Është gabim i pafalshëm i Vetëvendosjes që nuk e "luan lojën". Fundja mjafton të veshin kravata e kostume të shtrenjta, të servilosen nëpër korridore ambasadash, të blejnë e të shantazhojnë media e gazetarë. Mjafton të vjedhin pak aty ku e kanë pushtetin, të japin leje ndërtimi në Prishtinë, e në të njëjtën kohë të betohen për luftë të pandalshme kundër korrupsionit.
Pse t'i rrinë aktivistët pa punë e pa bukë Vetëvendosjes nëpër aksione? Pse të mos bëhet si partitë e tjera, që aktivistë e aksione s'kanë hiç, por kanë klientë e vasalë të ngopur me thërrime tenderash?
Pse i jep deputetëve gaz lotsjellës Vetëvendosje, a s'është më lehtë që gazi t'i jepet popullit, siç dhe është menduar nga ata që e kanë shpikur?
Pse t'i arrestohen e t'i dërgohen në Dyz deputetët që kurrë s'kanë prekur armë me dorë, ndërkohë që deputetët e partive të tjera bashkë me vëllezër, bij, kunetër e baxhanakë kanë vrarë e prerë, kanë rrahur e vjedhur e shantazhuar, e kurrë s'i kanë njohur prangat.
Pse nuk merr ndonjë avokat të shtrenjtë Vetëvendosja për të arrestuarit e saj, por zgjedh vetëmbrojtjen?
Pse nuk gënjen e shpif, pse nuk çel ndonjë portal të vjellash apo ndonjë televizion idiotesk?
Pse nuk e mbulojnë fytyrën aktivistët në protesta?
Pse rri Visari, Albini, Dardani etj. deri në fund të protestës, bashkë me dhjetëra aktivistët më të mirë, që tash janë nëpër burgje?
Pse nuk e "luan lojën" Vetëvendosja, të premtojë 300 mijë vende pune e të mashtrojë sa mundet?
Pse lodhet Vetëvendosja të bëjë program të detajuar qeverisës, me ekspertë të mirëfilltë, ndërkohë që edhe ministritë janë të mbushura me analfabetë, e program kurrë s'ka shkruar apo lexuar dikush tjetër këndejpari.
Pse i publikon Vetëvendosja gjithë të hyrat e të dalat, pse mban fatura, pse nuk i kanalizon paret nëpër "biznese miqësore" si të gjithë?
Pse nuk i kërcënon Vetëvendosje ata që shpifin pa u ndalur kundër saj? Pse ka lejuar të bëhet diçka kaq e lehtë të shpifësh e të shash publikisht Vetëvendosjen nëpër media ku për pushtetarët s'guxohet të thuhet as e vërteta, a nuk di dhe Vetëvendosja ta luajë syrin si Kadriu?
Pse nuk i promovon njerëzit e saj në media, biznes apo administratë?
Pse nuk heq dorë, mbi të gjitha, nga Bashkimi Kombëtar, siç kanë bërë të gjithë ata që ditën ta "luajnë lojën" për vete, duke braktisur çdo projekt për të cilin ky popull dha gjak dëshmorësh?
No comments:
Post a Comment