31/07/2014

Ekskursionet përtej lokalizmave





Arbër Zaimi
31 Korrik 2014


Hartën e vendit dhe kombit ata të rinj idealistë e kishin në radhë të parë në përfytyrimin e tyre emancipues – e jo në projektet e imponuara asokohe prej realiteteve ekzistuese.

Çka ndodh sot? Përveç faktit që nuk lexohet shumë Petro Marko, e kam fjalën…

Stina e turizmit (ndërshqiptar) shoqërohet masivisht nga dy fenomene, nga njëra anë reklamat e ndërmarra nga shtete, media, biznese etj. e nga ana tjetër keqkuptimet dhe habitë e shqiptarëve me identitetet e njëri-tjetrit, me lokalizmat e partikularizmat, të cilat diku-diku theksohen aq shumë sa që duket se do të pjellin ndonjë problem kushedi sa të madh – edhe pse në fund nuk mbërrijnë veçse të shtërzojnë ndonjë anekdotë verore me shije të keqe. Pse ndodh kështu?

Kështu ndodh sepse shqiptarët nuk e njohin njëri-tjetrin. Dhe për ta njohur njëri-tjetrin nuk mjaftojnë reklamat (madje nuk di as a hyjnë në punë reklamat kur vjen puna për turizëm ndërshqiptar). Nuk mjaftojnë as emisionet e cekëta televizive, as dokumentarët. Duhet emancipim dhe edukim. Ai emancipim që grupi i veprimtarëve të Spanjës e ka mbërritur përmes autodidaskalisë – por që për popullin e për masat nevojitet të përcillet mes sistemit arsimor e përmes politikave pedagogjike.

Një lëndë shkollore që shpjegon kulturat dhe identitetet e ndryshme që formësojnë shqiptarin do të ndihmonte shumë në tejkalimin e një sërë sikletesh. Një lëndë ku do të shpjegoheshin shfaqjet kulturore, dialektore e fetare, një lëndë ku do të shpjegohej kultura familjare, qytetare e fshatare e krahinave, ku do të shpjegoheshin (dhe rrënoheshin me shpresë) stereotipet. Por, një lëndë e tillë nuk do të bënte as një të dhjetën e punës që do të bënte një program i përbashkët (Shqipëri – Kosovë) i ekskursioneve për arsimin parauniversitar, dhe i shkëmbimit studentor për arsimin universitar.

Është tërësisht e realizueshme një politikë e tillë – dhe do të duhej të propozohej e të zbatohej. Secila klasë e parauniversitarit në Shqipëri e Kosovë, së paku një herë në vit, do të duhej të bënte një ekskursion me kosto të mbuluar nga shteti. Në 12 vite një nxënës do të bënte (fjala vjen) 4 ekskursione në Kosovë, 4 në Shqipëri, dhe 4 në Maqedoni, Mal të Zi e në Preshevë-Medvegjë-Bujanoc. Kostot e një operacioni të tillë do të ishin në total afër 8 mln. euro për Shqipërinë dhe po aq për Kosovën, e nëse këto kosto do të menaxhoheshin prej administratave të njësive lokale, të ndara sipas numrit të nxënësve për njësi, nuk do të përbënin asnjë lloj stërmundimi për menaxhim, as justifikim për burokraci.

Me një politikë të tillë të rinjtë shqiptarë do të përballeshin me njëri-tjetrin në situata jo aq dramatike sa në 1999 dhe jo aq qesharake sa në plazhin e Durrësit. Do të prodhohej një kohezion më i madh social-kulturor, dhe do të merrte një goditje krahinarizmi e lokalizmi, që këtu te ne përbëjnë sëmundje serioze të politikës dhe të shtetformimit. Do të formohej populli që pasi njeh vetveten, nis të përballet me botën si i barabartë (të mos harrojmë se si Marko etj. ndërkohë që të angazhuar në çështjen shqiptare, pikërisht sepse i kishin lënë pas shpine vogëlsitë e lokalizmave, ishin në gjendje të shihnin përtej e të solidarizoheshin ndërkombëtarisht me çështjen antifashiste).

Një politikë e tillë do të kishte dhe raison ekonomik. Paratë e përdorura për financimin e këtyre ekskursioneve shkollore do të shpërndaheshin nëpër destinacione e operatorë turistikë në një mënyrë paksa më të barabartë se sa ç’lejojnë ligjet e turizmit industrial. Në Kosovë nuk do të vizitoheshin vetëm treshja Prizren-Prekaz-Prishtinë, e në Shqipëri nuk do të shkohej vetëm në Tiranë-Vlorë-Sarandë. Do të kthehej vëmendja tek “provincat” e anashkaluara, tek ato që mbeten jashtë vëmendjes kulturore e mediatike që tash për tash është e uzurpuar nga grupi i vogël i pasanikëve kryeqytetas (Tiranë-Prishtinë), për të cilët bashkimi s’ka asnjë nevojë të ndodhë, sepse tashmë ka ndodhur për ata, nëpër klubet ekskluzive të Dhërmiut, Tiranës a Prishtinës.

Një politikë e tillë për Shqipërinë e Kosovën do të shkonte paralel me krijimin e një tregu të përbashkët të punës, me forcimin e shtyllave të një kulture të përbashkët apo me përparimin në rrugën e politikave të përbashkëta të sigurisë. Është e domosdoshme që të rinjtë tanë të nxirren prej guaskave të tyre identitare, të përballen me larminë, me të ndryshmen, me shumësinë që përbën të përbashkëtën. Këta nxënës që do të përfitonin prej ekskursioneve jo vetëm që do të zbaviteshin e që do të bënin shokë të rinj në vende të ndryshme, por do të zgjeronin kapacitetet e tyre njohëse. Do të zvogëlohej shansi që brezi i ri të jetë një brez bigotësh, diskriminuesish, mospranuesish, këmbëngulësish fundamentalistë të barrikaduar pas identiteteve. Do të përgatitej një subjekt i ri, një individ i dalë përtej vetvetes, përtej familjes dhe familjares. I cili pasi të kishte tretur shumësinë që përbën të përbashkëtën shqiptare, në analizë të fundit, do të ishte shumë më i prirë të ballafaqohej edhe me ndryshime e tjetëri shumë më të mëdha, në rajon, në Evropë, apo më tej.

Në një veprimtari të tillë do të duhej të përfshiheshin edhe nxënësit e minoriteteve etnike a kulturore, e të tilla iniciativa do të kishin impakt real edhe në luftën ndaj diskriminimeve ekzistente. Po ashtu, do të përfshiheshin si të barabartë fëmijë e të rinj nga shtresa të ndryshme ekonomike. Do të mësonin për problemet e njëri-tjetrit (ndryshe nga turizmi, që i mbulon problemet dhe synon të vërë në pah vetëm bukuritë zbavitëse) e kështu do të formësohej ndoshta ndjeshmëria apo filizat e solidaritetit. Do të mësonin të shihnin përtej problemit individual dhe synimit të ngushtë personal, këtij hendeku kaq të madh që e ndan shqiptarin e tashëm prej vetë qytetarisë.

No comments:

Post a Comment