19/12/2014

Trojet reale të Shqipërisë sipas historianëve dhe njerëzve të shquar me famë botërore



Nga  Isuf Bajrami



Autorë të ndryshëm dhe specialistë të gjeografisë kanë shpjeguar me të dhënat e tyre për madhësinë e trojeve shqiptare. Sami Frashëri thoshte se “Shqipëria ka një sipërfaqe prej 70000 km katërorë”. Studiuesi francez L.Uelavitch thotë se “madhësia e sipërfaqes së Shqipërisë është 75000 km2”. Studiuesi tjetër shqiptar T.Selenica na jep një “sipërfaqe të Shqipërisë prej 80000 km2”. Ndërsa kufijt e vërtetë etnik të Shqipërisë, ashtu siç na i përshkruan prof. A.Gashi, janë:

Trojet etnike shqiptare




Kufiri perëndimor 

Nga kjo anë Shqipnija etnike kufizohet me detin Jon dhe fillon nga Preveza e mbaron në pikën Skepi i Zi. Gjatësia e buzës në këtë anë është 651 km. Kufiri veri-perëndimor Ky kufi fillon nga pika Skepi i Zi e mbaron nga Ferro.


Kufiri veri-lindor

Ky kufi fillon nga veriu i katundit Shapoja, ecën nga lindja deri te katundi Japor, pastaj varet nga jugu deri te kuota 1548 e pastaj kthen përsëri në lindje të Karakollit të Osman Pashës nën kuotat 1619-1931. Kjo vijë e kufirit përmbledhë qytetin e Kurshumlisë, Prokuples, Leskocit dhe të Vrajes së bashku me rajonet dhe katundet e tyre. Kufiri lindor Ky kufi fillon nga Gradnica dhe mbaron në qoshin ku bashkohen dy lumenjtë Venetika e Vistrica me një gjatësi prej 342 km. Kjo vijë lindore fut përbrenda krejt viset e humbura mbas luftës ballkanike (1912), të cilat përbëhen prej këtyre kryeqendrave dhe krahinave: Gjakovë, Prizren, Kaçanik, Vranie, Gostivar, Tetovë, Shkup, Kumanovë, Preshevë, Dibër, Kërçovë, Strugë, Ohër, Krushevë, Përlep, Resnie, Manastir, Follorinë, Kostur, Naselicë e Grebenë. Kufiri jug-lindor Kjo vijë fillon nga pika ku bashkohet lumi Bistricë me Venetikon e mbaron në grykën e lumit Artë me një gjatësi gati 180 km. Kufiri jugor Përmbledh brigjet detare të gjirit të Artës. Këto brigje janë shume të përthyeme e kanë një gjatësi prej mëse 93 km dhe duke filluar nga goja e lumit Artë mbërrijnë te qyteti i Prevezës. Brenda këtyre kufijve ndodhet Shqipëria, e cila shtrihet në jug- perëndim të siujdhesës ballkanike, mbi brigjet detare të Adriatikut dhe të detit Jon, nga jugu në veri ndërmjet skepave Skepi i Zi në lindje të Vrajës, gjatësi lindore nga Ferro. Me luftërat ballkanike dhe Konferencën e Londres më 1913 plotësuan ëndrrat e shteteve fqinje, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi dhe u vendos kufiri i sotëm që përmbledh më pak se gjysmën e Shqipërisë së vërtetë. Shqipëria etnike para ardhjes së turqve në Ballkan zinte një sipërfaqe prej rreth 110000 km2. Në periudhën e pavarësimit të shteteve të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, Turqia u “fali” këtyre shteteve rreth 5000 km2 të tokës shqiptare. Pas luftës se vitit 1876-1877 me Rusinë, Turqia dhuroi në interes të popujve ortodoksë të Ballkanit rreth 25500 km2 të tokave shqiptare.


Shqipëria etnike në fund të shekullit 19



Në fund të shekullit XIX, dheu i Shqipërisë etnike do të tkurrej në 80000 km2 me 2.5 milionë banorë, ndërsa Konferenca e Paqes, që u mbajt në Versaje më 1919-1920, do të pranonte se dherat shqiptare në vitet 1912-1913 zinin një sipërfaqe prej 90270 km2 me rreth 3 milionë banorë. Përkundër këtyre pohimeve, kjo Konferencë lejoji vendimet e Traktatit Paqësor të Londrës (1913), duke shkëputur nga trungu etnik shqiptar rreth 80000 km2 që iu shpërndau shteteve fqinje, kështu që Shqipërisë i mbetën vetëm rreth 28700 km2. Ndërsa sipas Vjetarit Shtetëror Statistikor të Shqipërisë, sipërfaqja në km2 e shtetit shqiptar është 28748km2.

Sipas dokumenteve historike të botuara qysh herët, Ilirinë e Jugut grekërit e quanin Epir, ashtu siç e shihnin nga ishujt. Është njëlloj, vazhdojnë studiuesit, si peshkatarët e ishujve Bohama ta quanin Floridën “Kontinent”. Emër që s’ka asgjë të përbashkët me kombësinë e popujve që jetojnë aty. Në pjesën që i kushtohet Greqisë, Straboni nuk e përmend Epirin, kurse Ilirinë dhe Maqedoninë i trajton së bashku. “Pas epirotëve dhe ilirëve, thotë ai, vinë fiset greke”. Sipas veprës Iliada, këto fise “barbare” jo helene nuk bënin pjesë në Lidhjen kundër Trojës. Maqedonia dhe Epiri kishin një gjuhë të përbashkët jashtëhelene, thotë Straboni dhe Plutarku. “Epirotët e maqedonët, përforcon studiuesi gjerman Hahni, qenë fise të afërta me njëri-tjetrin ose me prejardhje të përbashkët”. Skënderbeu thoshte: “Nëse kronikat nuk gënjejnë, ne quhemi epirotas” ndërkohë që Barleti e quante Skënderbeun “Princ i epirotëve”. Ndërsa Pirroja quhej “Shqiponja”. “Në Epir gjatë lashtësisë banonin vetëm popujt jogrekë, shkruante Tumman, që flisnin gjuhën maqedone ose çka është njësoj gjuhën ilire”. Aristoteli, te vepra e tij “Politika”, i kushton vëmendje të veçantë Kushtetutës së Epirit, si e ndryshme nga ajo helene. Skylaki i lashtë, duke përmendur Ambrakinë thotë: “…prej këtej nis Helada”. Aristoteli shkruan për ishullin Diomeda në detin Adriatik: “…kur vinë këtu helenët…” dhe më poshtë: ’’…kur vinë barbarët që rrojnë aty afër…”. Të gjithë autorët e hershëm grekë gjuhën e Epirit e quajnë pellazgjike, jo greke. Në asnjë dokument a historian s’përmenden përkthyes në bisedime mes popujsh “barbarë”. Pasi ata merreshin vesh pothuaj në të njëjtën gjuhë të tyre johelene. Rrënjët e fjalëve të vjetra të Epirit s’njiheshin nga grekërit, sepse qenë të kohës së pellazgëve më të lashtë, me të cilët grekërit trazuan gjuhë e kulturë.

Studiusit e huaj për Shqipërinë etnike



Në këtë rrjedhë historike studiuesi suedez Martin P. N. Nilson thotë: “Epiri nga çdo prirje del jogrek”. Perandori bizantin i shekullit X, Luani i Mençur thotë se: “banorët e Epirit janë shqiptarë”. Studiuesi Lyber shkruan: “Ishulli i Korfuzit në zanafillë banohej nga ilirët”. Kronisti bizantin i shekullit XIV, Mihal Dukasnantari, i Shtëpisë Perandorake, tregon paanshëm se “sunduesi i Janinës, Thoma Preluboviqi, i mbiquajtur “shqiptar vrasës”, Janinën e pastronte nga shqiptarët në një mënyrë të tillë saqë dhëndrrit të vet shqiptar, Gjin Bue Shpatës, i cili e rrethoi kërcënueshëm, i dërgonte me cinizëm si dhuratë shporta me sy të nxjerrë të shqiptarëve”! Megjithate, osmanët të kujdesshëm në regjistrime, Janinën kur e pushtuan më 1431 e quajtën tokë shqiptare. Kështu, ata shkruan Delvinë, Grebenë etj., e jo Dhelvinon, Grevena etj., pavarësisht se kishte ndodhur që në shekullin VI p.e.r. mbreti Tharip i Epirit në administratën e oborrit mbretëror kishte marrë me rrogë një athinas, i cili gjeti rastin dhe e hapi greqishten si një gjuhë të dytë.

Holand, Epiri dhe suliotët



Dr.Holand, në vitin 1812-1813, shënon në shënimet e tij: “Udhëtime në Ishujt Jonianë, Shqipëri”. “Hyra në Epir në brendësi të Shqipërisë”, shkruan piktori i shquar Levis. Në vizatimet e veta, piktori I.Leiç shënon mes të tjerash: “Janinë, kryeqytet i Shqipërisë; Qyteti dhe Kështjella e Paramithisë – Shqipëri; Varri i Ali Tepelenës – Janinë, Shqipëri; Kështjella e Pargës – Shqipëri; Lugina e Sulit – Shqipëri” etj. Në ditarin e vet në Qefalon në gusht 1823, Bajroni shkruan: “Suljotët qenë një kastë ushtarake e të krishterëve shqiptarë, që rronin në male të larta, të cilat sundonin rrjedhën e lumit Akeron”. Për njerëz të tillë Bajroni vazhdon: “…ka diçka të trashëguar nga lashtësia, diçka epike nga koha e Pirros”. Në librin “Udhëzues për udhëtarët në Greqi” thuhet: “Shqipëri sot quhet tërë Epiri i lashtë si dhe provincat jugore të Ilirisë së hershme që arrijnë deri në gjirin Rizonik, ose grykat e Kotorrit”. Marksi shkruan: “Duke zotëruar Durrësin dhe bregdetin shqiptar nga Tivari tek Arta… ai popull flet në gjuhën e lashtë ilire që bënë pjesë në familjen e madhe të gjuhëve indoevropiane”. Koloneli Lik shënon: “Shqipëria zë tërë vijën e bregdetit në lindje të Jonit dhe Adriatikut, e përfshirë në paralelet 39–43”. Duke qenë në Epir, ai shkruan se “…aty rregulloheshin punët në atë mënyrë që qe e përgjithshme në Shqipëri”. Në zgjatje të Epirit më në Veri, Liku shkruan: “Asgjë nuk mund të jetë më tërheqëse e më piktoreske se pamja e Luginës së Gjirokastrës… katundet e shumta tregojnë se ajo është një nga rajonet më të lulëzuara të Shqipërisë”.

Dijetari Spencer bën një gjykim përgjithësues: “Mund të ndryshojnë emrat e një sërë rajonesh e t’i përfshijnë ato në provinca të tjera, por hartën natyrore të Shqipërisë s’ka dorë njeriu ta fshijë, ndërkohë që banorët e krishterë a myslimanë shquhen nga të njëjtat tipare, zakone, doke dhe prej të njëjtës gjuhë”. Dr.Holland gjatësinë e Shqipërisë e përcakton 250 milje; Lik e jep 30 milje në skajin jugor dhe 100 milje në pjesët e tjera, ndërsa kufijtë në bregdet i jep gjer në Prevezë dhe Sulin e quan rajonin e skajshëm të Shqipërisë. Ai plotëson më saktë, duke thënë se “Shqipëria nis me një rrip toke të ngushtë nga malet e Sulit në Vai të gjirit të Artës, duke u zgjeruar me një gjerësi, që është vështirë të përcaktohet”; dhe vazhdon më tej: “Gjiri i Artës mund të quhet dalje kryesore për pjesën jugore të Shqipërisë”.

Kufijtë e Shqipërisë sipas Hobhauz



Shoku i shquar i Bajronit, Hobhauz, thotë se “kufijt e Shqipërisë mbarojnë në jug në gjirin e Lepentos, ose sipas disave në gjirin e Artës… E tërë zona, duke përfshirë dhe Akarnaninë mund të quhet pa gabuar Shqipëri”. Kur vizitoi fshatin Qestorat, të Gjirokastrës, ai tha për shtëpitë e tyre: “…krejt ndryshe nga ç’kishim parë në Shqipërinë e sotme”. Të njëjtën gjë, por nga një drejtim tjetër, e përcakton ushtari anglez Paton: “Prej Novipazarit, 10 orë larg tokës së Malit të Zi… fillon shqipja, e cila që këtej shtrihet për në jug drejt Epirit”. Dijetari Erkhart Janinën e quan: “Kryeqytet i fiseve çame”. Hjuz, duke e përcaktuar Janinën në Shqipëri, shton se kësaj të fundit “mund t’i shtohet Arta e Lura”. Më tej Konicën e përshkruan si: “…një prej maleve më të mira të qytetit shqiptar… ka 5000 banorë me dy të tretat myslimanë, 600 shtëpi shqiptare, 200 greke”. Pastaj flet për peshkopatën e Gjirokastrës Drinopollis (Dropulli i sotëm) me shkurtimin e emrit Fusha e Drinit. Para meje, shkruan Erkharti, kur doli përballë limaneve të Artës “shtrihet toka e Pirros, e Skënderbeut dhe e Ali Pashë Tepelenës”. Gjithashtu, gjatë vizitës së tij, studiuesi Doduell shkruan: “Gjiu i Ambrakisë ndan Epirin nga Akarnania dhe në anën jugore të tij është fillimi i Greqisë“. Regjistrimet osmane kanë qenë mbajtur tepër saktësisht, pasi lidheshin me interesat ekonomike e administrative të tyre me rastin e krijimit të nahijeve. Epirit i shënojnë 617 mijë vetë, nga ku rreth 120 mijë grekë dhe 33 mijë vllehë dhe të tjerët i vë shqiptarë; pra, vetëm një e pesta grekë. Statistikat e Sanxhakut të Gjirokastrës në mesin e shekullit XIX shënojnë 148759 banorë; nga këta 68915 myslimanë, 60872 krishterë, 18972 grekë, asnjë vlleh. Çamëria kishte 212 fshatra të krishterë dhe 80 myslimanë. Statistikat më pas shënojnë se më 1913 në Çamëri 96% flasin shqip, ndërsa më 1940 bie në 80%.

Pukëvili, Napoleoni dhe të tjerë për Shqipërinë



Pukëvili i njohur si filohelen shkruan: “Habitem shumë dhe nuk mund të kuptoj si ka ndodhur që në Çamëri dëgjohet vetëm gjuha shqipe, sikur shqiptarët të jenë këtu vendës e jo grekërit”. Napoleoni e quajti pashallëkun e Janinës: “…një shtet i qëndrueshëm me popullsi e zakone të të gjithë shqiptarëve”. Për këtë hapësirë shqiptare i apelohet Papës së Romës për të ndihmuar Epirin, kur i shkruhet nga Shqipëria “për një pjesë të vendit… nga Gjiri i Artës në portin e Vlorës, përfshi Manastirin në kufi të Maqedonisë e Mecovën në shpatet e Pindit”. Në botimet e Pukëvilit lexojmë: “…me numrin e tyre të madh, me guximin, zellin e veprimtarinë e tyre, shqiptarët do ia ndërronin një ditë faqen Greqisë”. Studiuesja e shquar rumune me origjinë shqiptare Dora D’Istria, thotë për shqiptarët në Greqi: “Vetëmohimi e flija e tyre qenë ndihma më e madhe në kryengritjen greke për çlirim. Mbi shkëmbinjtë e mbi zellin e Pargës gjenden ende tepricat e një populli që dha jetën e vet për Pavarësinë e Greqisë. Atje ndodhen edhe gjurmët e gjakut të martirëve”. Bashkëkohësi i Ali Pashës, rusi i pranishëm E.Golubinski, thotë për të: “Atdheu i tij qyteti i Artës, nuk gjendet në Perandorinë e Konstandinopojës… por në një principatë të lirë shqiptare. Ai qe pushtuar nga turqit më 24.03.1449”. Këto thënie pohojnë atë që Ali Pashë Tepelena i tha lirshëm Bessierit francez: “Unë e quaj shtëpinë time Butrintin, Pargën, Prevezën dhe Vonicën”. Çamëri quhet qarku i Shqipërisë që përfshinë krahinat e Paramithisë, Filatit, Pargës, Margëlliqit, Gumenicës etj. Topografikisht, etnografikisht, folklorikisht, Çamëria përbënë një krahinë jo të veçantë të Shqipërisë”. Po kështu thuhet edhe më vonë: “Çamëria është pjesa më jugore e Shqipërisë dhe jep të dhëna për numrin e popullsisë në myslimanë e ortodoksë”. Historiani grek Sathos shkruan se: “…në Mesjetë, Thesprotia përmendet si krahinë e banuar kryesisht prej shqiptarëve”. Një përcaktim të tillë e jep edhe Enciklopedia italiane: “Thesprotia është emri grek i Çamërisë”. Edhe në Konferencën e Loussanos, në janar 1913-të përfaqësuesi i shtetit grek, M. Cacllamanos, në debatet e nxehta për Shqipërinë u shpreh: “…shqiptarët banojnë në një krahinë plotësisht të caktuar në Epir”. Ç’ndodhi me tërë këta shqiptarë në Epirin e tyre?! “Tretja” nga çkombëtarizimi prej Patriarkanës dhe megalidesë motivoi parashikimin e diplomatit grek Stefano Skuludhis, shprehur me letër ministrit grek të Punëve të Jashtme më 18.02.1877, ku thuhet: “…shqiptarët pa gjuhë të lëvruar, pa arsim të zhvilluar, pa fe të përcaktuar, nuk do t’i ruajnë dot për një kohë të gjatë kombësinë e tyre, po do të asimilohen gradualisht prej grekërve”…

Trojet pas Revolucionit Francez



Pas revolucionit francez, filloi një epokë e re. Me likuidimin e copëtimit feudal lindën tërësitë kombëtare. Një ndër shtetet që lindën pas kësaj periudhe është Greqia (1831), e cila u garantoi shtetasve të saj liritë civile, politike në masë të barabartë. Klauzola të tilla u përcaktuan me Traktatin e Londrës më 1829, të Parisit 1856, të Berlinit 1878, që janë quajtur traktate “Minoritare”. Deri më 1914 ishin bërë jo më pak se 30 traktate të tilla ndërkombëtare. Siç u tha edhe më lart Pukëvili shkruan: “Çamët jetojnë në jug të lumit Kalama. Distrikti i tyre shkon deri në Janinë. Vendbanimet e tyre kryesore janë: Suli, Paramithia, Luarati, Margariti, Parga dhe Agjia”. Çamëria, pra, është një zonë e banuar nga popullsia autoktone shqiptare. Ajo e cila e përbënte pjesën kryesore të pakicës kombëtare shqiptare në Greqi, në një sipërfaqe me 1950 km2, u çlirua nga pushtimi turk më 1912, në të njëjtën kohë si e gjithë Shqipëria. Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Londres (1913) e më pas Konferenca e Firencës, që përcaktuan kufijtë e pjesës jugore dhe juglindore të Shqipërisë, vendosën që kjo trevë shqiptare të kalonte nën sundimin grek. Ajo përfshinte 189 qytete dhe fshatra me një popullsi sipas regjistrimit turk të vitit 1908 mbi 72.000 banorë. Pas caktimit të kufirit shqiptaro–grek nga Protokolli Firencës, Fuqitë e Mëdha i kërkuan Greqisë të tërhiqte trupat e pushtimit brenda një muaji nga Shqipëria e Jugut.


16/12/2014

BEOGRAD, ATY KU SHQIPTARËT NUK GUXOJNË TË DEKLAROHEN AS TË FLASIN SHQIP

Beograd, aty ku shqiptarët nuk guxojnë të deklarohen as të flasin shqip
“Nuk e mbaj mend një rast të vetëm që kur jam deklaruar si shqiptare në Beograd”, thotë një shqiptare e lindur dhe rritur në kryeqytetin e Serbisë. Këtë përjetim e thotë vetëm një nga shqiptarët që jeton në Beograd. Ajo pohon se mbi 1 mijë shqiptarë jetojnë në Beograd.
Beogradasja shqiptare, me origjinë nga Kosova, pasi pranoi të ishte pjesë e reportazhit, ajo u tërhoq. Frika nga pasojat që mund t’u vijnë pas, bëri atë dhe mbi 5 familje të tjera shqiptare të mos ishin pjesë e reportazhit tonë. Alarmi i kambanës së frikës, shqiptarët i shoqëronte në çdo çast. Por, për dallim nga shqiptarët vendas, disa studentë nga Shqipëria nuk e mohojnë faktin që stigmatizimi i shqiptarëve në Beograd nuk mungon.
Mehat Strela nga Fieri, student i ekonomisë, thotë se nuk ka hasur në ndonjë problem të drejtpërdrejtë por paragjykimet i kishte ndier veçmas në fillim. Marrëdhëniet shqiptaro-serbe duket se janë thelluar edhe më shumë pas ndeshjes se futbollit dhe vizitës së kryeministrit shqiptar në Beograd.
Por, me gjithë raportet e tensionuara, studenti tjetër shqiptar tregon se është mirëpritur nga studentët serbë në fakultetin ku studion dhe pavarësisht zhvillimeve ata nuk kishin pasur ndonjë sulm verbal apo fizik me karakter etnik.
Por, dallimi mes një vizite turistike, qëndrimit si student apo për çështje biznesi, duket të jetë ndryshe nga jeta e shqiptarëve vendas në Serbi. Shumica e shqiptarëve pothuajse janë drejt asimilimit. Tashmë pasardhësit e tyre më nuk flasin shqip. Organizimi i tyre si komunitet shqiptar duket një gjë e pamundur. Bizneset që dikur identifikoheshin si të shqiptarëve tashmë kanë ndërruar emër.
Punonjësit nuk janë më ata të vjetrit. Në lokalet me pronarë shqiptarë tashmë punojnë qytetarët serbë. Asnjë prej pronarëve shqiptarë nuk dëshiron të flasë. Frika thellohet edhe më shumë kur kupton se, as disa nga intelektualët e njohur shqiptarë të cilët veprojnë në kryeqytetin serb Beograd hezitojnë të flasin publikisht qoftë për televizionet serbe apo ato shqiptare. /RTK

11/12/2014

Skenderbeu është njohur si Mbret i Shqipërise dhe Maqedonisë që në vitin 1458. Fakte që publikohen për herë të parë.


Vatikani zbulon një dëshmi sekrete të historisë shqiptare.
Për herë të parë del në dritë dokumenti ku është shpallur Skenderbeu mbret. Një akt diplomatik, mandat, në të cilin emerohet Martin Muzaka ambasador i Skenderbeut. është një letër origjinale në pergamen me një vule shtetërore të varur, që ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit në fondin Miscellanease, volumi XXXIX, dokumenti 2398, nga viti 1458. Pikërisht në këtë mandat Skenderbeu quhet "mbret". Ka qene dr. Musa Ahmeti një hulumtues i ka kohshëm i arkivave të Vatikanit që ka publikuar disa ditë më parë, në internet, mandatin e mbretërisë shqiptare.

Si u gjet vula e mbretit

Hulumtimet nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme, kanë mundësuar zbulime të reja të këtyre akteve, për të cilat më parë është menduar se janë zhdukur apo nuk kanë ekzistuar fare. Duke u nisur nga këto hulumtime, të kohëve të fundit (viti 2000)], studiuesi nga Zagrebi, Ahmeti, në Arkivin Sekret të Vatikanit në Vatikan, në fondin Miscellaneae, nga viti 1458, zbulon një mandat (akt diplomatik) origjinal të Skenderbeut, me të cilin emerohet Martin Muzaka si përfaqesues i tij "legjitim dhe legal".


"Dokumenti është i shkruar në pergamen. është ruajtur mjaft mirë", pohon Ahmeti. Dokumenti ka dimensione: 68 x 92.5 cm. Në të jane varura edhe dy vula origjinale. E para vula shtetërore e Skenderbeut dhe e dyta ajo e notarit Johannes Borcius de Grillis. "Në na është bërë e njohur edhe një kopje e këtij mandati që ruhet po ashtu në Arkivin Sekret të Vatikanit, në Vatikan në Fondin: Diversa Cameralia, vell. 30, f. 134r-v. Kjo kopje është e saktë dhe tepër besnike, pa asnjë leshim nga ana e përshkruesit", pohon studiuesi Ahmeti.

Kur u be Skenderbeu mbret?

Ishte zgjedhur Rodoni, në jug të Shqiperisë, për të nënshkruar mandatin e mbretit. Siç shënohet nga origjinali, mandati është lëshuar me 28 tetor te vitit 1458.
I drejtohet papës Piu i II-te, i cili kishte më pak se dy muaj që kishte filluar pontifikatin e tijë (Piu i II-te fillon pontifikatin me 3 Shtator të vitit 1458 dhe vdes me 15 gusht 1464). "Papa Piu njihej si luftëtar i rrepte për mbrojtejn e fese se krishtere edhe sa ishte cardinal", shkruan studiuesi Ahmeti.
Një moment tjetër i rëndesishëm që tërheq vëmendjen te ky mandat është edhe pohimi i notarit publik Johannes Borcius de Grillis se ai "me urdher dhe autorizim te mbretit..." do me thën. Skenderbeun e quan Mbret.
"Ky moment është tepër domethënes ngase edhe në vulën shtetërore të varur që e shoqëron këtë dokument e gjejmë të shkruar tekstin: Sigil (um)o Regni(ae) o Macedonia(e)o et oAlbania(e) që në gjuhën shqipe do te ishte: Vula e
Mbretërisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë".

Skenderbeu trashegon zyren nga i ati, Gjoni

Nga dokumentat mendohet që zyra kancelarike që ishte pranë Skenderbeut të ishte vazhdimësi e të njejtës zyre, e cila funksiononte te i ati Gjon Kastrioti.
Sipas Ahmetit, flitet që kjo zyre daton në shekullin XIV dhe fillimi i shekullit  XV.
"Natyrisht që kancelaria e Skenderbeut ishte shumë më moderne dhe ju ishte përshtatur rrethanave dhe kohës kur vepronte.
Sipas hulumtimeve të bëra, kemi ne dorë një të dhënë tepër interesante, se nga zyra e Skenderbeut, ka ndodhur që mbrenda një dite të nxirren 13 akte të ndryshme diplomatike, të shkruara në 5 gjuhë.
Kjo e dhene tregon se cili ishte komunikimi i Heroit tonë kombetar me shtetet tjera mjesjetare dhe me fqinjet, si dhe roli shumë i rëndësishëm që luante kjo diplomaci ruajtjen e pavarësise shtetërore dhe teritoriale", shpjegon studiusi Ahmeti.

Historia e kancelarive shqiptare

Gjatë mesjetes, sundimtaret dhe princerit shqiptare kishin zyrat e tyre te kancelarive në nivele të ndryshme si notere, sekretare apo perkthyes. 
Këto zyra ishin mjaft te zhvilluara dhe mund të rënditen në radhën e kancelarive të ngjashme më të njohura, në Evrope, gjë që tregonte për nivelin e larte të zhvillimit dhe kujdesit që tregonin sunduesit shqiptare në komunikim me sundimtaret tjerë.
Nga këto zyra dolen akte, diploma, mandate dhe dokumente nga më të ndryshmet, në disa gjuhë që në ate kohë ishin në perdorim zyrtar.
Porse deri më sot ka pak njohur të mbledhura dhe që ekzistojne për këto dokumenta orgjinale. Pjesa dermuese e tyre siç duket janë zhdukur përgjithmonë,  pjesa tjetër pret hulumtuesit që ato ti nxjerrin në dritë dhe ti botojnë,  Ndërsa vetëm në këto vite po hyhet në këtë mister dëshmish historike ku disa fakte të zbuluara rishtazi. Sipas studiuesit Ahmeti, karakteristike e pergjithshme e ketyre akteve të botuara është se ato nuk ndryshojne nga ato te sundimtareve të tjerë, fqinje apo evropiane.
Zakonisht në këto kancelari janë përdorur gjuhët kulturore të kohës si: latine, greke, sllave, italijane osmane dhe ndonjë tjetër.
Ndersa ende nuk ka asnje dokument që është shkruar në gjuhën shqipe nga aktet noteriale.

Hidhet poshte datimi i studiuesve shqiptare

Permbyset një nga datimet e nxjerra nga studiuesit shqiptare. Me zbulimin e mandatit të Skenderbeut nga Arkivat sekrete te Vatikanit, hidhet poshtë data e shkruar deri më tani për këtë document. Viti 1963 e vënë nga studiuesit shqiptarë nuk vlen më.
Kjo date thuhet se është vendosur pa pasur në dorë dokumentin, as origjinalin dhe kopjen. Ndaj argumentohet gabim ky datim. Me daljen e mandatin të Skenderbeut nga nga Vatikani kjo datë kalon rreth pesë vite më përpara, pra në vitin 1458, pra koha kur Gjergj Kastrioti shpallet mbret. Siç vërehet nga origjinali, mandati është leshuar në Rodon të Shqiperise me 28 tetor të vitit 1458.
I drejtohet papes Piu i II-te, i cili kishte më pak se dy muaj që kishte filluar pontifikatin e tijë (Piu i II-te fillon pontifikatin me 3 shtator te vitit 1458 dhe vdes me 15 gusht 1464) dhe njihej si luftëtar i rrepte për mbrojtejn e fese së krishterë edhe sa ishte kardinal.

Perkthimi ne gjuhen shqipe i mandatit nga viti 1458
Mandati i Skenderbeut për Papën

Duke qenë se kohë më parë jemi njoftuar nga raporti i Martin Muzakës, këshilltarit dhe oratorit (zedhensit) tonë, të cilin, kohë më parë e kemi dërgue të shenjteria dhe fortlumturija e Tijë Hyjnore, papë Piu i II-te; që shenjteria e Tijë, papa ynë, duke u kujdesur për poziten e fese së krishtere, e cila është sulmuar nga fatkeqësia e njerzimit, tirani turk, Mehmeti (i II-te, m.a.) dhe bashkëluftarët e tijë, armiq të emrit, i krishterë; duke dëshiruar që të ndihmojë me shërbimin e tijë dhe t'iu vije ne ndihme forcave te tija; ka paralajmeruar, ftuar dhe shtytur nje numer te madhe te mbreterve të krishterë, që të ofrojnë shërbimet e tyre, për një vepër kaq të shenjte dhe të dobishme; dhe se duhet bërë këtë nga obligimi dhe pranimi i dobive që kanë ndaj fesë së krishterë; ka ftuar shumë mbretër të krishterë që të bashkohen personalisht ose duke dërguar përfaqesues të tyre me autorizime të plotefuqishme dhe zyrtare.

Në, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, zot i Shqipërise, si të krishtere të mirë, dëshirojme të rënditemi në mesin e atyre besimtarëve të krishtere, të permendur, duke u treguar besnike dhe shërbetorë të denje; emrojme të lartepermendurin, Martin Muzaken, të i cili kemi besim të pakufishëm dhe kofidencë, për legalitetin e tij ndaj nesh, eksperiencën, ndershmërine, zotësine dhe përgaditjen e larte intelektuale, pikërisht të njejtin, Martin Muzakën, e vemë, përcaktojmë dhe autorizojmë që sipas permbajtjes së këtij mandati të jetë oratori (zedhënësi) dhe perfaqesuesi yne legjitim dhe legal, që në emër tonin dhe për ne të  paraqitet pranë të lartecekurit, shënjterisë së Tijë, papës tonë dhe para shumë të nderuarit Kolegj te Kardinaleve, në Kongregacionin e permendur, dhe me mbreterit tjera apo me oratoret (zedhënësit) e tyre, aty, për të njejtën problematikë (temë) ose për ndihmë fesë sonë të shenjtë, e cila në të shumten varet nga ata, për nder dhe emër të Zotit, të debatojë, të bisedojë, të japë mendim, të shqyrtojë dhe të nxierr përfundime, që do të ishin në favor të një ndermarrje të tillë ose të bënte çdo gjë që është e mundur, duke pohuar, sajuar, bashkuar, mbledhur ose konkluduar, për një veprim të tillë, në emër tonin dhe per ne, të marr obligime duke treguar atë që është për tu lavdëruar, lejuar dhe zbatuar, çka do të pranonin të gjithë të pranishmit, por edhe individualisht, dhe përsa ka të bëjë me ne, ose sa do te kishte të bënte me ne, si dhe për personalitetin tone, më të mirat tona, tokën tone, qytetet tona të fortifikuara, vendbanimet tona, keshtjellat tona dhe ne popullin tone, besnikët tonë të armatosur, ne njerzit tonë, pjesërisht apo në tersi, për të mbrojtur fenë e krishtere dhe ne dem të armiqëve tonë të përmendur, siq do të vërehet edhe nga mandati ynë i hapur, të cilin e dergojmë, dhe si mund të konkludohet, që ligjërisht obligohemi, që me vulen tonë, dhe me vulen e tijë, me të cilën siguron për çdo premtim dhe obligim të bërë, duke u përgjigjur me çfardo shume të hollash, si dhe me të gjitha të mirat tjera, të çfardo natyre qofshin ato, nga të gjithë personat, kolegjet apo bashkësite, duke mbështetur të përmendurin, shenjtërine e Tijë, zotin tonë, papën dhe Selinë e Shenjtë, shumë të nderuarin Kolegj të Kardinaleve nga Kongregacioni i përmendur, si dhe mbretërit, sundimtarët, dhe gjithë të tjerët, që me forcën e një marrëveshje, për të cilën edhe ne jemi shumë të interesuar, siç jemi deklaruar edhe me lartë, dhe të gjitha këto i bëjmë personalisht, pranojmë paqen, veprojmë dhe marrim nga të gjithë, pa dredhi, duke hequr çdo lloj dyshimi për mashtrim,  ndërsa juve, të lartëpërmendurit, të gjithëve dhe secilin, ju vejmë dhe emrojmë, duke dhënë fjalën e sundimtarit (mbretit), duke shprehur devotshmërinë, nderin dhe besnikërine tone, e konsiderojmë si të përhershëme dhe premtojmë, se të gjitha oblgimet tona do ti përmbushim.
Duke ju siguruar ju se, veprimet e përmendura,  obligimet pa dredhi të gjitha deri në një, për të cilat kemi dhënë fjalën, përmes oratorit (zedhenesit) ose ambasadorit tonë Martin Muzakës, si të pohuara, shqyrtuara, paralajmeruara, debatuara dhe përfunduara, i pranojme dhe obligohemi për to.
Dëshminë e të gjithë këtyre, e forcojmë, duke urdhëruar vulosjen me vulen tonë të zakonshme, të varur. Lëshuar në Rodon, në vendin e Shën Mërisë, në prezencën e dëshmitarëve të ftuar dhe të lutur (nderuar), në prezencën e shume të nderuarit në Krisht, atit dhe zotit Pal, me mëshirën hynjore, kryeipeshkop i Durrësit dhe i krahinës së Ilirikut, dhe të nderuarit atë, Pjetër Dukës, abat prothosengulator (i betuar) në Aleksandrin nga Moledina dhe shumë të nderuarit vëlla Bardh, prior i Kuvendit të Shkodrës nga Urdhëri i predikuesve (domenikanëve) dhe nuncit apostolik në Shqipëri, shumë të nderuarit zotit Raione Celnicho.

Ne vitin e Krishtit, 1458, indikti i I-te, diten e 28 te tetorit. Noteri Grillis firmos boterisht mbreterine shqiptare

Unë, Johannes Borcius de Grillis, prift i I peshkvisë së Durrësit, notar publik me urdher dhe autorizim të mbretit, firmos të gjitha këto dhe secilen, isha prezent, për këtë dhe i lutur, boterisht pohoj dhe firmos mandatin, por meqë isha i zënë me punë, kam urdhëruar që të tjerët ta shkruajnë, e une e kam firmosur me shenjen time të zakonshme, të notarit publik dhe me emrin tim, së bashku me vulen varëse te të lartepermendurit dhe shumë të ndriturit zot Skenderbe, e kam forcuar besimin, me dëshmine e gjithë kësaj dhe seciles, që është përmendur me lartë.


10/12/2014

Shfarosni shqiptarët! Ja platformat e fqinjëve…


Shfarosni shqiptarët! Ja platformat e fqinjëve…
Sot jemi fqinjë dhe në marrëdhënie të mira bilaterale, madje në angazhime të përbashkëta në forume ndërkombëtare, por s’duhet të harrojmë kurrë se në 200-vitet e fundit, na kanë vrarë, prerë, varur, e përdhunuar sistematikisht. Këta janë serbët dhe grekët fqinjë, por edhe italianët e turqit. E megjithatë, shqiptarët kanë mbijetuar dhe ky është shërbimi më i madh që fati i ka bërë këtij kombi të vogël me destin heroik…
Nga Ben Andoni, JAVA

Spastrimet dhe dëbimet e fqinjëve ballkanikë ndaj shqiptarëve datojnë prej 200-vitesh, por edhe më parë prej turqve dhe numërojnë si ideatorë të tyre deri mendimtarë me reputacion, shpesh politikanë, diplomatë, shkrimtarë, rëndom ushtarakë dhe të tjerë. Protagonistët më të mëdhenj të spastrimit ndaj shqiptarëve në 200-vitet e fundit janë serbët, malazezët dhe pa asnjë dyshim grekët. Sot, mund të jemi në marrëdhënie të mira dhe shpresojmë që këto të ruhen dhe në të ardhmen, por fëmijëve në shkolla, apo të rinjve të sotëm dhe shumë pseudove duhet t’ua kujtojmë historinë e dhimbshme. Kjo histori nuk bëhet, siç pretendohet sot në botën e globalizmit me fshirjen e teksteve në shkolla, por me shkrimin e sinqertë të gjërave që kanë ndodhur dhe që varen ende pezull sot mes nesh. Ndoshta kjo i bëri serbët, pak javë më parë, që të derdhin aq inat në stadium kundër një vendi që se kanë fare në kufi, apo që i bën grekët sot e kësaj dite të mos e njohin realitetin çam.
Janë një sërë platformash, idesh dhe memorandumesh, që kanë kryer ndër dekada funksionarë të lartë serbë, malazezë, grekë, përmes mbretërve të tyre, ushtarakëve, kryeministrave dhe ministrave, duke kërkuar që ta shfarosin krejt Shqipërinë. Të mendosh se në emrat e njohur janë deri në familjet e njohura dinastike ballkanike, por edhe shkrimtarë nobelistë, atëherë drithërohesh. Janë ideatorë të kombeve të tyre por duke menduar shfarosjen e kombi tonë që e quanin rëndom si të panevojshëm, apo që në një të ardhme mund të bënin deri ekspansion biologjik në gadishull, si referojnë rëndom për shqiptarët. Sot, historia është kthyer përmbys, por për fat në anën e mirë, pasi kosovarët populli më martir i Gadishullit, ka shtetin e vet dhe madje dhe një shtet amë në kufi, kurse grekët jo larg në kohë do të përballen realisht me problemin e Çamërisë. Kurse serbët janë rrudhur deri në absurd. E Drejta mund të vonojë por nuk mund të harrojë kurrë. Koha e provoi këtë dhe Shqipëria është jo vetëm faktor në Ballkan, por edhe një nga elementët më të rëndësishëm të qetësisë dhe ekzistencës së këtij gadishulli. Po shpalosim disa nga këto momente, kur shqiptarët janë parë si elementë të denjë për t’i përzënë nga shtëpitë e tyre, thjesht për interesat e pastra hegjemoniste greke, serbe, malazeze etj.
 “Naçertanija” e Ilija Grashaninit, ministër dhe ideolog
Propozimin për këtë platformë, Ilia Grashaninit ia sugjeroi pansllavisti çek Frantishek A. Zach (1807-1892), prej Moravisë, atëkohë pjesë e Perandorisë Austriake. Zach përfaqësonte organizatën e emigrantëve polakë, të themeluar prej princit Adam Czartorysky. Qëllimi është i qartë, Zahu që e njeh mirë Beogradin u sugjeron autoriteteve serbe të qëndrojnë larg ndikimit rus. Ilia Grashanini ishte funksionar i Strukturave të Brendshme të Serbisë. Personazh i shekullit të XIX (1812-1874), ai u bë figurë kryesore e regjimit konstitucional si edhe ideatori i ithtarëve të zgjerimit të shtetit të Serbisë. Ai mbahet si themeluesi i bazave të politikës serbo-madhe të bashkimit. Garashanini, platformën e tij të sintetizuar e paraqiti në dokumentin sekret të cilin e quajti “Naçertanie”  (1844) që përkthehet Projekt, d.m.th. Plan. Në fakt, besohet se projekti themelor ishte kryekreje memorandumi i Zahut, që e mendonte Serbinë e re si vazhduese të perandorisë mesjetare të Stefan Dushanit (1308-1355). Nostalgji e perandorisë së dikurshme të Nemanjëve, që në shekujt e Mesjetës e shkatërruan Turqit. Garashanin ishte personi i duhur dhe ai menjëherë  argumentoi pse duhet “ta përqafojnë të gjithë popujt serbë që e rrethojnë atë”. Sach mendonte se Serbët duhet të ishin ideatorët dhe udhëheqësit e një formacioni të Sllavëve të Jugut “ajo nuk kufizohet në kufijtë e saj të sotëm, por synon t’i përqafojë të gjithë popujt serbë që e rrethojnë”. Sipas “Naçertanies” së Garashaninit, pjesë e shtetit të madh serb do të ishte edhe Shqipëria Veriore. Për programin e tij, Garashanini parashikoi organizimin e një shërbimi sekret dhe një sistemi të zhvilluar propagandistik. Platforma e Naçertanies, me synimet e saj pushtuese në Ballkan, nënkuptonte edhe shtrirjen në territoret shqiptare. Që atëherë, populli serb, për sllavët, është popull hyjnor dhe popull historik.
Sipas tij:- boshnjakët janë serbë të fesë islame, d.m.th. serbë të myslimanizuar; gjuha që flasin ata është serbishtja;
–  malazeztë janë serbë, si për nga gjuha, ashtu edhe për nga feja;
– Maqedonia është Serbi Jugore;
– kroatët ndërkaq, janë serbë të fesë katolike dhe gjuha që flasin ata është serbishtja.
Shqiptarët konsiderohen si mbetje turke në Ballkan.
Naçertania u realizua në një pjesë të konsiderueshme gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912) kur Serbia, në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-13) aneksoi Kosovën dhe viset e tjera lindore të Shqipërisë me një politikë shkombëtarizuese.
 Vaso Çubriloviç: “Dëbimii shqiptarëve” (1937)
Ai që e vazhdoi politikën e “Naçertanies” ishte Vasa Çubriloviçi (1897-1990). Në memorandumin e tij “Iseljavanje Arnauta” (Dëbimi i shqiptarëve), që ai e hartoi për qeverinë e Stojadinoviçit (Milan Stojadinoviç  (Çaçak, Serbi 1888 – Buenos Aires, 1961); jurist dhe ekonomist, kryeministër i Mbretërisë së Jugosllavisë në vitet 1935-1939), ai propozoi metodat, por edhe mënyrat e zgjidhjes së “problemit shqiptar”.  Vaso ose Vasa ka qenë akademik në fushën e Historisë dhe në të ritë e veta ishte një nga organizatorët e atentatit në Sarajevë ndaj trashëgimtarit të fronit austro-hungarez Franc Ferdinandit. Memorandumi i vet flet në mënyrë të detajuar për serbizimin e Kosovës dhe flet pa mëshirë për qeverinë e vet, që s’mundi ta kolonizojë këtë hapësire pas Luftës së Parë Botërore. Memorandumi iu dorëzua më 7 mars 1937 qeverisë së Milan Stojadinoviçit dhe ka deri dëbim fizik të shqiptarëve prej Kosove për në Turqi dhe në Shqipëri. Është pastrimi i parë etnik i detajuar i serbëve. Për këtë citon, nacionalistin tjetër Jovan Cvijiç, që thoshte se: Shqiptarët janë raca më ekspansive në Ballkan, ish-rektorin e Universitetit të Beogradit dhe kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe të Shkencave.
Ja çfarë thuhet në memorandum në preambulën e vet: “Problemi i shqiptarëve në jetën tonë kombëtare dhe shtetërore nuk ka lindur dje. Ai ka luajtur një rol të madh në jetën tonë në periudhën e mesjetës, por një vend tejet të rëndësishëm ka zënë nga fundi të shekullit XVII, kur popullata serbe, prej trojeve që dikur  kanë qenë vatra luftërash, shpërngulet drejt veriut dhe në vend të tyre vijnë malësorët shqiptarë. Dalëngadalë, prej kodrave të tyre ata vendosen në luginat pjellore të Metohisë dhe të Kosovës dhe duke depërtuar drejt veriut, shtrihen në drejtim të Moravës perëndimore dhe jugore; nëpër Malin Sharr bien në Pollog dhe që andej drejt Vardarit. Deri në shekullin XIX është krijuar në këtë mënyrë trekëndëshi shqiptar, pykë e cila, në saje të mbështetjes etnike të vijës Dobar-Rogoznë është ngulur thellë në trojet tona dhe ka arritur deri në Nish, duke i ndarë trojet tona të vjetra të Rashkës nga Maqedonia dhe nga lugina e Vardarit….Këtë pykë shqiptare, Serbia filloi ta krasitë që nga kryengritja e parë duke e dëbuar popullsinë shqiptare të viseve më veriore, që nga Jagodina”
 Ivo Andriç: Spastrimi i shqiptarëve
Nobelisti i letërsisë dhe diplomati i njohur ka përgatitur një dokument që e botoi në Beograd, më 30 janar 1939
Ndarja e Shqipërisë
Me rastin e vlerësimit të tërë kësaj çështjeje, duhet të kemi parasysh se në çdo mënyrë duhet të shikojmë që t’i shmangemi çdo konflikti qoftë të fshehtë qoftë të hapët me Italinë. Gjithashtu duhet ta evitojmë pushtimin e tërë Shqipërisë nga ana e Italisë se në këtë mënyrë do të na rrezikonte në vendet më të ndjeshme – në Bokë të Kotorrit dhe në Kosovë. Duke marrë parasysh të gjitha këto që thamë më sipër, ndarja e Shqipëisë do të mund të vinte në konsiderim për ne vetëm si një e keqe e domosdoshme dhe e paevitueshme, të cilës nuk do të mund t’i bënim ballë, dhe si një dëm i madh nga i cili duhet të nxjerrim aq dobi sa është e mundshme, do të thotë nga dy të këqija duhet ta zgjedhim atë që është më e vogël.
Kompensimet tona
Këto kompensime gjenden në materialin e përpunuar para 20 vjetësh, kur shtrohej çështja e ndarjes së Shqipërisë. Maksimumi që kemi kërkuar në atë kohë ishte kufiri që do të shtrihej buzë Matit e Drinit të Zi dhe që do të na jepte sigurinë strategjike të Malit të Zi dhe të Kosovës. Gjithashtu duhet t’i sigurojë luginat e liqenet të Ohrit dhe të Prespës, duke përfshirë Pogradecin dhe fshatrat sllave të Malit të Thatë, si dhe ato midis Prespës e Korçës. Marrja e Shkodrës, në këtë rast, do të kishte rëndësi të madhe morale dhe ekonomike.  Kjo do të na mundësonte zhvillimin e punimeve të mëdha hidroteknike dhe përfitimin e tokës pjellore për ushqimin e Malit të Zi. Shqipëria Veriore, në kuadrin e Jugosllavisë, do të mundësonte krijimin e lidhjeve të reja të komunikacionit të Serbisë Veriore e Jugore me Adriatikun.
Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për minoritetin shqiptar në Kosovë, i cili, në një situatë të re, do të asimilohej më lehtë. Ne, eventualisht, do të kishim edhe 200 000 deri 300 000 mijë shqiptarë më tepër, por këta janë, të shumtën, katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë nuk kanë qenë kurrë të mira. Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi gjithashtu do të bëhej në rrethana të reja, sepse nuk do të ekzistonte kurrfarë aksioni më i fortë për pengimin e saj. (Pjesa e marrë nga libri i Hivzi Sulejmanit)
 Dobrica Çosiç:  Shqiptarët, barrë për Ballkanin
Shkrimtari i njohur serb Dobrica Çosiç  u nda vetëm pak kohë më parë nga jeta. Ai mbahet si babai i popullit serb dhe megjithëse ka qenë dhe disident ndaj Titos, kur ishte puna ndaj shqiptarëve, mbahet si një nga mbështetësit e politikës së Rankoviçit, ministrit të brendshëm famëkeq në kohën e Titos. Si akademik dhe shkrimtar ka qenë një nga njerëzit që ka hartuar shpesh ide kombëtare dhe ka pasur polemika me shumë njerëz. Çosiç i ka quajtur shqiptarët si barrë barbare e Ballkanit, ndërkaq thuhet se është pajtuar me idetë për Serbinë e madhe dhe ka folur se si pjesë të Kroacisë e Bosnjës duhet t’i kthehen Serbisë. Megjithatë, pak muaj më parë i konfesoi revistës “Nedeljnik”, në moshën 93 vjeçare, se Kosova humbi dhe apeloi te gjeneratat e reja të mos harxhojnë energji pasi këtë çështje e ka zgjidhur historia kundër ideve të tyre.
 Sllobodan Millosheviçi: Spastrimi final
Lëvizja për pavarësinë e Kosovës mori hov në mesin e viteve ’80, por Serbët ishin kundër autonomisë dhe më 1987 Sllobodan Milosheviç, që po ngjiste atëkohë hierarkinë pushtetare serbe  u zgjodh udhëheqës i Partisë Komuniste Serbe me premtimin për rikthimin e sundimit Serb në Kosovë. Më 1989, Millosheviçi u bë Presidenti i Serbisë dhe menjëherë ndërhyri në Kosovë, duke e ulur fare autonominë më 1990, nëpërmjet dërgimit të trupave ushtarake që rrëzuan qeverinë kosovare. Por llogaritë ishin bërë gabim pasi kjo politikë e përcolli Federatën Jugosllave drejt shkatërrimit më 1991, dhe më 1992, kurse Kosova pak vite më parë do të shpallte shtetin e saj.. Epilogu ishte se Millosheviçi, që mendonte t’i jepte fund problemit shqiptar përfundoi në Gjykatën e Hagës dhe vdiq pa iu mbyllur procesi i krimeve ndaj njerëzimit, që i rëndonte mbi supe. Ai bëri një shpërngulje gati biblike të shqiptarëve në fund të viteve ’90 nga më famëkëqet e shekullit të shkuar.
 Greqia
Nga viti 1913-1922, kohë në të cilën Shqipëria përjetoi shumë peripeci, Greqia vazhdoi të bënte sistematikisht pastrimin etnik të shqiptareve. Greqia përzuri nga trojet shqiptare mbi 80 mijë shqiptarë, ku një pjesë i dërgoi në Turqi, e të tjerët i shpërndau nëpër ishujt e vdekjes.
 “Protokoll i Korfuzit”
Është një dokument që përcakton kufijtë e Vorio-Epirit, ku koncepti i Vorio-Epirit shtrihej deri në Durrës, pasi Epidamusi i lashtë ishte koloni greke! Të tjerët e çonin këtë kufi deri në Shkumbin. ‘Protokolli” përcaktonte si Vorio-Epir krahinat e Korçës, Gjirokastrës, Sarandës e Himarës.
 Ligji i Luftës
Historia e Ligjit të Luftës fillon më 10 nëntor 1940 kur u shpall dekreti mbretëror grek-ligji 2636 mbi gjendjen e luftës së Greqisë me Italinë e Shqipërinë. Pas pushtimit nga Gjermania, qeveria kuislinge e Greqisë e kryeministrit Jorgos Xolagoklus e hoqi Ligjin e Luftës. Por pas përfundimit të luftës, qeveria e sapo formuar në vitin 1945 e rikthen atë duke i rishpallur luftë përsëri Shqipërisë me një dekret të ri me numër 13. Më 28 gusht 1987 Qeveria e Andreas Papandreu, i pranishëm dhe Karolos Papulias, heq Ligjin luftënxitëse mes Greqisë e Shqipërisë.
 Masakra e Zervës, gjeneralit grek mbi çamët
Gjenerali kolaboracionist Napolan Zerva, në pragvdekjen e tij, tha: “Vdes i qetë se bëra atë që doja. Pas lashë rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadhë; ulurima fëmijësh, nuse dhe gra nudo, që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë… burra të varur, shpuar me bajonetë, gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo me kënaq mua, ashtu siç kënaq tërë shpirtrat helene!”. Më 1944 Zerva dhe gjeneralët e tjerë kishin marrë urdhër që popullsia çame prej 30-35 mijë banorësh ta asgjësonin krejt. Paradoksi ishte se Aleatët mbyllën sytë, ose si shprehej  koloneli Kris Voodhanse, shef i misionit ushtarak aleat, kur deklaronte: ”Me inkurajimin e misionit ushtarak aleat, që unë drejtoja, Zerva i dëboi çamët nga shtëpitë e tyre!”. Genocidi nisi me 27 qershor l944. Ushtarët e Zervës rrënonin gjithçka që gjenin përpara dhe rrafshuan mbi 5800 shtëpi në 68 fshatra dhe qindra mijëra çamë u vranë dhe pronarët u bastisën krejtësisht…
 Konferenca e Paqes (1946)
Në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946 Greqia kërkoi ndryshimin e kufirit me Shqipërinë duke kërkuar jugun shqiptar. Më 1949 ushtria e Greqisë afroi forcat e saja në kufi për të hyrë në Shqipëri. Më 1968 marrëdhëniet midis Tiranës dhe Athinës arritën deri në një luftë të hapur pas pretendimeve greke për aneksimin e jugut të Shqipërisë.
 Agresioni grek i 2 gushtit 1949 në Jug
Më 2 gusht 1949, territori jugor shqiptar në juglindje me bazë rajonin e Korçës, por edhe deri në Konispol të Sarandës në Likojan, u bë objekt sulmi ushtarak prej Greqisë. Nuk ishte provokacion siç u cilësua nga shteti shqiptar në vitin 1949, por sulm ushtarak grek kundër vendit tonë. U shpërnguën me qindra familje shqiptare për t’i shpëtuar këtij agresioni të paprecedent. Greqia vërsuli drejt Shqipërisë mbi 70 mijë forca të armatosura, mbi 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 gjuajtës, kryesisht topa, shteti shqiptar mobilizoi dhe futi në luftën mbrojtëse 10 mijë ushtarë, ndërkohë që po mbante në gatishmëri edhe 30 mijë trupa të tjerë pranë zonës së sulmuar.
 Italia – Aneksimi i Shqipërisë
Më 7 Prill 1939 Italia e pushtoi Shqipërinë,ndërsa vendi  ra krejtësisht nën perandorinë italiane. Njeriu më i rëndëssihëm i vendit ishte Lejtnanti i Përgjithshëm i Madhërisë së Tij Mbretit Perandor në Shqipëri (Luogotenente Generale di S.M. il Re Imperatore in Albania) i atashuar qeverisë së Tiranës. Ky post iu dha ish të dërguarit Françesko Jakomoni i San Marinos, të cilit i raportonte një personel prej 120-140 vetësh. Autoriteteve shqiptare nuk u lejohej të shpallnin akte ligjore ose të merrnin vendime të rëndësishme pa aprovimin e tij. Shtypi shqiptar kontrollohej nga Piero Parini, i cili gëzonte një status të veçantë në strukturat e aparatit pushtues. Gjatë viteve 1940-1942 ato numëronin 100.000-150.000 vetë. Deri në nëntor 1949 ato ishin nën komandën e Kryekomandantit të Forcave të Armatosura në Shqipëri, gjeneralit Sebastiano Viskonti Praska. Aty u vendos përkohësisht edhe misioni ushtarak i gjeneralit Manlio Gabrieli. Më vonë në Shqipëri u vendos komanda e forcave që pushtuan Greqinë. Qeveria kolaboracioniste në Tiranë drejtohej nga Shefqet bej Vërlaci, feudalist dhe pronar i madh tokash i cili kishte qenë rival i Zogut për shumë vjet.(Tema)

Pandeli Majko: S’e pëlqej fjalën kosovar, ata janë shqiptarë


Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko thotë se nuk i pëlqen termi i përdorur kosovar kur flitet për qytetarët e Kosovës pasi të gjithë janë shqiptarë. Majko ka folur edhe për kohë kur ishte në studime dhe ofertën për t’u bërë pjesë e Partisë Demokratike. Përveç angazhimeve në studimet, Majko thotë se nuk u bë pjesë e PD’së për shkak se babain e kishte komunistë. Majko ka folur edhe se si kishte hyrë në PS, për kohën kur ishte Kryeministër….

Zoti Majko, u mbushën plot 24 vjet nga dita kur nisi ajo që ka hyrë tashmë në histori si Lëvizja Studentore e Dhjetorit. Ju kini qenë ndër pjesëmarrësit e spikatur të asaj Lëvizjeje. Ç’është për ju sot ajo Lëvizje dhe aspirata që shpalosi në atë kohë?
– Lëvizja e Dhjetorit ka qenë shansi i fundit i një historie të drobitur shqiptare. Ajo ka pasur brenda saj disa “jetë” por që marrëdhëniet me lirinë e shpëtuan. Levizja e dhjetorit është bashkimi i rrethanës dhe rastësisë kundër manipulimit dhe kodoshllëkut të kohës kur ajo nisi.
Të mos harrojmë se konteksti social i nisjes së Lëvizjes Studentore ishte një shoqëri që kishte rënë në grackën e historisë… Ajo që po përplasej në Shqipërinë e kohës për të majtët ishte dramë, për të tjerët ishte mungesë shprese dhe për disa të tjerë edhe më keq. Në fakt, më e keqja po ndodhte pa u ndjerë. Po vdisnim duke qenë të gjallë. Kjo e fundit është e lehtë për t’u thënë por e vështirë për t’u shpjeguar… Lëviz diku midis fjalës “moral” dhe pamundësisë për të menduar për të nesërmen. Veç ndihej nga të gjithë. Edhe kur nuk thuhej.
- Nga ajo Lëvizje lindi partia e parë opozitare në Shqipëri pas gjysmë shekulli, Partia Demokratike. Çfarë ju pengoi apo stepi që të mos bëheshit pjesë e asaj partie?
– Nuk doja dhe pikë. Isha i fejuar dhe gjërat i shikoja të lidhura me familjen. Në atë kohë studioja në degën Inxhinierisë Mekanike që ishte shkolla më e ashpër e vendit për nga ngarkesa mësimore. Të marrurit me politikë me dukej një “komoditet” që nuk mund ta gëzoja… Kjo që po them ishte vendimi im pasi PD ishte krijuar. Më erdhën mjaft shokë që më nxitën të angazhohesha, por përgjigja ime ishte e shkurtër: “Jo!” …Me ata që kisha konfidencë ju shtoja jo pa dëshpërim se im atë ishte komunist dhe mua nuk më shkonte të bërtisja nga mëngjesi në darkë kundër tyre…
Në Shqipëri ngjarjet në vitin e mjegullt 1990 kishin “vrapuar” rrëmujshëm. Hapja e ambasadave kishte krijuar ilaritet. Shoqëria jetonte frikën e vet të edukuar nga qeverisja e gjatë e komunistëve. Në fakultet profesorët tanë hijerëndë të Inxhinierisë nuk ja thoshin shumë në të shpjeguarit e politikës së ditës… Por duket se me urdhër në orët e seminarit u zhvilluan mbledhjet të “orkestruara” për të dhënë e marrë opinione për “njerëzit e ambasadave” qe sapo ishin larguar jashtë vendit… Në klasë ra heshtje kur profesori e hapi këtë temë. Në bankën pas meje ishte ulur një shok i imi nga Durrësi, më i miri i inxhinierisë… Dhjetën e merrja edhe unë, por e tija ishte ndryshe. Ishte i lindur për atë profesion. Kur u ktheva e pash të zbardhur në fytyrë dhe u rrafshua në tavolinë. I vëllai i tij ishte me të larguarit e ambasadës. Priste edhe përjashtimin nga shkolla… ishte “normë” e kohës. Në një moment kërkova fjalën dhe i dhashë pak gojës duke thënë se faji i largimit të njerëzve nuk duhet parë veç tek ata… Profesori na shikonte mendueshëm, mbajti shënime dhe ne fund kërkoi që të zgjidhej sekretari i rinisë. I pari që e kërkoi fjalën ishte shoku im me “cen” në biografi që më propozoi mua… Kur e pyeta pse ma bëri këtë “nder” ishte e qartë se me mua ndihej i mbrojtur. Në radhët e “mekaniksave” lojrat me politikë nuk pëlqeheshin. Quhej kohë e harxhuar dhe ne kohën e kishim si uji në shkretëtirën e ngarkesës me mësime. Por ja që zgjedhja si sekretar i grupit kishte “detyrime”. Nëna ime ishte sekretare në Fakultet dhe më thirri në mbarimin e orëve të mësimit e shqetësuar. Duhet të shkoja në mbledhjen rinisë së fakultetit se do zhvilloheshin zgjedhjet. Isha i këputur ndaj refuzova. Kur zëri i sime meje u ngrit me dëshpërim se po e “turpëroja”… Ula kokën dhe me mërzi shkova në sallë. Mbledhja ishte masive pasi në fakultet studionin 2300 veta. Sekretarët e partisë dhe ai i universitetit ngriheshin me radhë me një formalitet cfilitës. Në një moment diskutimi kërkova fjalën dhe ashtu i mllefosur i kthehem sallës dhe them “Deri kur do i lejojmë komunistët të na marrin për dore…” Ra një heshtje e thellë. E vetmja gjë që mendova ishte “E hëngra!”… Fati im ishte sekretari i partisë së universitetit që, i hutuar lëshoi shprehjen “Po, kemi qenë të detyruar…!” Pas kësaj ndjeja brrylat e studentëve, me këmbë dhe me dorë, që më uronin pa fjalë. Isha “krenar” dhe i merakosur se kisha lëshuar një “fjalë” qe nuk e di ku më shpinte. Kur filloi procesi i zgjedhjes për drejtimin e fakultetit, sekretari partisë lexoi emrat e përzgjedhur për votim. Nga salla u ngritën dhe më propozuan mua. Më i habitur se sekretarët e partisë isha unë që dola nga mbledhja sekretar i rinisë së Fakultetit. Nëna ime u shastis kur e mori vesh dhe pyeti me zë të ulët “Ore tallesh ti?!”…
- Është përmendur herë pas here një fletë-rrufe që ju i kini vënë ish-Kryeministrit të asaj kohe, Adil Çarçanit. Mund të na tregoni sot se si është puna e asaj fletërrufeje?
– Po… Fakultetin e doja dhe më donte. Kisha respektin e pedagogëve. Në muajin nëntor shkova tek një pedagog dhe i kërkova të më ndihmonte për të shtypur në kompjuterin e tij një “letër të hapur” për kryeministrin e vendit, Adil Çarçanin. E kisha shkruar vetë. Letra do të bëhej në emër të Komitetit të Rinisë së Fakultetit
Politika më ka pëlqyer dhe rregullat e saj i ndjeja, edhe kur nuk i kuptoja. Vendosa t’i drejtohem “ekzekutivit” dhe jo partisë. Doja të krijoja një sinjal jashtë sistemit partiak. Si rregull, duhej t’i shkruanim Ramiz Alisë që ishte në një protagonizëm për “ndryshim” dhe që nuk po prodhonte asgjë mbi ngrehinën politike të kohës. Por jo! Kaq e kuptoja dhe padashje kisha futur një “gozhdë” në mekanizmin e kohës… Letra ra si “bombë”. E ngjita në hyrje të fakultetit dhe ajo u kthye në një vend “pelegrinazhi” për njerëzit që vinin ta lexonin… Shkova tek “Zëri i Popullit” që kishte botuar shkrimet e guximshme të Ylli Popës dhe Sali Berishës, por aty më panë mua dhe shokët që më shoqëronin si “alienë” të ndonjë planeti tjetër… Nuk e botuan!
Adil Çarçani na u përgjigj dhe pranoi të na takonte. Shkova klasë më klasë të fakultetit dhe fillova përgatitjen për takimin. Po përgatisnim një “bombë” por që nuk dihej si do i vente filli. Papritur dhe pa na lajmëruar kryeministri shkon një mbasdite vonë në konviktin e vajzave të fakultetit. Kaq u desh dhe aty “plasi” debati… Siç më thanë ishte një bisedë ku nuk munguan përplasjet. Lajmi për vizitën e frikësuar të kryeministrit në Qytetin Studenti u përhap si rrufe. Na kishte “rrëshkitur” dhe kishte vajtur të takonte vajzat… Në darkë në konviktin e studentëve të fakultetit tim, “elektriksit” morën një krevat sustë dhe bënë “lidhjen” e sistemit… Transformatori plasi dhe dritat ikën. Pas kësaj filloi ajo që quhej Lëvizja e Dhjetorit 1990. Në përfaqësinë e dhjetorit unë mora pjesë falë këmbënguljes së shokëve të mi, sidomos të “elektriksave”.
Isha në Pallatin e Brigadave, por shikoja me kujdes. E gjitha dukej si histori dhe lojë po ashtu. Ishte historike pasi dukej qartë që po fillonte një kohë e re për vendin. Ishte pak “lojë” pasi ishim ulur përballë regjimit… Në karriget tona duhet të ishin ulur të tjerë, por që ishin veç “hije” pasi ose ishin vrarë ose ishin në burgje dhe kampe përqendrimi. Lëvizja demokratike në Shqipëri u zhvillua duke i pasur protagonistët e lirisë në burgje. Amnistia erdhi më vonë. “Torta” e politikës ishte ndarë. Vendosa të mos flas në emër të të tjerëve, por të asaj që besoja. Pasi ngrita dorën për krijimin e PD-së shkova të vazhdoja studimet. Detyrën time e quajta të mbaruar. Por, ja që nuk ishte ashtu…
- Dhe ju u bashkuat me Partinë Socialiste…? Pse?
– Fakulteti im ishte mbyllur pas rrëzimit të statujës së Hoxhës. Kisha filluar punë në bazën prodhuese ngjitur me të dhe ndiqja në distancë rrëmujën e politikës. Një ditë më vjen një student i elektrikes që dikur kishte “përveshur” krahët kur diskutohej emri im në Lëvizjen Studentore. Quhej Ilir Zela. Më propozoi të shkonim dhe të takonim Namik Doklen (ishin kuksianë dhe njiheshin) tek Partia Socialiste. Kjo e fundit sapo ishte krijuar mbi ngrehinën e Partisë së Punës. U ngurosa në fillim. Doja të refuzoja por ia kisha borxh. Pranova me idenë “shif dhe bëj”… Kur hyra në godinë m’u duk se “tradhtova” gjithçka. Por, jo! Pas takimit me Namikun erdhi një takim tjetër me Fatosin, Maqon, Servetin, Ermelindën, Ethemin… Kishin ngelur aty në një godinë bosh dhe kishin veç njëri-tjetrin për të bërë atë që bënë më vonë. Ishte operacioni social më i vështirë në postkomunizëm dhe që ndryshoi partinë më konservatore të lindjes ish-komuniste në një parti perëndimore.
Kur të rinjtë e “rilindjes” më pyesin sot se si ka qenë partia dikur… iu them shkurt: “Imagjinoni një parti ku më rebeli isha… unë!” Thuajse padashje bashkë me Ilir Metën, Ilir Zelën, Ndre Legisin dhe Monikën sollëm Lëvizjen Studentore në kampin e majtë. Krijuam me një pavarësi kokëfortë Forumin e Rinisë Eurosocialiste duke e bërë atë më të fuqishmin dhe më të organizuarin në vend. Hymë në parlament si deputetë të së majtës por u ulëm në karrige që i meritonim dhe përfaqësonim veten dhe të tjerët. Nuk jam penduar aspak. Përkundrazi.
Po e vutë re në “listën e atyre” që gjeta në PS mungon emri i Gramoz Ruçit. Me të s’i kisha mirë “pipëzat” nga fillimi, por jo për shkak të sjelljes së tij se sa times. Tani erdhi koha që Gramozi kur pimë kafe thotë edhe shprehjen “ne të vjetrit…” dhe mua më kap gazi… Po nuk kam çfarë të them! E kujt ia merrte mendja se unë që dyshohesha rëndom për “tradhti” dhe i dekoruar si “Pishtar i Demokracisë” do të bëhesha i “vjetër” në historinë e një të majte, historinë e së cilës do e kishin zili edhe dramat shekspiriane. Tek e fundit, është shtëpia dhe familja ime politike që nuk e ndërroj me asgjë.
- Shumëkush mendoi se ëndrra idealiste e studentëve të Dhjetorit u zbeh shumë shpejt. Edhe ju shpesh kini qenë tepër kritik me regjimin që erdhi pas 22 marsit 1992. Pse ndodhi kjo zbehje?
– Kjo është drama e Partisë Demokratike, por jo e Lëvizjes Studentore. Ajo, Lëvizja, e kreu detyrën e saj si një dashuri në kohë kolere. Ja dha me butësi dhe dashuri e besim të gjithë autoritetin e saj publik partisë së parë opozitare. Djemtë dhe vajzat e saj u shpërndanë si frymë e një ndryshimi dhe nuk u morën me “plaçkën” e fitores. PD-ja ka patur një druajtje të pashpjegueshme karshi një Lëvizjeje të rinjsh që thjesht bënë detyrën përpara kombit dhe historisë. Thënë ndryshe “magjia” e saj i ngjan shkëndijës në asgjë që krijoi botën e lirisë.
Lëvizja Studentore në këndvështrimin historik duhej të ishte për të djathtën njëlloj si fondamenti i LANÇ-it për të majtën, pasi në thelb që të dyja janë lëvizje të rinjsh në kushte të ndryshme, sigurisht.
Në Shqipëri konflikti i brezave ka prodhuar më shumë politikë se sa duhet si pasojë e “statuskuove” të lodhura të brezit më të vjetër. Kjo është e mirë dhe e keqe pasi në historinë tonë kombëtare evolucioni ka ndodhur me “shpërthime” duke nxjerrë në skenë politikanë të rinj në moshë dhe që për arsye të ndryshme kanë bërë gabime e faje edhe për këtë arsye. Ahmet Zogu doli nga konflikti me elitën e sfilitur turkoshake. Enver Hoxha mbijetoi nga diskreditimi i një pjese të elitës së vjetër politike nga kolaboracionizmi i Luftës së Dytë.
Në fenomenet e politikës aktuale ngatërrohet perceptimi me përmbajtjen që do të thotë mosha e re me risinë politike. Liderët po tentojnë teknologjinë e “pemishtes” së të rinjve e cila rrezikon ta vrasë politikën. Politikanët i prodhon koha dhe jo lideri.
Kjo që po ndodh aktualisht në Partinë Demokratike për mua është një “ndjenjë” që e kam provuar dikur. Të ulurit në karrigen që nuk të takon është një fenomen që nisi në gjenezë dhe po vazhdon edhe aktualisht tek e djathta politike. Nëse PD-ja do të ishte investuar të orientohej nga shtresat e veta, të profilit të saj politik, sot ajo do të ishte një dinozaur i frikshëm. Por, jo! Aty gjen një tufë majtistësh që kujton se i bën të djathtë lufta politike me Partinë Socialiste. Kjo e bën debatin politik në Shqipëri si “sherrin” midis origjinales dhe kopjes. Sjellja politike e së djathtës po mbështetet gjithmonë e më shumë tek të qenit kolektor i pakënaqësive sociale se sa tek përfaqësimi social dhe pamje e një garanti hijerëndë ndaj frikës njerëzore për të ardhmen.
- Ju arritët të bëheshit edhe Kryeministër i Shqipërisë, madje në një periudhë shumë të vështirë sikurse ishte lufta për çlirimin e Kosovës. Kam takuar shumë kosovarë që flasin me shumë respekt për ju. A ju kishte shkuar në mend në dhjetor të ’90-s se do të ngjiteshit aq lart?
– (Qesh) Sigurisht që jo! Marrëdhënia ime me politikën ka qenë dhe mbetet e komplikuar sepse i ka të dyja ndjenjat, dashurinë dhe urrejtjen.
Kur flasim për Kosovën unë nuk e pëlqej shprehjen “kosovar” sepse ata janë pjesë e jona. Thjesht, janë shqiptarë. Në qenien time Kosova ka ridimensionuar fjalën “atdhe”… Unë nuk jetoj dot pa të brenda meje… Kur kujtoj të kaluarën, kuptoj tragjedinë kombëtare dhe ndihem me fat për kohën që jetoj.
- Sidoqoftë, me ndryshimet që kanë ndodhur në këto vite, e shikoni të realizuar apo të tradhtuar idealin e dhjetoristëve ’90?
– Shikoni! Lëvizja e Dhjetorit nuk është dhe nuk ka për të qenë, për shumë arsye, një lëvizje për të cilën do të gjeni “veteranë” që të flasin si kompetentë të idealeve të saj… Lëvizja e Dhjetorit është dhe ka për të qenë e fuqishme si ide pikërisht për “dobësinë” e saj. Lëvizja përfaqësonte djem dhe vajza që bënë detyrën karshi një atdheu dhe shoqërie të mbetur pa gojë dhe në një udhëkryq ku po prekej mizerabiliteti ekonomik. Kjo Lëvizje nuk nxiti shoqërinë shqiptare të tejkalonte veten dhe dobësitë e saj. Ajo thjesht i pohoi ato dobësi me dhembshuri dhe i tha një brezi jakobinësh të plakur në pushtet duke vrarë të tjerët dhe të vetët: “Koha juaj mbaroi! Shkoni në shtëpi!” Mos harrojmë se komunistët u mblodhën në dhjetor dhe u diskutua edhe ndërhyrja me forcë në qytetin Studenti, por zërat brenda tyre ishin të fortë edhe me pyetjen: “Do vrasim djemtë dhe vajzat tona!?” Në Ministrinë e Mbrojtjes u shpërndanë armët. Im atë nuk pranoi ta merrte. Komunistët u dorëzuan pasi përballë, në shumicë, kishin fëmijët e tyre. Ata ishin të lodhur nga koha dhe vetja…
Kujtimi i Lëvizjes së Dhjetorit është një reflektim për marrëdhëniet me lirinë që për shoqërinë shqiptare nuk është e vjetër. Ajo ka të rrënjosur shembullin e aktit të një brezi që kupton kohën që jeton.
- E megjithatë ju keni qenë dhe vazhdoni të jeni shumë kritik me trashëgiminë e Enver Hoxhës. A është koha për një rivlerësim edhe të figurës së tij, në fund të fundit ka qenë udhëheqësi kryesor i luftës antifashiste nacionalçlirimtare që ju si forcë politike e mbroni?
– Fakti që ne vazhdojmë ta diskutojmë këtë çështje dhe në këtë mënyrë, tregon se sa pak kemi bërë në këtë drejtim. Historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve mbetet ende një histori e “pashkruar” për shkaqe që varen dhe nuk varen nga ne. Historia jonë nuk është vetëm historia e drejtuesve të saj, por edhe historia e komplikuar e një kombi me fuqitë dhe fqinjët e tij. Enver Hoxha është një drejtues komod i dobësive tona kombëtare, sepse mbi to dhe me to ai, diku me instinkt dhe diku me zgjuarsi, ja doli që ta qeverisë vendin. Ai është i pashmangshëm nga trajtimet e historisë sonë dhe është produkt i rrethanave të saj në Luftën e Dytë dhe pas saj. Ajo që më shqetëson është trajtimi naiv i figurës së tij që shpallet ose një gjakatar homoseksual ose një personalitet i historisë. Kam qenë lexues i rregullt i librave të tij dikur në rininë time parapolitike, dhe po ju them se Hoxha është më i komplikuar se sa duket. Profili i tij politik është edhe produkt i tre miqësive me Beogradin, Moskën dhe Kinën dhe ku ai i mbijetoi prishjes me secilën. Hoxha nuk ka qenë idiot, por padyshim drama jonë kombëtare me të është se ai arriti që gjithë inteligjencën kombëtare ta barazojë me inteligjencën e vet personale. Një dramë e cila kishte filluar para tij dhe ka lënë hijen edhe pas tij, në historinë tonë kombëtare. Mendoj se do të jetë vështirë që ai të analizohet nëse nuk i pohohen ato që mund t’i konsiderohen pozitive në aktet që ai ka prodhuar në veprimtarinë e vet. LANÇ-i nuk është vepër personale e Enver Hoxhës, por ai është pjesë e padiskutueshme e kësaj lufte. Vlerësimet për aktet e tij gjatë LANÇ, në Konferencën e Parisit apo në disa suksese të regjimit të tij pas çlirimit nuk mund ta shfajësojnë apo ta ndriçojnë atë rrugëtim në të cilin ai futi kombin. Ai nuk ka asnjë mundësi justifikimi kur “teknikisht” pjesa më e madhe e atij brezi drejtuesish që nxori Lufta Nacional Çlirimtare ose u vranë, ose u burgosën ose u shmangën duke e lënë vendin në duart e një tufe njerëzish pa personalitet dhe produkt të interesave të familjes së vet. Dhe të mendosh që pas çlirimit, Partia Komuniste e Shqipërisë nga pikëpamja e shkollimit të drejtuesve të saj ishte më perëndimorja në gjithë lindjen komuniste. Enver Hoxha në këtë kuptim, është ende “gjallë” me dobësitë e veta, dhe na ironizon me mënyrën se si përsërisim edhe atë vetë. Edhe sot.
- Kur përballeni aktualisht me ish-studentët e dhjetorit që janë rreshtuar në kampin demokrat të politikës, i adhuroni apo ju vjen keq për ta?
– Asnjërën nga të dyja. Unë i konsideroj miq dhe shokë të gjithë. E vuaj sipas mënyrës sime distancën me një pjesë të tyre, pasi janë larguar jo pak nga atdheu për në emigracion. Në 1998 kur isha në zyrën e kryeministrit, u ula në tryezën e dialogut me opozitën e kohës. Përballë kisha Sali Berishën dhe Genc Pollon. Në krah kisha Ilir Metën. Interlokutorë të takimit ishin pikërisht ish-studentët e dhjetorit… “Moj kasolle ku na mblodhe”, thotë një fjalë e urtë. Ishim aty të gjithë të lidhur me “pjesëzat” e të njëjtës Lëvizjeje që na ftonte të reflektonim pse i hymë asaj pune që quhej “politikë”… Lëvizja na ftonte të mos harronim. Dhe ashtu bëmë.
- Ç’është Partia Demokratike për ju sot, 24 vjet pas themelimit të saj?
– Jam kundërshtar politik i saj, kështu që vlerësimi im do të ishte i pasinqertë politikisht. Mos harroni, kam ngritur dorën për formimin e saj.
- Është deklaruar shpesh se një nga defektet e pluralizmit shqiptar është se ai u bë i komanduar nga ish-Partia e Punës. Thënë troç, Sali Berisha u komandua të shkonte te PD-ja dhe Fatos Nano tek PS-ja. Ju jeni i bindur për këtë?
– E vërtetë është që thuhej kështu! Por ishte humor dhe kaq!
- Është folur shumë gjatë këtyre viteve se me ëndrrën e dhjetoristëve është abuzuar shumë nga politika. Ju jeni dakord me këtë konstatim?
– “Dhjetoristët” si fenomen politik nuk janë një listë njerëzish. Përkundrazi janë kaq fluidë sa duken pak dhe në të njëjtën kohë, shumë më shumë. Ata nuk janë gra të dhunuara që reklamohen pranë tabelës “Ti nuk je për t’u shitur!” Dhjetoristët janë një brez që bëri detyrën karshi vetes dhe kohës. “Hesapi” i fundit i Lëvizjes së Dhjetorit janë spiunët… Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Nën guackën e politikës edhe sot lëviz timbri ironik i pyetjes “A ishte e gjitha çfarë ndodhi një lojë e telekomanduar spiunësh që konvertuan pushtetin e komunizmit?!”…. Përgjigja ime ka dy anë, sepse paralelisht me Lëvizjen e Dhjetorit ka pasur le ta quajmë një nëntokë të një Lëvizjeje spiunësh. Ka pasur një jetë të dyfishtë e cila rrotullohej dhe donte ta mbyste me pisllëkun e kohës atë që nisi me studentët. Kjo është arsyeja që nëse vini re në vazhdim, gjithmonë nga protagonistët e politikës që kanë pasur një lidhje morale me Lëvizjen e Dhjetorit kanë ngritur problemin e hapjes së dosjeve. Ka pasur edhe nervozizëm, pa diskutim, por dukshmëria është e qartë dhe reflektim i asaj që thashë. Spiunët janë “porosia” e fundit e Lëvizjes së Dhjetorit….
- Edhe Edi Rama, që sot e kemi Kryeministër të vendit, ka qenë në njëfarë mënyre dhjetorist, madje ndër më radikalët në atë kohë kundër ish-Partisë së Punës. A mund të thuhet se tani ai është duke punuar për ato ideale që studentët u hodhën atëherë në protesta kundër regjimit?
– Kur Ndre Legisi më foli për herë të parë për të takuar Edi Ramën… reagimi im i parë ka qenë: “Kë të takoj?! Po Edi Rama është ekstremist?!” (Qesh) E kam njohur nga larg Edin dhe më kishte lënë përshtypjen e një radikali të djathtë… Pastaj, kuptohet që u bëmë miq. “Debati” ynë vazhdon edhe tani, por në mënyra të tjera.
- Zoti Majko, si do ta vlerësonit qeverisjen aktuale të mazhorancës së majtë?
– Sot do flasim për “dhjetoristët” dhe jo “rilindasit”. (Qesh) Probleme ka sa të duash po nuk besoj se është vendi dhe koha. Kemi marrë vendin në një kohë të vështirë dhe përgjigjet teorike janë komoditet. Unë e konsideroj veten pjesë të arritjeve dhe problemeve të mazhorancës. Kur dua të flas për këto të fundit, si rregull ia them Edit dhe jo medias.
- A ka të pakënaqur brenda radhëve të PS-së ndaj qeverisjes socialiste?
– Kur të mos ketë të pakënaqur në Partinë Socialiste besoj se ajo do të jetë dita e “vdekjes” sonë politike…
- Prej disa muajsh opozita ka bojkotuar Kuvendin, ndërsa i është futur rrugës së protestave, si ju duket kjo strategji e demokratëve?
– Më duket një veprim i sforcuar që po defaktorizon grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Më shumë se “strategji” duket si taktikë krize që buron nga marrëdhëniet e brendshme në atë parti.
- Mungesa e bashkëpunimit mes palëve duket se po fut në ngërç edhe procesin elektoral të radhës, duke kujtuar që zgjedhjet lokale janë në prag?
– Zgjedhjet lokale nuk mund të konsiderohen si stacion politik për një marrëveshje politike. Duket që për momentin demokratët janë të aftë të shprehin ato që nuk duan, por jo të kundërtën. Ata duhet të dinë të kërkojnë, pasi qëndrimet e tyre politike po reduktohen në “konferenca shtypi”… Po imitojnë pjesën më të dobët të periudhës sonë të të bërit opozitë dhe kanë përballë qëndrimet e veta tetëvjeçare që kanë mbajtur për këtë logjikë politike kur ishin në pushtet. Padashur, demokratët na kanë bërë një nder që nuk shpjegohet dot politikisht. Na i kanë lënë ne të majtëve t’i bëjmë të dyja, edhe qeverisjen edhe “opozitën”. Kjo e ka reduktuar qëndrimin e partisë së dytë në vend në konceptet e shoqërisë civile…
- Zoti Majko, ju keni qenë skeptik për koalicionin me LSI-në. Tashmë, pas një viti e gjysmë qeverisjeje, si ju duket se ka funksionuar ky bashkëpunim?
– A kam qenë “skeptik”?!… Po, kam qenë! Por për të kuptuar domethënien e skepticizmit tim duhet një natë dimri. Nuk lidhet kjo me LSI-në si parti, por me marrëdhëniet e mia me Ilirin. Largimin e Metës nga Partia unë e vuajta ndryshe nga të tjerët… Që të mos zgjatem. Nuk i kemi folur njëri-tjetrit deri ditën që babai im ndërroi jetë para një viti. Iliri erdhi dhe nuk e bëri sa për të larë gojën. Nga ajo ditë marrëdhëniet tona janë konstante. Jemi rritur bashkë paçka se jemi të ndryshëm. Jemi pjesë e historisë së njëri-tjetrit. Kjo është jeta, sigurisht. Gazeta “DITA