HYQMET ZANE
30 Shtator 2014
Çamëria është një krahinë që ndodhet në Greqinë Veri-Perëndimore në provincën e Epirit, prefekturë e Thesprotisë. Ajo ka një madhësi përafërsisht 10 mijë km2 dhe me një popullatë rreth 150 mijë banorë. Emri Çamëria vjen nga lumi antik Thyamis, që në ditët e sotme quhet Kallamas. Popullata e Çamërisë quhen çamë, ka qenë shqiptare me të dyja besimet, si kristianortodoks, ashtu edhe muslimanë. Çamët kanë një trashëgimi të pasur kulturore, siç është e shprehur në ligjet e tyre të kostumeve, zakoneve, traditës, të të folurit, këngëve dhe valleve.

Më 10 janar 1991 u formua Shoqëria Çamëria pikërisht në ato ditë kur kishte nisur procesi i pakthyeshëm “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe pluralizmi kishte nënshkruar dokumentin e të parës parti politike siç ishte PDSH. Ishin ditë që u vlerësuan nga qindra banorë të komunitetit çam në të gjithë Shqipërinë, në prag të vizitës së kryeministrit grek të asaj kohe Micotaqis. E rëndësishme për Shoqërinë Çamëria ishte kërkesa e trajtimit të çështjes së quajtur “problemi çam” që në atë kohë kishte 46 vjet që rrinte nën kthetrat e harresës vrastare të sistemit diktatorial.
Për kujtesën historike shqiptare, 27 qershori është regjistruar në kalendarin e kombit si dita e genocidit të shovinizmit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Më 27 qershor 1944 forcat e Regjimentit të 16-t të Divizionit të X të EOEA-s në Greqi nën komandën e kolonel Vasil Kamarës të udhëhequra nga Kranjaj me ndihmës Lefter Strugari, avokat Stavropullas, Ballumi, Zato, kriminelët me damkë Pantazejtë, etj., hynë në qytetin e Paramithisë. Në kundërshtim me premtimet e dhëna dhe marrëveshjes së bërë midis Myftiut Hasan Abdullai nga njëra anë dhe Shopera me dhespotin e Paramithisë nga ana tjetër, si agjentë të Zervës, filluan masakrat më të poshtra. Burra, gra dhe fëmijë të pambrojtur qenë objektivi i monarkofashistëve grekë. Numri i të masakruarave në qytetin e Paramithisë dhe rrethe arrin në 600 vetë.
Ishte ky epilogu i një genocidi antishqiptar, që prologun e tij e ka që nga ai prill i 1913, kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër do të vendoste copëtimin territorial dhe spastrimin e popullsisë autoktone shqiptare nga trojet e veta legjitime të njohura historikisht si atdheu i Pirros së Epirit dhe i Dodonës së lashtë, që flisnin tjetër gjuhë nga ajo e grekëve dhe që kishin të tjera tradita e zakone etnokulturore nga ato të grekëve. Shekulli i 20-të do të shënonte edhe atë genocid që do të merrte rrugën e paracaktuar nga Zeusët e Europës plakë ndaj shqiptarëve në Shqipërinë e vërtetë. Ka qenë 23 shkurti 1913, kur bandat e Delianaqit të shtytur dhe të përkrahur nga autoritetet shtetërore të Greqisë, masakroi, pa më të voglën arsye, 72 burra të krahinës së Paramithisë në Përroin e Selanit. Këto masakra qenë fillimi i shfarosjes së minoritetit shqiptar, të cilat zbuluan edhe orientimet që mori politika greke me Megalidenë kundrejt popullatës shqiptare muslimane të Çamërisë. Koska, Lopësi, Varfanji, Karbunari, Kardhiqi, Paramithia, Marglliçi, Arpica, Grikohori, Filati etj., janë ato që e kanë paguar më shtrenjtë këtë terror grek.
Përsëri, pa u ndalur në rrugën e tyre kriminale për shpopullimin e Çamërisë, më 1922-1923, qeveritarët e Greqisë vendosën të impononin shpërnguljen e elementit mysliman të Çamërisë në shkëmbim me grekërit e Azisë së Vogël, duke i konsideruar shqiptarët si turq. Ky akt i turpshëm i qeveritarëve të Athinës u ballafaqua me rezistencën çame dhe, me ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve, që konstatoi nacionalitetin e popullatës së Çamërisë, hodhi poshtë vendimin e qeverisë greke. Por, edhe pse qeveria greke kishte marrë angazhimet solemne në Lozanë të Zvicrës më 16 janar 1923, përsëri politika e shpronësimit të 6 mijë ha tokë të çamërve u bë një politikë e vështirësimit të jetesës në fshatrat Dushk, Gumenicë, Kardhiq, Karbunar etj., duke i populluar ato me grekërit e ardhur nga Azia e Vogël.
Lufta italo-greke u bë një shkak formal për të filluar ai plan spastrimi i territoreve të Çamërisë, kur qindra burra nga e gjithë krahina u internuan (shkuan në iksori siç thuhet nga vetë çamët) si skllevër në ishujt e Hios e Midilinit në kufi me Turqinë, me qëllimin e vetëm të shfarosjes së burrave, në një kohë që në qytetet dhe fshatrat e Çamërisë andartët dhe bandat e armatosura kryen vjedhje, bënë masakrime, çnderuan gra dhe vajza me mendimin se të zotët nuk do të ktheheshin më. Por ja që ndodhi e kundërta.
Por masakra e pas 27 qershorit 1944 do të ishte fatale për një popullatë që u gjend e pambrojtur nga brenda dhe nga Shqipëria. Vazhdonte dhe merrte përmasa genocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga ana e qarqeve më ultrashoviniste greke. Më 28 korrik 1944 forcat e regjimentit 40 nën komandën e Agorës hynë në Pargë ku masakruan 52 burra, gra dhe fëmijë. Dëshmitarë okularë që e kanë jetuar atë kohë si Muharrem Adem Ismaili shprehet se “masakrat e Çamërisë i mori vesh edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë nacionalçlirimtare dhe vetë Enver Hoxha që ato ditë ishte në rrethinat e Përmetit, por nuk dha asnjë urdhër dhe nuk dërgoi asnjë batalion, pale brigadë në Çamëri për të mbrojtur vëllezërit shqiptarë që po shfaroseshin barbarisht nga bandat e Napoleon Zervës. Bile më keq akoma Enver Hoxha dha edhe urdhër që të mbyllej kufiri jugor me Çamërinë në muajin gusht ’44 që popullata çame të mos vinte në Shqipëri, me mendimin që të mos linte vendin e vet. Por kjo ishte një tradhti e lartë se në atë periudhë u bënë edhe masakrimet më të mëdha. Nuk mund ta them me siguri, por mes Enver Hoxhës dhe komunistëve grekë duhet të kishte një marrëveshje, sepse asnjëra palë nuk denoncoi në atë kohë atë që ndodhi me popullin çam. Të mjerët njerëz nuk dinin kujt t’i kërkonin ndihmë”. Në fakt më vonë ngjarjet zbuluan të vërtetat e bashkëpunimit të PKSH me EAM-in që ishte në dijeni të asaj që ndodhi në Çamëri.
Forcat e EOEA-s nën komandën e Theodhori Vitos, Ilia Kaçon, Kristo Mavrudhi, Hrsito Kaço, Harri Dhiamanti etj., pasi rrethuan qytetin e Filatit, më 23 shtator 1944, ditën e shtunë në mëngjes, hynë në qytet. Po në këtë ditë hynë edhe në Spatar. Plaçkitën dhe grabitën të gjitha familjet. Duke u gdhirë 24 shtatori hynë edhe forcat e komanduara nga Kranjaj, Strugari etj., të cilët filluan menjëherë masakrat. Pas 47 të masakruarve burra, gra e fëmijë dhe 157 të masakruar në Spatar, pak ditë më vonë monarkofashistët grekë grumbulluan të gjithë burrat që kishin mbetur dhe me vendimin e gjyqit fallco Koqinja (kryetar), Stavropullas (prokuror) dhe 4 anëtarë dënuam me masakrim 47 burra të tjerë. Në Granicë të Filatit janë mbuluar kufomat e 46 vetëve të vrarë e të therur me thika dhe 45 të tjerë në Fushë të Filatit te ara e Xhelo Metos.
Duhet thënë se Çamëria, në luftën e madhe antifashiste kontribuoi materialisht dhe moralisht. Me qindra të rinj çamër u hodhën në radhët e ELAS-it, kur EAM-i lëshoi kushtrimin e luftës për liri. Me zgjerimin e luftës antifashiste kundër okupatorit gjerman, popullata e Çamërisë u hodh pa rezerva në një luftë totale dhe formoi Batalionin e 4-t të Regjimentit të 15 të ELAS-it. Nga popullata e Çamërisë dolën mbi 500 luftëtarë që luftuan me trimëri e vëndosmëri. Gjaku i Heroit Kombëtar Ali Demi e i dëshmorëve Bido Sejko, Muharrem Myrtezai, Ibrahim Hallumi, Hysen Vejseli e të tjerë u derdh bashkë me atë të partizanëve grekë në Qafat e Qeramicës, dëshmojnë për një fakt historik. Këtë e pasurojnë edhe internimet e shumë çamërve në kampet e përqëndrimit në Itali e Gjermani si Osman Zenel Taka, Hajri Fetahu, Nuri Emin Zane dhe Ramazan Jemin Gora, që gjithsesi asnjëherë nuk u nderuan si veteran dhe nuk u dekoruan për të qenë dëshmi dhe aktakuza ndaj pretendimeve greke.
Më 12 mars 1945 forcat qeveritare greke të garnizonit të Korfuzit, duke shkelur marrëveshjen e Varkizës (shkurt 1945), organizuan dhe kryen pabesisht masakrat e shëmtuara të Vanrës (Filat) që nxorën në shesh politikën antishqiptare dhe genocidin e forcave greke. Qëndrimi në Shqipëri si refugjatë të pas Luftës II Botërore do të ishte edhe më fatal për popullatën shqiptare të Çamërisë. Filloi një genocid i ri i tipit komunist. Dhjetëra e qindra burra u dënuan sapo vinin nga Çamëria me akuzën, se kishin vrarë atje qytetarë grekë. Por asnjëherë shteti shqiptar nuk dënoi ndonjë grek që kishte bërë masakra ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Edhe deklarimi i E.Hoxhës në Konferencën e Paqes në Paris ishte një demagogji e radhës që do të hidhej poshtë me veprat që bëri ndaj një popullate të masakruar e të shpërngulur pa shtëpi e katandi nga ana e shtetit komunist. Burgu i Gjirokastrës është dëshmitari okular i persekutimeve që pësuan shumë çamër vetëm e vetëm se ishin nacionalistë. Aqif Selimi, një i përndjekur politik i regjimit të diktaturës shqiptare që ka bërë 32 vjet në burgjet komuniste, bile ca vjet edhe në Gjirokastër, pohon me dhembje se ka parë me sytë e tij dhe ka përjetuar me një kujtesë fenomenale se si para gjyqeve komuniste të kohës dënoheshin pa më të voglin dyshim bij të Çamërisë vetëm e vetëm se nuk pranonin se ishin vrasës dhe se nuk pranonin të bashkëpunonin me komunistët grekë dhe se ishin nacionalistë. Llagëmet e kalasë së Gjirokastrës janë dëshmitarët e gjallë të atyre persekutimeve dhe veprimeve genocidiste që kishin rënë pa mëshirë mbi burrat dhe djemtë e Çamërisë. Në këtë kala u bë edhe gjyqi ndaj nacionalistit Masar Dino, që u dënua me varje vetëm e vetëm se ai nuk ishtë bashkëpunëtor i komunistëve.
Lufta civile e Greqisë do të ishte një tjetër shkak për genocid mbi çamërit nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës. Mospranimi nga ana e komunitetit çam për të shkuar në Greqi për të luftuar në ndihmë të komunistëve grekë në luftën civile, do të çonte në kënetën e Maliqit dhe në Lozhan të Korçës qindra burra që vdiqën, u mbytën dhe nuk u kthyen kurrë tek familjet e tyre. Ndërsa 1953-shi do të shënonte edhe masakrën antikombëtare, kur shteti i diktaturës komuniste do t’u jepte çamërve shtetësinë shqiptare dhe duke u mohuar atyre shtetësinë greke, kur ata e kishin kombësi shqiptare e shtetësi greke. Konferenca e 17 e Tiranës e vitit 1956 do të shënonte edhe një luftë të re politike ndaj intelektualëve çamë që kundërshtuan kultin e individit të Enver Hoxhës, duke bërë që dhjetëra prej tyre të çoheshin në burgjet famëkeqe ose të përfundonin në vetëvrasje siç do ta personin edhe Veip Demi dhe Taho Sejko, dy personalitete me emër në jetën politike dhe shoqërore të kohës.
Kulmi do të shënohej më 1960 kur sigurimi i shtetit me orientimin e Enver Hoxhës do të shpikte një grup të ashtuquajtur armiqësor, ku drejtues do të ishin figurat e njohura : kundëradmirali Teme Sejko në bashkëpunim me Tahir Demin, Taho Sejko, Shaban Ademin, Osman Eminin, Adem Kalon e të tjerë që u pushkatuan e burgosën, sa shumë prej tyre nuk u dihen as varret. Genocidi antiçam do të thellohej edhe me një opinion masovik të përhapur nga organet e sigurimit të shtetit, duke mbjellë urrejtjen krahinore në mes të shqiptarëve, që deri në atë kohë kishin marrëdhënie shumë miqësore me familjet që bashkëjetonin në harmoni dhe pa probleme. Kjo situatë dhe atmosferë persekutimi, sa çamët konsideroheshin si qytetarë të dorës së tretë në shoqërinë shqiptare, do të vazhdonte deri më 1991, kur erdhi era e pluralizmit dhe fitoi demokracia.
Ka qenë kjo periudha, kur u krijua edhe Shoqëria Politike Atdhetare Çamëria që mendohej se do të mundësonte zgjidhjen e problemit çam në bashkëpunim me qeverinë demokratike. Puna e nisur mirë dhe me qëndrime dypalëshe nga qeveria demokratike e PD, do të sabotohej pas 1997-ës, kur në fuqi do të vinte qeveria socialiste e njohur për lidhjet e saj dhe bashkëpunëtorëve të saj me qarqet qeveritare greke. Zgjidhja e problemit çam po kthehej në një çështje që përdorej për të frikësuar shqiptarët emigrantë në Greqi dhe qeveritë e njëpasnjëshme greke do të fokusonin çështjen çame si gogoli i Ballkanit. Mosaprovimi nga ana e socialistëve i rezolutës për Çamërinë në mars-prill 2004 vulosi edhe karakterin antishqiptar dhe antiçam të qeveritarëve socialistë që kanë nënshkruar në këtë mënyrë edhe tradhtinë e radhës për një çështje që tashmë ka 70 vjet që vuan pasojat e genocideve të një shekulli të tërë. Duam apo nuk duam ne çështja çame është edhe një çështje që kërkon edhe angazhimin e sinqertë dhe me përgjegjësi të qeverisë dhe shtetit shqiptar, ashtu si edhe të institucioneve ndërkombëtare. Por një gjë e tillë nuk mund të ndodhë kur parlamenti shqiptar është i sunduar nga qarqet greke dhe që dikton përmes pinjollëve të saj dhe që urdhërohen nga greko-amerikani Nikolas Gage.
Ky është realiteti i një Çamërie që mban emrin shqiptar, bijtë e së cilës kanë luftuar për atdheun e tyre dhe flamurin kuq e zi, por që si shpërblim morën genocidin e një shekulli të tërë dhe sot e kësaj dite enden si refugjatët e vetëm në botë, të pakthyer në trojet tyre stërgjyshore.
Dhjetëra konventa ndërkombëtare që janë nënshkruar edhe nga Greqia për mbrojtjen e të drejtave të njeriut apo për detyrimet që ka një shtet anëtar i OKB dhe BE për të zbatuar, mbeten të parespektuara nga vetë shteti grek dhe një dëshmi se genocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë do të vazhdojë sa t’u dojë qejfi atyre që kanë mbetur të përkëdhelurit e Europës, edhe pse çdo ditë shkelin të drejtat legjitime të shqiptarëve dhe veçanërisht të popullatës çame të shpërngulur me zjarr e me hekur nga vendi i tyre legjitim.
Por i veçantë dhe pa ndonjë ndryshim të madh është edhe qëndrimi i njëpasnjëshëm i qeverive shqiptare të majta dhe të djathta për zgjidhjen e çështjes çame. Vetën se është krijuar një Shoqatë me emrin “Çamëri” dhe nga qeveria demokratike është nënshkruar një marëveshje me palën greke edhe për çështjen çame në vitin 1996, por që mbeti në letër se asnjëherë pala greke nuk e mori seriozisht këtë marrëveshje, ndërkohë që ende edhe sot e kësaj dite mbahet në fuqi Ligji i Luftës i Greqisë ndaj Shqipërisë. Dhe si të mos mjaftojnë këto, heshtjet e herëpashershme të zyrtarëve shqiptarë ndaj çështjes çame, në takimet bilaterale, janë një tjetër fakt që flet për nënvleftësim të një çshtjeje mbarëkombëtare dhe një futje të problemit në “kalendat greke”. Vetëm në një rast në vitin 2002 në dhjetor, në Parlamentin shqiptar nga ana e ish ministrit të kohës, Ilir Meta që ishte edhe zvendëskryeministër, u mbajt një qëndrim zyrtar për problemin e pazgjidhur të pas Luftës II Botërore. Por vetëm kaq dhe çdo gjë i ka mbetur spontanitetit ose heshtjes dhe në programet e partive politike mungon tërësisht trajtimi i këtij problemi shqiptar. Vetëm Presidenti Alfred Moisiu guxoi të priste homologun e tij grek Karolos Papulias në Sarandë në një kohë që zhvillohej një protestë paqësore para turizmit të Sarandës, pronë e një biznesmeni çam në atë kohë që bëri edhe anullimin e vizitës së grekut Papulias. Po ashtu ky President Shqiptar ka pasur rastin edhe të dekorojë pjestarë të komunitetit çam si në Elbasan, Nuri Emin Zane nga Filati i Çamërisë që ka edhe djalin e tij në Elbasan, si dhe një pjestar tjetër të këtij komuniteti në Vlorë, Hajri Fetahu, çka flet për qëndrim zyrtar të presidentit kur është shprehur “Është një respekt, jo thjesht i imi personal, por një respekt i gjithë popullit shqiptar për ata që kanë kontribuar në luftën kundër pushtuesve të huaj. Kjo tregon se edhe popullsia çame, si gjithë popullsia tjetër shqiptare, ka luftuar dhe është ndeshur fyt për fyt me pushtuesit e huaj, sepse ne shqiptarët, asnjëherë nuk e kemi duruar zgjedhën. Kudo ku kemi qenë, kemi treguar aftësitë dhe dëshirat tona liridashëse për të luftuar pushtuesin e huaj. Edhe çamët kanë marrë pjesë në formacionet partizane, si në ato greke, edhe në ato shqiptare për të luftuar pushtuesin e huaj. Dhe kjo është një meritë që e njeh historia dhe askush nuk mund ta mohojë. Edhe një herë unë ju përgëzoj”. Ndërkohë që në tekstin e dekorimit shkruhet “Në shenjë vlerësimi të lartë dhe respekti të përhershëm për kontributin e dhënë në luftë kundër pushtuesve nazifashsitë, në Krahinën e Çamërisë, dhe për rezistencën e vuajtjet, si i internuar në kampin e përqendrimit të Dakaos”.
Por a mjaftojnë këto për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve të Çamërisë ? Jo dhe vetëm jo. Bile ka edhe një nënvleftësim për komunitetin çam nga politika.
Vetëm përfaqësimi i sotëm me 5 deputetë përmes PDIU si dhe disa qëndrime pozitive të diplomacisë dhe qeverisë shqiptare në këto kohët e fundit, kanë krijuar një sinoptikë tjetër më të qartë në ecurinë për zgjidhjen e çështjes çame.
Gjithsesi, çdo tentativë në shërbim të çështjes çame nga qeveria hapur ose fshehtas, bie ndesh me politikën e qarqeve greke që fusin hundët në politikën shqiptare dhe që në forma të ndryshme realizohet edhe përmes shumë makinacioneve që mund të thuhet se janë antishqiptare. Ndoshta pas përfundimit të Pavarësisë së Kosovës, me ndihmën e Bashkimit Europian dhe asaj të SHBA do të marrë një zgjidhje edhe çështja çame.