30/11/2015

RRUSTEM MUSTAFA DHE LATIF GASHI EDHE SHKELËS TË LIGJIT EDHE "MËSUES" TË RESPEKTIMIT TË TIJ



Arban Bislimi 


Ngjarjet që më kanë prekur më së shumti mbas lufte janë denimet për krime lufte të ish-luftëtarëve të UCK-së e cila është krenaria më e madhe e këtij populli dhe vlera më e lartë e tij; ushtria me luftën më të paster të parë ndonjëhere. Konfirmimin e denimit të Latës dhe Remit nga Gjykata e Apelit me 6 Nëntor 2015 e kam përjetuar rëndë... Sepse thjeshtë ishte denim politik sikur të gjithë ato procese të montuara kundër uçk-së. Kam qenë në dijeni sikur i gjithë opinioni (i cili është njoftuar përmes gazetave me 9 Nëntor 2015) se Remi edhe Lata kanë humbur automatikisht mandatin e deputetit. 

Përkundër këtij obligimi ligjor dhe Kushtetuesë të dy kanë vazhduar të votojnë si deputet. Më ka ardhur keq të përmendi këtë të vërtetë ndokund në publik për hatër. Megjithatë vjen një moment kur edhe të shkelësh ligjet dhe kushtetutën e vendit tënd edhe të paraqitesh "mësues" se si duhet respektuar ligjin, respektuar Shtetin, etj (si në ekstraktin qe vijon) më duket e tepërt dhe neveritëse: "Unë respektoj vendimet institucionale gjygjësore, e kam deklaruar se na duhet ndjeshmeri ndaj rendit, ligjit shumë herë. Sot ndjeva obligimin zyrtar dhe e dorzova mandatin e deputetit." 

Obligimi Zyrtar dhe ligjore nuk shkon "me ndjenja" por me zbatim të obligimit zyrtar në momentumin e duhur, në momentin kur të pushon mandati.

Tjetër është ajo se shkelja e ligjit dhe kushtetutës në këtë rast nuk është bërë për ti shërbyer ndonjë interesi madhor apo në respektim të ndonjë parimi apo rezistence e as ne te mire te vendit apo Shtetit, por thjeshtë për ti shërbyer obligimeve klanike dhe partiake të politikës ditore duke kryer votime të jashtëligjshme në Parlament dhe dhunuar ashtu këtë institucion "sovran". 

Remi dhe Lata në letrat e tyre u munduan të paraqiten si njerëz të përgjegjshëm, që respektojnë vendimet e institucioneve, si "burra të mëdhenjë dhe të ndritur të Shtetit"; mjerisht ata dhunuan dhe sfiduan deri në fund për tri javë rreshtë vendimet e institucioneve gjyqësore, ligjin dhe kushtetuten e Kosovës duke votuar atëher kur kishin humbur automatikisht mandatin e deputetit me datën 6 Nëntor 2015... Votat e tyre janë të pavlefshme dhe të paligjshme dhe pa to shumë votime nuk kishin mundur të realizohen... Qeveria dhe mazhoranca ka dhunuar ligjin dhe kushetuten me voten e tyre... Dhe vota e tyre ka shërbyer vetdijshem dhe kunderligjshem për këtë qëllim!

 Këto votime do mbeten si njolle ne karieren e tyre patriotike dhe institucionale mbasi i kane vene qëllimet partiake, individuale, grupore dhe klanike të një Qeverie që mbron Zajednicën, Gjykatën speciale, Demarkacionin dhe shumë pozita të paqendrueshme karshi historisë mbi interesin e sundimit te ligjit, te respektimit te rendit dhe Kushtetutes dhe mbi interesin e vendit... 

Thjesht, u korritën gjerë në fund dhe u munduan përsëri me letrën e lamtumirës ti shërbejnë të njejteve qëllime duke u paraqitur rrejshëm si "shembull" se si respektohen institucionet, ligjet dhe kushtetuta e vendit... Përsëri na dhimben, por së paku të mos shiten mësuesa...

No comments:

Post a Comment