07/12/2015

Paqja pa drejtësi është heshtje para furtunës



Ismail Kurteshi

"Serbia ka pretendime ndaj tërë Kosovës, jo vetëm ndaj një pjese të saj"
Daniel Server
Përmes negociatave të Brukselit, në Prishtinë të proklamuara si ndërkombëtare, në Beograd të trajtuara si bisedime me autoritetet lokale të krahinës jugore të Serbisë, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, neutral ndaj statusit të Kosovës, por që realisht po i përkrahin projektet serbe, për ta mbajtur Serbinë larg Rusisë dhe integruar atë në Bashkimin Evropian, nuk mund të arrihen zgjidhje të drejta.

E tërë kjo ndërmarrje, me moton: “Negociata për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë” ka filluar keq dhe nuk ka si të përfundoj mirë, sepse nuk ka për qëllim arritjen e zgjidhjeve të drejta në mes të dy shteteve, por imponimin e paqes në një vendi që për njërën palë është shtet, për tjetrën krahinë, e për palën e tret territor i pa definuar. Normalizimi kështu nuk do të arrihet.

Ndërkombëtarët të fokusuar në menaxhimin e situatës dhe imponimin e paqes, e kanë injoruar faktin se paqe pa drejtësi nuk ka, por injorimi i fakteve vetëm sa do ta komplikojnë situatën.

Po qe se përmes këtyre negociatave Serbia do t’i realizonte synimet e saja, që kanë për qëllim ndarjen e një pjesë të Kosovës dhe defunksionalizimin e pjesës së mbetur të Republikës së Kosovës, do të shkohej drejt acarimit të marrëdhënieve në mes dy popujve, që një ditë do të përfundojnë me konflikt me pasoja të paparashikueshme.
Përfaqësuesit e Kosovës kanë dështuar kur kanë pranuar të hynë në negociata me Serbinë para se ajo ta njeh pavarësinë e Kosovës.

Kanë dështuar kur kanë filluar të negociojnë me Serbinë pa i kushtëzuar negociatat me parimin e reciprocitetit.

Kanë dështuar kur kanë pranuar të negociojnë me Serbin për çështje të brendshme të Kosovës.

Kanë dështuar kur kanë pranuar të bisedojnë me Serbinë, derisa Serbia në Kushtetutën e saj, Kosovën e konsideron pjesë të saj.

Në këto rrethana kur njëra palë hapur shpreh pretendime territoriale dhe negociatat nuk janë parimore zgjidhje të drejt nuk mund të ketë.

Ky fillim i keq ka bërë që:
Serbia ta kontrollon tërësisht sistemin e arsimit në gjuhën serbe në Kosovë, kurse në Luginën e Preshevës të mos i lejoj tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë, e Qeveria e Kosovës që ka heq dorë nga reciprociteti, të mos reagoj. 

Serbia ta kidnapoj përmendoren e dëshmorëve të Kombit në Preshevë, kurse ajo vet t’i ngrit përmendore Kral Millutinit në Graqanicë, e Qeveria e Kosovës të hesht.

Serbia t’i blej pronat e shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës dhe të ndërtoj shtëpi për serbët që jetojnë në Serbi, kurse shqiptarëve të dëbuar pas lufte, për ta pamundësuar kthimin e tyre, nuk po ju lejohet t’i rindërtojnë shtëpitë e shkatërruara nga Serbia, e Qeveria e Kosovës të mos reagoj. 

Strukturat ilegale të Serbisë ta pengojnë Ministrin e Financave të shkoj në doganat e Kosovës, e gjykatat e Kosovës t’i dënoj policët që e kanë krye punën e tyre në raport me truprojat e një ministri të Serbisë 
që ilegalisht ka hy në Kosovë, e Qeveria e Kosovës të bëhet se nuk po kupton gjë.

Serbia ta pret si hero kriminelin Vlladimir Llazareviq që u mbajt 10 vite në burgjet e Hagës, për shkak të krimeve në Kosovë, e Qeveria e Kosovës edhe më tutje t’i bëjë koncesione Serbisë gjoja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ministra e deputet serb të Kosovës të punojnë hapur për realizimin e projekteve të Beogradit, kurse Qeveria e Kosovës të urdhëroj arrestimin e të gjithë atyre që po përpiqen t’i pengojnë projektet e Serbisë për zhbërjen e Kosovës. 

Qeveria e Serbisë me tërë arsenalin e saj diplomatik të angazhohet për pengimin e pranimit të Kosovës në UNESCO, e Qeveria e Kosovës t’i vazhdon negociatat sikur asgjë të mos kishte ndodhur.

Këto, dhe shumë koncesione që i janë bërë Serbisë, e që nuk u përmenden në këtë shkrim kanë bërë që opozita bashkë me pjesën dërmuese të qytetarëve të reagojnë me vendosmëri, dhe kërkon ndërprerjen e koncesioneve që po qojnë drejt shkatërrimit të Republikës së Kosovës.

Opozita e bashkuar, bashkë me qytetarët e Kosovës, që nuk kanë atdhe rezervë dhe as xhirollogari në bankat jashtë vendit, janë të vendosur t’i thonë stop koncesioneve, si ato për “Zajednicën” dhe të gjitha marrëveshjeve të dëmshme të imponuara nga Serbia, sepse e kanë të qartë se normalizim të marrëdhënieve kështu kurrë nuk do të ketë.

Se kështu normalizim nuk do të ketë, me gjasë do të fillojnë shpejt ta kuptojnë edhe qeveritarët, por atyre ju duhet edhe pakë kohë për ta pranuar se aprovimi i projekteve të Serbisë jo vetëm se është i dëmshëm por edhe i pamundshëm. Sepse realizimin e pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës nuk do ta lejojnë qytetarët e Kosovës. 

Ndërkombëtarët duhet ta kuptojnë se as tërë Kosova nuk i mjafton Serbisë për ta ndarë atë nga Rusia, e ne, qytetarët, kurrë nuk do të pranojmë të kthehemi në Serbi e as ta lejojmë kthimin e Serbisë në Kosovës.

Nëse ende ka të atillë që nuk e kanë kuptuar se “Zajednica” dhe demarkacioni nuk janë fare zgjidhje, është koha e fundit ta kuptojnë, e të gjithë së bashku të punojmë për zgjidhje të drejta, sepse paqe pa drejtësi nuk mund të ketë.

No comments:

Post a Comment