Ylli Përmeti
26 Tetor 2014
Barinjtë, zakonisht, qentë e stanit që kafshojnë të panjohurit, i lidhin, dhe për më tepër, për miqtë, i urtësojnë. Këtë e bëjnë për mos të kafshuar miqtë dhe shkaktuar ndonjë dhimbje dhe, për të nderuar veten. Në ndeshjen Serbi-Shqipëri, administratorja e saj e dinte mjaft mirë që sportdashësit dhe tifozët serbë do të “kafshonin” nëse provokoheshin. Kjo është arsyeja se përse ajo ndaloi sportdashësit dhe tifozët shqiptarë në stadium. Por, ajo, ndryshe nga bariu, nuk i “lidhi” tifozët e saj: përkundrazi, i bashkoi në kor, me maska, hunj, flamuj, dhe zjarrndezëse. Rezultati ishte ai që pamë: një makth futbollistik. Për më tepër, ne u përballëm me një racizëm të organizuar.
Vendimi i UEFA-s, rrjedhimisht, për ndeshjen në fjalë, në favor të Serbisë, nuk arrin as urtësinë e bariut, e jo më, të një administrate mbishtetërore. Ai nuk është, sigurisht, pasojë e ndonjë “inskenimi” apo “lobingu” Serb: sepse vendimi ka një argument, që është, se përfaqësuesja jonë ‘nuk pranoi të kthehesh në fushë’. Me këtë, UEFA, i vë vulën, njëherësh, vetes dhe drejtësisë: sepse loja me të vërtetë mund të luhet në kushte ekstremisht të pabarabartë, siç u luajt ndeshja në fjalë, por jo në kushte kur fotbollistët ishin të ekspozuar në racizëm të organizuar ndërkohë që u goditën. Kjo do të ishte, njëlloj sikur stanari, miqtë, mos t’i priste me qenë të lidhur dhe krah hapur, por, përkundrazi: me qenë që i ndërsente edhe më shumë drejt miqve, me qëllim që t’i shqyente.
Për këtë arsye, UEFA, me vendimin e saj tregoi se urtësia e saj juridike nuk është as në nivelin e drejtësisë familjare. Sigurisht, kjo s’do të thotë se një vendim më i drejtë nuk mund të merret nga gjykatat e tjera lidhur me ndeshjen në fjalë. Beteja sportive dhe juridike është përpara dhe në duhet të jemi gati për çdo të papritur. Sepse në drejtësinë e kombeve, dhe veçanërisht me popullin shqiptar, organet ndërkombëtare, gjithnjë kanë qenë të padrejtë. Dhe Serbia, pikërisht sepse luan diplomatikisht me integrimin në BE dhe globalizmit neoliberal dhe modelin politiko-ekonomik të Rusisë, nuk ka nevojë të ngrejë lobingje dhe intriga prapa skenave: asaj i mjafton kjo “lojë”, dhe Europa do të jetë gjithnjë në gjunjë përpara saj. Sepse ‘mendja’ e një populli tjetër kërkon një farë sakrifice…
Por, le t’i kthehemi vendimit në fjalë: protagonist në të, është Platini. Ai, katapultoi nga një futbollist në administrator të institucioneve ndërkombëtare, respektivisht, nga FIFA te UEFA. Aktualisht ai mban rolin e presidentit të UEFA-s. Por, nga sa njohim, nga natyra njerëzore dhe shkencat, një futbollist zhvillon kryesisht aftësitë e tij fizike dhe arsyetimin instinktiv. Pikërisht, sepse, ai i përsërit këto veprime. Përsëritja në vetvete zhvillon aftësinë tonë në çdo objektiv. Dhe, nëse një futbollist nuk edukohet paralelisht në aspekte të tjerë shkencorë dhe etikë, ai s’ka kurrsesi mundësi të zhvillojë arsyetim silogjistik dhe etikë. Ky i fundit kërkohet për çdo njeri e jo vetëm për administratorët. Nëse gjykojmë nga Platini, ai ka zhvilluar vetëm njërën anë: anën fizike dhe instinktive. Por këtë anë zakonisht e zhvillojnë të gjitha kafshët që jetojnë në xhungël e jo më njeriu.
Kështu, Platinisë i mungon zhvillimi shkencor dhe etik. Për të njëjtën arsye UEFA është një institucion anti-shkencor. Problemi, sidoqoftë, nuk kufizohet vetëm tek UEFA: thuajse të gjithë institucionet sociale sot, administrohen nga njerëz që zhvillojnë njërën anë ose të dyja por jo plotësisht. Kjo është arsyeja (ose shkaku) se përse Platini vendosi aq foshnjërisht në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Nëse kthehemi, tani, tek aftësia e Armand Dukës, presidentit të FSHF-së, dhe gjykojmë nga jeta dhe studimet e tij, mund të konkludojmë njëlloj: sepse ai, me të vërtetë ka studiuar ekonomi socialiste, por profesionin e tij e ka ushtruar në parqet e mallrave, në të cilët mund të përmirësohet mirëmbajtja dhe shpërndarja e tyre, por jo si administrator specifik i të drejtës publike. Kjo është arsyeja që ai, njëlloj si Platini, katapultoi në tregun e marketingut dhe u bë, shumë shpejt një tregtar i suksesshëm. Dhe siç dihet, nga pasuria, zakonisht burojnë edhe ofiqet në administratën publike. Rrjedhimisht, zhvillimi i tij në drejtësi është tejet i pjesshëm.
Por, në rezultatin e ndeshjes në fjalë, Duka s’ka dhe shumë përgjegjësi. Përgjegjësia bie mbi Platininë dhe anëtarët e tjerë të UEFA-s dhe procesi se si zgjidhen administratorët e institucioneve në fjalë. Në të parin, sepse ishte futbollist i mirë, në të dytin sepse ishte tregtar i mirë. Të dy rastet nuk lidhen aspak me drejtësinë. Kësisoj, këto institucione duhet të vendosin kritere specifike për pretenduesit e roleve përkatës. Ndryshe padrejtësia do të jetë gjithnjë në zemër të institucioneve në fjalë. Pasi të vendosen kriteret, d.m.th. një individ që zhvillon njëherësh aftësinë e tij intelektuale silogjisitike (shkencore) dhe etike dhe aftësinë e tij fizike, mund të pretendohet një post publik. Nëse këto dy kritere nuk përputhen tek një pretendues atëherë institucioni do të çalojë gjithnjë. Nuk mjafton, rrjedhimisht, dorëheqja e Dukës, siç këlthasin shumë në massmedia (Ngjela etj.) për të përmbysur rezultatin në fjalë. Sepse edhe nëse dorëhiqet Duka vendimi në fjalë varet nga Platini e të tjerë si ai. As edhe dëftimi i korrupsionit në radhët e UEFA-s (Dita, 25 Tetor 2014). Sepse korrupsioni është pasojë, jo shkak. Por duhet të vendosen kritere shkencorë qoftë për UEFA-n, FIFA-n, FSHF-në e institucione të tjerë me qëllim që drejtësia të luajë rolin e vet.
No comments:
Post a Comment