19/08/2014

TË MOS FAJSOHET MJEKRRA PËR VEPRIMET E KEQIJA TË NJERËZVE QË FSHEHIN FYTYREN PAS SAJ


Xhevat BISLIMI



Këto vitet e fundit MJEKRRA është bërë gati sinonim i të keqës, i ekstremizmit, i terrorizmit, i vrasësve... Mjekrra në të gjitha epokat dhe shoqëritë njerëzore, në të gjitha civilizimet dhe kulturat është mbajtur... Edhe egjiptianët e lashtë, edhe persianët, edhe pellazgët (që vazhdojnë pa të drejtë t'i quajnë "grekër"), edhe popujt tjerë deri në ditët e sotme e mbajnë mjekrrën për "qëllime" të ndryshme... Mjekrrën e kanë mbajtur dhe e mbajnë edhe të krishterët (sidomos kleri ortodoks...)... Ka që e kanë mbajtur mjekrrën për arsye fetare, dikush pse ishte me bindje marksitë dhe donte ta imitonte Marksin, të tjerë pse ishin çetnikë-nacionalistë serbë (dalloheshin me mjekërr...)... Kishte edhe shume filozofë-dijetarë që e mbanin dhe e mbajnë mjekrrën... Mjekërr mbante edhe Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skenderbeu, pastaj Plaku i Urtë, Ismail Qemali, Avdyl Frashëri, poeti dhe atdhetari ynë i njohur, Jeronim De Rada, intelektuali i shquar i ditëve tona, Rexhep Qosja... Mjekërr ka mbajtur edhe Ali Pashë Tepelena... Por e mbanin dhe e mbajnë edhe të rinjtë për pikën e qejfit ose për të "dëshmuar" burrërin e tyre... Mjekrrën e ka mbajtur edhe Komandanti ynë Legjendar, Adem JASHARI dhe shumë luftëtarë të UCK-së... Në kohë dhe vende të ndryshme ka njerëz e grupe njerëzish me mjekrra që kanë bërë krime të tmerrshme ndaj njerëzve, edhe ndaj nesh, shqiptarëve; Ishin të tillë çetnikët, pastaj kleri me mjekrra i Kishës serbe, që u bënë frymëzuesit e krimëve dhe të gjenocidit... Por, kishte edhe shtetarë e grupe njerëzish (formacione ushtarake, policore...) pa mjekrra (të rruar e të veshur me kostum e kollare ose me uniforma ushtarako-policore...) që kanë bërë po ashtu krime dhe gjenocid të pashembullt (Hitleri, Milosheviçi...). Krimineli, me mjekërr e pa mjekërr dhe pavarësisht profesionit ose grupit shoqëror... është kriminel. Vrasësi-krimineli pavarësisht arsyes për të cilën e bënë krimin (në emër të ideologjisë, kombit, shtetit, grupit, partisë, religjionit, në emër të Zotit (kuranit, biblës...)..., nuk mund të ketë emër tjetër, veç emrit KRIMINEL... Pra të gjithë vrasësit-kriminelët kanë një emër të përbashkët, emrin e shëmtuar dhe të papranueshëm për njeriun dhe për Zotin, emrin VRASËS-KRIMINEL... Prandaj, të mos e fajsojmë MJEKRRËN-LESHIN, por atë që bënë krimin ose veprimtari kriminale, të dëmshme për njeriun dhe jetën e tij...

01/08/2014

Deklaratat pa prova dhe pa dëshmitarë janë etiketime propagandistike!




Bardhyl Mahmuti
31 Korrik 2014

Konferenca për shtyp e ambasadorit amerikan Clint Williamsonit, kryeprokuror i Forcës Hetimore Speciale të ngarkuar nga Bashkimi Evropian për ta hetuar vërtetësinë e Raportit të senatorit zviceran në Këshillin e Evropës, Dick Martyt, imponon t’i rikujtojmë disa fakte:

Pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ish-prokurorja e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte, publikoi librin me kujtimet e veta lidhur me veprimtarinë e saj në kuadër të kësaj gjykate. Nga tërë materialin që përmban libri i Carla Del Pontes, i titulluar “Gjahu: unë dhe kriminelët e luftës”, qarqe të caktuara politike dhe mediatike veçuan dyshimet për pretendimet se gjoja “pjesëtarë të UÇK-së kishin ushtruar trafikimin e organeve të të burgosurve serbë”.

Askush nuk e përmendi faktin se edhe vetë Carla Del Ponte kishte pohuar se në mungesë të provave hetimet për pohimet e tilla u braktisën. Fatkeqësisht, për tre vjet rresht (2008, 2009 dhe 2010) propaganda për gjoja “trafikimin e organeve njerëzore” nuk u hoq nga arsenali propagandistik që kishte për synim dëmtimin e imazhit të Kosovës.

Edhe pse nuk kishte asnjë provë për propagandën e tillë, edhe pse ishin ndërprerë hetimet nga vetë Carla Del Ponte, qarqe të caktuara që ishin shprehur kundër pavarësisë së Kosovës përgatitën propozimin për hapjen e hetimeve lidhur me këtë çështje dhe ngarkuan senatorin zviceran, Dick Martyn, për të përpiluar një raport për Këshillin e Evropës.

Dick Marty, i njohur si kundërshtar i zjarrtë i intervenimit të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999 dhe kundërshtar i hapur i pavarësisë së Kosovës, dorëzoi raportin e mbushur plot e përplot me gënjeshtra. Miratimi i këtij raporti nga ana e Asamblesë së Përgjithshme e Këshillit të Evropës në vitin 2011 pati efekte shkatërruese për imazhin e vendit tonë. Për më shumë se gjashtë vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës janë publikuar me dhjetëra milionë artikuj dhe libra, të mbështetur ekskluzivisht në librin e Carla Del Pontes dhe të raportit të Dick Martyt. Fatkeqësisht, gjatë gjithë kësaj periudhe kur imazhi i Kosovës përbaltej në mënyrën më skandaloze të mundshme, institucionet shtetërore të Kosovës nuk ndërmorën asgjë për t’i kryer obligimet e veta.

Tani, kur priteshin rezultatet e Forcës Hetimore Speciale të ngarkuara nga Bashkimi Evropian për ta hetuar vërtetësinë e raportit të Dick Martyt, deklarata e kryeprokurorit Williamson është skandaloze. Në konferencën për shtyp, kryeprokurori Williamson sqaroi se në punën që ai drejtoi për tre vjet rresht një ndihmë të madhe i kishin dhënë autoritetet e BE-së, të SHBA-ve, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, Presidentja e Kosovës, Qeveria e Malit të Zi, sidomos Serbia. Pavarësisht ndihmës së madhe që ka pasur nga të katër anët e botës kryeprokurori Williamson deklaroi se “hetimet janë zhvilluar për ngjarjet që kanë ndodhur para 15 vjetëve dhe se për këto ngjarje ekzistojnë shumë pak prova ose nuk ka aspak prova (...) Dëshmitarët ose kanë vdekur ose janë drobitur deri në atë shkallë sa nuk janë në gjendje të japin dëshmi (...) ndërsa për pjesën sensacionale të trafikimit të organeve njerëzore ende nuk i kemi siguruar provat, por, do të vazhdojmë t’i kërkojmë (...)”.Përkundër asaj se Clint Williamson-i pohon vet se gjatë hetimeve trevjeçare nuk i siguruan as provat dhe as dëshmitarët që do të konfirmonin pretendimet për krimet e kryera nga ana e UÇK-së ai nuk ngurron të pohojë se “zyrtarë të lartë të UÇK-së kanë kryer persekutime kundër popullsisë serbe, rome dhe pakicave tjera në Kosovë si dhe kundër bashkëkombësve shqiptarë të Kosovës që u etiketuan si bashkëpunëtorë të serbëve”.

Zoti Williamson, si edhe të gjithë ata që merren seriozisht me tema delikate si kjo, e dinë fare mirë se kualifikimet e tilla pa pasur aspak prova e as dëshmitarë nuk janë asgjë tjetër pos etiketime propagandistike! Pohimet e Kryeprokurorit Williamson se nuk kanë siguruar prova për trafikimin e organeve njerëzore, pohim i njëjtë si pohimi i para gjashtë vitesh e gjysmë i prokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë, Carla Del Pontes, dhe pohimi në të njëjtën kohë se “praktika e tillë është aplikuar ndaj një numri të vogël të njerëzve, të cilëve u janë nxjerrë dhe trafikuar organet”, përbën një shembull skandaloz të mungesës së seriozitetit dhe profesionalizmit të atij që ka marrë detyrën e kryeprokurorit në hetimet për të ndriçuar këto akuza. Përfundimi i shërbimit të Clint Williamsonit si kryeprokuror i Forcës Hetimore Speciale më 23 gusht të këtij viti nuk e zvogëlon dëmin që pohimet e tija të pabazuara i shkaktojnë imazhit të Kosovës.

Është momenti i fundit që të mobilizohen të gjitha energjitë kombëtare për të ndriçuar tërësisht këto akuza që cenojnë imazhin e Kosovës dhe të luftës së saj çlirimtare! Vetëm ndriçimi i plotë i motiveve të vërteta mbi të cilat bazohen këto akuza do të heqë njollën e zezë që na është ngjitur në këtë periudhë shumë të rëndësishme të ndërtimit të shtetit ligjor të Kosovës.