të Zoti dhe të çfarëdo ideologjie apo interesi tjetër... Mbi të gjitha, shqiptarët, që janë populli dhe qytetërimi më i lashtë në Evropë dhe në botë nuk duhet të përfshihen dhe as të mbajnë ane në konflikte dhe luftëra si këto në botën arabe... Nëse kanë mundësi me u përfshi dhe me ndiku do të duhej të përfshiheshin dhe të ndikonin në shuarjen e atyre konflikteve të përgjakshme ndërarabe..