29/11/2015

Rexhep Qosja : Albini e dërguan në burgun e sigurisë së lartë ashtu siç i dërgonte Millosheviçi atdhetarët në Centralni Zatvor

Akademik Rexhep Qosja ka reaguar pas dërgimit të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti në Burgun e Sigurisë së Lartë, në Dyz, të cilit Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën me paraburgim prej 30 ditësh.

Qosja ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” se, të rinjtë shqiptarë të konsideruar armiq të pushtimit serb, regjimi i Millosheviqit i çonte në burgun e sigurisë së lartë në Beograd, në Centralni Zatvor, dhe në burgjet e sigurisë së lartë në Sremska Mitrovicë e në Nish. Kurse, sipas tij, regjimi i ish shërbëtorit të Millosheviqit, Isa Mustafës, dhe bashkëpunëtorit të tij të sotëm, Hashim Thaçit, kundërshtarët e vet politikë, të trajtuar armiq, s’mund t’i çojë aq larg, por po i çon afër, në Burgun e Sigurisë së Lartë te Podujeva.
Postimi i plotë i akademik Rexhep Qosjes:
Ish-kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u dërgua në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz afër Podujevës dhe u dërgua aty si të ishte kriminel me rrezikshmëri të lartë e jo deputet i Republikës së Kosovës! Në burgun e sigurisë së lartë janë vënë edhe zyrat e Vetëvendosjes: rreth tyre edhe në mëngjesin e sotëm janë forcat policore!

Të rinjtë shqiptarë të konsideruar armiq të pushtimit serb, regjimi i Millosheviqit i çonte në burgun e sigurisë së lartë në Beograd, në Centralni Zatvor, dhe në burgjet e sigurisë së lartë në Sremska Mitrovicë e në Nish. Regjimi i ish shërbëtorit të Millosheviqit, Isa Mustafës, dhe bashkëpunëtorit të tij të sotëm, Hashim Thaçit, kundërshtarët e vet politikë, të trajtuar armiq, s’mund t’i çojë aq larg, por po i çon afër, në Burgun e Sigurisë së Lartë te Podujeva. Mund të ndodhë që, në qoftë se këta dy dhunëtarë pushtetorë do të mbahen edhe ndonjë muaj në pushtet, Albin Kurtat e ardhshëm t’i çojnë në burgun e sigurisë së lartë në Bashkësinë e Komunave Serbe, në shtetin serb në Kosovë!

Ata që e urdhëruan dërgimin e Albin Kurtit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz - në Bastijën e Kosovës: Isa Mustafa e Hashim Thaçi, nuk e kanë mësuar historinë: ata s’dinë se Bastija e Francës është rrënuar prej atyre që rrëzuan tiraninë mbretërore dhe krijuan Republikën e Francës.

Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz - Bastija e Kosovës është krijuar për më të rrezikshmit e sotëm të Kosovës: për të korruptuarit pushtetlartë, për pronarët e rançeve e pasurive të tjera të ndryshme të krijuara duke zhvatur Kosovën!

Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz - Bastija e Kosovës është krijuar edhe për kriminelët e krimit të organizuar e jo për mbrojtësit e Republikës, jo për mbrojtësit e tërësisë politike, kombëtare e territoriale të Kosovës.
Ata që e urdhëruan dërgimin e Albin Kurtit në Burgun e Sigurisë së Lartë - në Bastijën e Kosovës, harruan se para rrënimit të Bastijës pashmangshmërisht, me logjikë historike, rrënohet regjimi që në Bastijë i çon atdhetarët e Kosovës.

Ashtu u bëftë!
Ashtu e do e mira e Kosovës!
Ashtu e do e ardhmja demokratike e Kosovës!
Rexhep QOSJA, 29 nëntor 2015

No comments:

Post a Comment