24/07/2014

Karta e Munguar e Shqiptarëve Ortodoksë të Maqedonisë




Ariola Molla

24 Korrik 2014




Mu duk ndër lajmet më të rëndësishëm për konfliktin shqiptaro-maqedonas ai i botuar ditët e fundit në faqen e internetit The Albanian mbi praninë e një komuniteti prej 300 mijë shqiptarësh ortodoks me identitet të mohuar në Maqedoni. Përpos dhimbjes për asimilimin e dhunshëm dhe harresën historike të këtij komuniteti, më duket mua kjo ishte karta e munguar që përcakton dorën fituese në perpjekjet dypalëshe për portretizimin e konfliktit dhe trajtimin e tij.

Për dy arsye:

E para, ndersa spektri pan-shqiptar Tiranë-Kosovë-Maqedoni mbron tezën se revoltat e kohëve të fundit janë rrjedhojë e pashmangshme e dhunimit sistematik të të drejtave politike, kulturore, ekonomike dhe sociale të popullsisë shqiptare në Maqedoni (mosrespektimi i Marrëveshjes së Ohrit paraqitet si argument de facto në këtë diskutim), pala qeveritare maqedonase e ravijëzon konfliktin thjesht dhe vetëm si aktivizim të radikalizmit islam ndërsa garanton publikisht kundërpërgjigje me forcën maksimale të shtetit. Jashtë radikalizmit, pohon pala maqedonase, komuniteti shqiptar gëzon të drejta të barabarta me popullsinë maqedonase.

Informacioni i ri mbi komunitetin shqiptar ortodoks në Maqedoni dhe asimilimin e tij të dhunshem –nëse kjo provohet përtej dyshimit të arsyeshëm siç do argumentoj më poshtë- delegjitimon pretendimet e palës maqedonase, rrëzon argumentet e saj ekskluzivë fetare, dhe e ri-dimensionon konfliktin në permasa kryesisht etnike. Nuk është më një betejë e sotme me elementë radikalë fetare shqiptarë, por një lufte e kahershme me të gjithë etnine shqiptare pa dallim feje që jeton në Maqedoni.

Permenda më lart "kryesisht" dhe jo "konflikt tërësisht etnik" pasi një pjesë e këtij konflikti në mënyrë të pashmangshme duket se do cilësohet si perplasje me elementë fondamentalistë meqënëse për fat të keq, depërtimi i këtyre elementeve në radhët e komunitetit shqiptar dhe nxitja e dhunës fetare sporadike tashmë janë fakte që nëse nuk konfrontohen sot prodhojnë nesër një realitet të rrezikshëm që minon sigurinë dhe vlerat demokratike. Ishte e dhimbshme për mua të shihja flamuj kombëtare ngatërruar me flamuj dhe parrulla islame në protestën e shqiptarëve.

Pse dhe si kanë depërtuar elementë fondamelistë është një pyetje tjetër përtej këtij titulli. Megjithatë, në të njëjtën linjë me praktikën e ndjekur nga fondamentalistët në vende të Lindjes së Mesme, është e thjeshtë të konkludohet se një politikë e vazhdueshme e marxhinalizimit të grupeve të caktuara të shoqerisë përbën torfën e duhur për të mbjellë aksione radikale që luajnë me kartën e viktimizimit për të nxitur urrejtje dhe përplasje fetare. Për shembull, qysh në fillimet e veta Osama Bin Laden i referohej poshtërimit të myslimanëve nga perëndimorët dhe u bënte thirrje pasuesve të tij për rivënie në vend të dinjitetit si njerëzit e zgjedhur të zotit. Të njëjtat tema përdor sot ISIS në Irak për të nxitur urrejten e popullsisë sunni ndaj qeverisë kryesisht shia. Shkurt, ekstremizmi në mbrotje të Islamit tërheq ato grupe shoqërore që ndjehen dhe janë lënë pas dore dhe jashtë zhvillimi dhe kërkojnë të rikonfirmojnë identitetin dhe vlerat e tyre. Unë shpresoj shumë që shqiptarët e të gjitha trevave do munden të mos bien në këtë grackë, jo vetëm duke u distancuar nga radikalizmi, por idealisht duke çrrënjosur përfundimisht dëmin e deritanishëm.

Së dyti, lajmi mbi shqiptarët ortodoksë në Maqedoni mu duk i rëndësishëm për shkak të numrave që servirte. Z. Branko Manojlovski pohon se ky komunitet i cili ndodhet ne zonën e Rekës së Epërme me 17 katunde kryesisht shqiptare ortodokse përmban më shumë se 250 mijë shqiptarë të besimit ortodoks. Teorikisht, nëse do ia shtosh këtë numër shifrës aktuale të 509,083 ose 25.2% Shqiptarëve, do të thotë që Republika e Maqedonisë me një përbërje prej 2,022,547 sipas Censusit të fundit të vitit 2002 ka aktualisht 37,53% shqiptarë. Nëse kjo provohet, si rënie e parë në këtë betejë duhet të jëtë percaktimi apo epiteti "minoritet shqiptar" dhe, i dyti, përqindjet e përfaqësimit shqiptar sipas Marrëveshjes së Ohrit. Flas përsëri "teorikisht" sepse jam e vetëdijshme që shifrat më lart e kanë të pamundur ti përgjigjen realitetit sot, kur pas një periudhe të gjatë 70 vjeçare harrese të detyruar numri i njerëzve që vullnetarisht deklarohen ortodoksë shqiptarë sot është larg këtij pretendimi.

E vetjma pikë diskutimi mbetet autoriteti i lajmit, vërtetësia e tij, dhe mbi të gjitha si mund të fillojë procesi i rizgjimit kombëtar të kësaj popullsie. Në fund çdo gjë do të varet nga vetë-identifikimi vullnetar i kësaj popullate si shqiptarë. Ekzistenca e popullsisë ortodokse shqiptare në Maqedoni është fakt historik. Një kërkim i thjeshtë në google prodhoi disa artikuj mbi asimilimin e dhunshëm të shqiptarëve ortodoks dhe si ata janë detyruar të ndërrojnë mbiemrat dhe deklarohen maqedonas ndër vite. Lexova dhe histori personale të disa personaliteteve të inteligjencës maqedonase. Duket gjithashtu se Z.Manojlovski ka raportuar për femonemenin në një takim në Muzeun e Holokaustit në Çikago ku është vendosur fillimisht të punohet për të siguruar një dëshmi në Kongresin Amerikan në Uashington për njohjen e identitetit të shqiptarëve ortodoks në Maqedoni. Së fundmi, sipas artikullit The Albanian, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Z. Jakup Krasniqi është takuar me Z. Manojlovski dhe e ka cilesuar atë si misionarin e ringjalljes kombëtare ndër shqiptarët ortodoks në Maqedoni.

Ky është vetëm fillimi i nje aksioni të madh dhe të gjatë politik. Aksion që lyp angazhimin serioz të të gjithë aktorëve të politikës shqiptare për rizgjimin dhe njohjen e identitetit të mohuar të shqiptareve ortodoksë të Maqedonisë. Mbi të gjitha është gur prove për nacionalizmin shqiptar. Nacionalizmi si sentiment lind nga mospërputhja midis kufijve etnikë-kulturorë dhe atyre shtetërorë. Cdo perpjekje me flamurin e nacionalizmit shqiptar duhet të kalojë përmes shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë dhe të trokasë në çdo derë të tyren për të rizgjuar kombin tek ata dhe për të provuar se kufijtë e kulturës dhe identitetit shqiptar nuk identifikohen me një fe të vetme. Shqiptarizmi është dhe duhet te qëndrojë mbi fetë e shqiptarëve.


No comments:

Post a Comment