23/09/2014

MESHA E PAPËS NË TIRANË, FEJA DHE SHQIPTARËT

Xhevat Bislimi

21 Shtator 2014

E ndoqa me vëmendje të shtuar meshën e Papës në Tiranë... Dhe, u (ri)binda sa të kota janë fetë-religjionet... Ardhja e Papës, por edhe mesha e tij në Tiranë, sikur i gjithë manifestimi për këtë ardhje, përshkoheshin nga një propagandë bajate kundër Enver Hoxhës dhe ideologjisë komuniste... Një "gazetare" naive e Ora News, e përfshirë nga "ekstaza", që prodhonte fjalimi i Papës, tha se "ky ishte manifestimi më i bukur kundër komunizmit"!! A thua se "komunizmi" po e sundon dhe poshtëron Republikën e Shqipërisë?! A thua komunizmi e kishte lënë Shqipërinë të copëtuar dhe në errësirë dhe prapambeturi mesjetare deri në vitin 1945?! Ku ishte Papa dhe Vatikani gjatë shekujve që njëherë nuk e thanë një fjalë të mirë për popullin më të lashtë në Evropë, por e kishin lënë në mëshirën e perandorëve bizantinë, pastaj të sulltanëve dhe të pushtuesëve fqinjë?!!

Edhe fjalimi i Papës u përshkua nga kjo frymë "antikomuniste"...!! Ai vajtoi katolikët,ortodoksët dhe myslimanët që paskanë dhënë edhe jetën e tyre për fenë, që qenkanë "martirizuar" për besnikërinë e tyre ndaj fesë... Pallavra...! Ka patur ndonjë të tillë që i veshur me rrobën fetare, komuniste, balliste, zogiste... i shërbente interesave dhe agjenturave të huaja...!! Si nuk e tha një fjalë të vetme a një lutje ky Papa për ata qindra e mijëra shqiptarë që u flijuan, u vranë, u masakruan dhe u dëbuan nga shtëpitë dhe atdheu i tyre, pse u përpoqën dhe luftuan me përkushtim për Shqipërinë e tyre, për popullin dhe tokën e tyre, që ishte pushtuar dhe grabitej nga pushtuesit...?! Si nuk e tha një fjalë a një lutje për qindra e mijëra shqiptarë, femijë, gra e pleq që u vranë, u masakruan dhe u dëbuan hiç më larg se para 15 vitesh nga Serbia fashiste?! 

Apo, sepse këta nuk ishin përpjekur, nuk ishin vrarë e dëbuar për FE, por për ATDHE?!! Ishte për t'u "habitur", që Papa (nëse e kam dëgjuar çdo fjalë të Tij...) nuk e përmendi as Heroin tonë Kombëtar, mbrojtësin e Shqipërisë dhe të qytetërimit evropian për një çerek shekulli!! Apo pse nuk kishte luftuar me flamurin e Kishës e të Vatikanit, por me Flamurin me Shqiponjën dy krenare...?!! 

Nëse Papa dhe servilët e hipokritet e tij në Tiranë kanë harruar, populli ynë nuk i ka harruar vrasjet, helmimet, torturat, ndjekjet dhe gjenocidin që është bërë ndaj shqiptarëve edhe në emer të fesë katolike, ortodokse e myslimane... Nuk është harruar gjenocidi, vrasjet, ndjekjet dhe asimilimi me dhunë e terror i shqiptarëve, që "Greqia", bashkë me Kishën, bënte në emër të Zotit e të Krishtit...!! Nuk është harruar as ndjekja, masakrat, terrori dhe gjenocidi që sulltanët e Turqisë për pesë shekuj bënin në emër të Zotit e të Muhametit ndaj shqiptarëve që mbi të gjitha kishin Shqipërinë...!! Nuk janë harruar as ndjekjet, torturat, vrasjet, masakrat dhe gjenocidi që bënte dikur Venediku e më vonë Italia në emër dhe me përkrahjen e Kishës katolike ndaj shqiptarëve...!! Madje, edhe fashizmi italian, që vrau e masakroi qindra e mijëra shqiptarë, kishte edhe "bekimin" e Vatikanit...!! Prandaj, nëse përmenden dhe vajtohen një grusht "martirësh" të persekutuar apo të ekzekutuar (jo gjithmonë për bindjet e tyre fetare...) do të duhej të përmendeshin dhe të "vajtoheshin" edhe njëqind apo njëmijë fishi i shqiptarëve të vrarë në emër të Zoti e të fesë...!! Këtu nuk po përmend persekutimet, torturat, masakrat..., që ka bërë vetë Kisha katolike (Kisha-shtet...) me gjykatatë e saj...!! Kujtojeni vetem Natën e Shën Bartolomeut në Francë...!! 

Shqiptarët, si populli më i vjetër dhe më i qyteteruar i Evropës, gjatë gjithë
historisë (ekzistencës së tyre...) kanë dëshmuar se para çdo feje, para çdo ideologjie apo interesi tjetër kanë patur Shqipërinë-Atdheun... Kur kishin shqiptarët Zotin e tyre-ZEUSIN ose besimin e tyre në DIELL, popujt ose etnitë tjera nuk dinin ç'është besimi ose feja... Kotësia e fesë dhe shterpësia e saj u pa edhe sot në Tiranë... Asgjë të shenjtë, asgjë të jashtëzakonshme nuk pamë, perveç ca ritualëve monotone, ca përrallave dhe një propagande bajate...! Të vjen keqë për një pjesë të njerëzve që nuk e shfrytëzojnë lirinë, pavarësinë dhe fuqinë që u ka dhënë Zoti-Natyra, por vazhdojnë të mbeten të lidhur me zingjiret e fesë (kishës, xhamisë...)... Vazhdojnë të mbeten nën pushtetin e parazitëve, shfrytëzuesve dhe matrapazve më të mëdhenj të njerëzimit, KLERIT, të të gjitha feve... C'është e vërteta religjionet gjithmonë kanë qenë në shërbim të pushtetëve dhe të shtetëve dhe në anën e shtypësve të lirive dhe të drejtave të njeriut... Kisha, xhamia... dhe kleri i tyre vetem ZOTIT nuk i ka shërbyer dhe nuk i shërben...! Prandaj, njerëzimi, me përjashtim të ca të mjerëve dhe të pushtetarëve, që shtypin dhe shfrytëzojnë popullin e tyre me ndihmen e fesë, po largohet dhe po çlirohet gjithnjë e më shumë dhe më hapur nga pushteti i padrejtë i religjionëve... Feja është përdorur dhe vazhdon të përdorët për përçarjën e popujve e jo për unifikimin dhe mirëkuptimin e tyre... 

Po vjen një kohë që feja ose duhet t'i shërbej Zotit ose duhet të ec...! E vërteta është se fetë janë shpikje e njeriut (si puna e ideologjive dhe partive...) dhe jo e Zotit... Zoti nuk ka fe (është Zot për të gjithë njerëzit dhe për mbarë universin) dhe nuk ka nevojë për fe e për klerin parazitë e mashtrues të njerëzimit... Zoti nuk ka nevojë për ndërmjetës midis Tij dhe njeriut ose botës...

E lash për fund fjalimin e Imzot Rrok Mirditës... Ishte më i matur, më i balancuar, më përmbajtësor dhe me këmbë në tokën shqiptare... Madje, shumë më i mirë se disa politikanë, gazetarë e publicist hipokritë e servilë...

P.S. Kjo « kritikë » nuk ka për qëllim të mohojë rëndësinë e madhe që ka kjo vizitë në këtë kohë për Republikën e Shqipërisë dhe për shqiptarët, mbarë Shqipërinë…

No comments:

Post a Comment