17/10/2014

BARUTI BALLKANIK


Artur Zheji


16 Tetor 2014

Beogradi na ktheu befas shumë e shumë kohë mbrapa. Në kohë dhe hapësirë dhe padyshim në anti-kulturë. Ne jemi gjithsesi të pakënaqur me shumë gjëra që nuk shkojnë mirë në Shqipëri. Duke filluar nga korrupsioni, nga mos përsosmëria e demokracisë, nga trafiku kaotik dhe nga gjuha e rëndë verbale e politikës.

Mirëpo ngjarjet në Beograd, përtej rrënqethjes së natyrshme që shkakton ky koncentrat i urrejtjes dhe dhuna që u lirua fill më pas, na jep një ngushëllim jo të vogël, sepse Shqipëria, kqyrur simbas optikës së Beogradit dhe jo vetëm, na duket tash shumë më e sigurt dhe shumë më demokratike.

Mjafton të ndjekësh me vëmendje raportimet e mediave serbe në lidhje me ngjarjen që shpërtheu në stadiumin “Partizani” të Beogradit dhe rrënqethja të të dyfishohet. Nëse tifozët e udhëhequr nga i ashtuquajturi “Ivani i tmerrshëm”, si në të gjithë botën, dihet që janë pjesë e një segmenti të trishtuar të shoqërive, përgjithësisht krijesa të dëshpëruara, nëse këta tifozë pra, bënë këtë që bënë, si mundet politika dhe media serbe, hynë në rezonancë me këtë panoramë të zymtë?!

Kamerat e televizionit serb u larguan menjëherë nga shpërthimi i dhunës, me qëllim fshehjen e qëllimshme të saj. Reporterët serbë u rrëfyen menjëherë dhe si me komandë, pjesë e një ushtrie të organizuar, për të falsifikuar atë turp që ndodhi dhe për t’i dhënë një interpretim të ndryshëm, krejt larg nga e vërteta. Fill më pas erdhën rrëmbyeshëm edhe deklaratat e politikës beogradase.
Të cilat ishin, pak të themi tejet të paguximshme dhe falsifikuese. Askush nuk tha prej autoriteteve serbe se garancitë ishin skandaloze në mbrojtje të sportistëve shqiptarë. Përkundrazi, në një kor retorik dhe hipokrit, u përqendruan te droni me flamur shqiptar, që askush nuk e di se kush e lëshoi dhe pse.

Ministri i Jashtëm Daçiç e më pas kryeministri Vuçiç, shpërthyen në fyerje publike kundër tifozerisë shqiptare, e cila nuk ishte asfare në atë stadium. Dukshmërisht të nervozuar për imazhin e shëmtuar që u prodhua në këtë ndeshje, në të vërtetë përleshje, Daçiç dhe Vuçiç hapën një tenxhere të vjetër duke nxjerrë skema antilogjike, tejmbushur mjerisht për ta, me një falsitet mediokër.
Gënjeshtra mediatike e radhës për popullin serb, e paketuar me skemat e vjetra të kohës së Milosheviçit, është krimi më i rëndë që drejtuesit e sotshëm serbë i bëjnë Serbisë, vendit të tyre, që ata shtiren se e duan, por në fakt e dhunuan edhe kësaj radhe. Përpara Luftës në Kosovë, por edhe gjatë gjithë Luftës në ish-Jugosllavi, kam punuar si gazetar në trekëndëshin Romë, Tiranë dhe Shkup dhe ngado ndeshesha me disinformacionin më të shëmtuar që mund të përjetohet. Një disinformacion që fabrikoi dhjetëra mijëra ushtarë të robotizuar dhe vrasës, të boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve. Një krim, që hodhi në masakër popullin serb.

Një luftë kundër Bosnjës, kundër Kroacisë, kundër Kosovës, kundër NATO-s, por njëherazi edhe kundër të gjithë Botës së Qytetëruar perëndimore. Duke humbur krejtësisht çfarë iu premtohej se do të fitonin.

Edhe sot serbët po ushqehen me një gjellë të prishur mediatike. Atyre po u serviret në mënyrë të rrejshme, se barbaria që ndodhi në stadium, që rrahja e futbollistëve shqiptarë, ishte një impuls i pafajshëm djemsh patriotë, që u provokuan nga “maskarenjtë” shqiptarë. Për habi, edhe mediat helene që pata mundësi të konsultoj këto 24 orë, kishin një prirje, mjerisht të ngjashme. Një solidaritet i pandreqshëm pra me reagimin serb. Sikur ajo që ndodhi, ishte vetëm pasojë e provokimit që droni me flamurin etnik shqiptar ndezi simbas tyre, një emocion të pafajshëm mbrojtës në radhët e serbëve. Duke përligjur rrahjet dhe dhunën.

Kaq rëndësi paska pra një simbol, që fluturon mbi një helikopter lodër, që ende askush nuk e di se kush e ka bërë, në krahasim me britmat, me rrahjet reale dhe fizike të djemve shqiptarë që kishin shkuar në Beograd për të luajtur thjesht futboll? Të dënuar madje të luajnë futboll pa tifozët e tyre, pa simbolet e tyre kombëtare!

Ky deformim që ushqen popujt me këtë gjellë të prishur dhe kaq të vjetër mediatiko-politike, është në radhë të parë i mjerueshëm për vetë ata. Por edhe për ne, dreqi e mori, që duhet të ndajmë prej së paku 100 vitesh gënjeshtrën nga e vërteta në mënyrë rraskapitëse, në lidhje me fqinjët e shqetësuar serbë.

Ky barut ballkanik, kaq kokëfortë, është një ushqim që na ka varfëruar dhe mjeruar në shekuj.
Tek shikon tifozët dhe qytetarët e revoltuar shqiptarë rrugëve të Tiranës apo Prishtinës, grusht bashkuar rreth Flamurit Kombëtar, të pushton një ndjenjë kënaqësie, por edhe një ndjenjë frike. Frikë e natyrshme nga tendenca për një simetri urrejtjeje, që ka klimë të përshtatshme mbas asaj që ndodhi. Sepse në mijëra vite, është frika ajo që i grupon njerëzit për të përballuar një të keqe më të madhe. Frika se përsëri duan të na shkelin dhe përsëri duan të na skllavërojnë. Ashtu si dikur, ashtu si ndoshta edhe nesër.
Sepse kur mjafton një helikopter lodër për të hedhur në erë nervat e popujve në Ballkan, atëherë e keqja duhet kqyrur më thellë. Te plagët tona të pashëruara dhe po aq të sëmura sa edhe më parë.

Në këtë optikë, lodrat politike të Kosovës, që zihen e shqyhen politikisht duke e lënë vendin kaq kohë pa qeveri, janë kaq ireale dhe kaq të turpshme, ndërkohë që një koncentrat urrejtjeje shpaloset kaq primitivisht. Maja e ajsbergut të mllefit nacionalist që nuk mplaket.

No comments:

Post a Comment