Afërdita Dervishi, PhD(C)
Figurat e mëdha të lirisë së atdheut na bëjnë borxhli që të bëjmë diçka të vyer për jetën, për veprimtarinë dhe për sakrificën e tyre të madhe, sidomos në këtë kohë kur politika shqiptare e ditës, kudo që bëhet ajo, po na e zë frymën
“Me Ahmet Haxhiun kemi qenë mish e shpirt deri në vdekjen e tij...” (Adem Demaçi)
Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Kombit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Kolegji “Biznesi” në Prishtinë, në Festat e mëdha kombëtare të Nëntorit, në nderim të Ditës së Flamurit, në nderim të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në nderim të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor 1997, si dhe në nderim e në kujtim të ditëlindjes së Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit, organizuan sesion shkencor me titull: “Veprimtaria ushtarake dhe politika kombëtare e Ahmet Haxhiut”.
Pjesëmarrës në këtë sesion shkencor ishin njohës të rrethanave të jetës ilegale të shqiptarëve, bashkëveprimtarë të atdhetarit Ahmet Haxhiu, studiues, historianë, ushtarakë, ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe miq e familjarë të heroit.
Me gjithë mbështetjen e dhënë dhe vullnetin, Heroi i rezistencës sonë kombëtare, Bacë-Adem Demaçi, për arsye shëndetësore, nuk qe e mundur të na nderojë me praninë e tij.
Sesionin shkencor kushtuar veprimtarisë atdhetare të Ahmet Haxhiut me një fjalë rasti e përshëndeten edhe përfaqësuesit e të dy institucioneve që organizuan këtë sesion, Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kombit të Luftës së UÇK-së, si dhe dekani i Kolegjit BIZNESI, prof. dr. Shyqri Kabashi, i cili, mes të tjerash, tha: “Nuk ka asnjë ngjarje, që është bërë kujtesë e jetës sonë historike, për të cilat nuk është organizuar një veprimtari përkujtimore dhe studimore në Kolegjin BIZNESI”.
Në sesionin shkencor për veprimtarinë atdhetare të Ahmet Haxhiut morën pjesë 17 kumtues, të cilët trajtuan shumë aspekte, rrethana, periudha kohore, ngjarje dhe pjesëmarrës në ato ngjarje, përmes të cilave dolën fakte të rëndësishme dhe të reja, për figurën e Ahmet Haxhiut, por edhe për përpjekjet çlirimtare të shqiptarëve në përgjithësi, në rrugën e madhe të luftës për liri. Sesioni shkencor u drejtua nga Kryesia e punës në përbërje: Prof. dr. Emin Kabashi, prof. dr. Nexhmije Kabashi, Mr. Sc. Mehmet Hajrizi, Xhavit Jashari dhe Afërdita Dervishi.
Në kumtesën e tij shumë domethënëse “Ahmet Haxhiu, frymëzues i idealeve kombëtare”, ish-presidenti, Alfred Moisiu, ndër të tjera trajton rolin e pazëvendësueshëm të heroit nga shkrimi i trakteve e letrave, mbledhja e armëve, e koordinimi që e bëjnë Ahmet Haxhiun, gjatë 50 vjeçarit të veprimtarisë së tij, nyjën qendrore e të gjitha organizimeve, nga ato për Flamur deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Duke i kujtuar ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ish-Presidenti, Moisiu, i bën thirrje klasës politike në mbarë trojet shqiptare që t’i shërbejnë vendit me integritet, mirëkuptim dhe respekt për njëri tjetrin.
Gjenerali, prof. dr. Kudusi Lama, në kumtesën e tij “Veprimtaria e Ahmet Haxhiut, shkollë e luftës për liri” trajton çështje thelbësore se si një veprimtar, një organizim, një popull i tërë bëhet shkollë e luftës për liri. Ai shton se Ahmet Haxhiu me veprën e tij, arriti të bëhet i pavdekshëm, arriti të krijojë portretin e veprimtarit dhe luftëtarit model për lirinë e atdheut e të kombit të tij, duke vënë gjithçka në shërbim të atdheut e të luftës për çlirim.
Historiani i njohur, prof. dr. Pëllumb Xhufi, me kumtesën “Rilindja e dytë e shqiptarëve”, duke shqyrtuar aspekte të luftës së shqiptarëve për liri, shpërfaq rëndësinë që ka rezistenca shqiptare përgjatë shekujve, por edhe lufta e Heroit Ahmet Haxhiu dhe shokëve të tij, që kurorëzohet me luftërat e Ushtrive Çlirimtare të shqiptarëve, të mbetur jashtë gjeografisë kombëtare të atdheut të cilën me të drejtë e pagëzon rilindja e dytë e shqiptarëve.
Me kumtesën e përbashkët, “Ideja dhe lufta e Ahmet Haxhiut për bashkimin kombëtar”, studiuesit dhe shkrimtarët e njohur prof. dr. Shaban Sinani dhe prof. dr. Emin Kabashi, trajtuan trajtuar rrafshin e mendësisë së luftës për liri, kur edhe veprimtaria e individit, në kuadër të së tërës, bëhet vlerë e luftës për liri me përmasë kombëtare.
Gjeneral prof. dr. Sulejman Abazi, duke shpërfaqur atdhetarizmin e shqiptarëve, kujton se vepra dhe amaneti i dëshmorëve nuk pajtohet të harrojmë ne të gjallët nacionalizimin agresiv te Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës, por as me tërheqjen përballë sfidave politike të kohës ku fjalën nuk e ka më pushka por politika dhe reflektimi i mendimit popullor
Veprimtari Mehmet Hajrizi, shqyrtoi rrethanat politike në periudhën e veprimit të Ahmet Haxhiut, duke ndërlidhur faktorët e brendshëm dhe disa faktorë të jashtëm politik në kohën e Lëvizjes Kombëtare, në kumtesën me titull “Konteksti politik i veprimtarisë së Ahmet Haxhiut”.
Historiani prof. dr. Jakup Krasniqi, me kumtesën e tij, “Kontributi i Ahmet Haxhiut në lëvizjen kombëtare për çlirim”, përmend emrat e nderuar të atdhetarëve të lëvizjes kombëtare dhe guximin e vendosmërinë e Ahmet Haxhiut, në rrugëtimin e tij të pamposhtur e të dinjitetshëm për bërjen e lirisë dhe të bashkimit kombëtar.
Në kumtesën e prof. dr. Sabri Kiçmarit trajtohet veprimi praktik i Ahmet Haxhiut nga këndvështrimi i tri vlerave themelore: Liria, për të cilën heroi do të mbështetej në organizimin; ideja e republikës, për të shporrur sistemin shoqëror komunist të Jugosllavisë dhe të lidhjes komuniste të Kosovës dhe pavarësia si vlera e tretë.
Kumtesa e bashkëveprimtarit, Ramadan Avdiu, “Ahmet Haxhiu - ndërlidhës i gjeneratave të rezistencës antipushtuese”, është një kronologji e veprimtarisë së Ahmet Haxhiut, ku dëshmohet se ai ishte protagonisti i fillimit, thellimit dhe kurorëzimit të rezistencës.
Një nga organizatorët e demonstratave të vitit 1981, veprimtari Hydajet Hyseni, vë në pah prototipin e atdhetarit që ripërtërin dhe shumëfishon energjitë, aftësitë dhe mundësitë vepruese me çelësin mrekullibërës të bashkimit, në kumtesën, ”Ahmet Haxhiu, njeri i bashkimit”.
Bashkëveprimtari i Ahmet Haxhiut, Ramadan Pllana, solli kujtime dhe ngjarje të kohës së ilegales të Ahmet Haxhiut dhe të shokëve të tjerë, përmes kumtesës, “Ahmet Haxhiu, ANTE i LPK-së dhe frymëzues i UÇK-së”. Ai gjithashtu sjellë fjalët e Bacës Adem Demaçi, ku ndër të tjera thotë: Me Ahmet Haxhiun kemi qenë mish e shpirt deri në vdekjen e tij...”.
Në kumtesën e veprimtarit të shquar Bedri Islami, “Ahmet Haxhiu dhe Republika e Shqipërisë”, trajtohet përpjekja deri në vdekje e Ahmet Haxhiut për Kosovën dhe Shqipërinë si një tërësi e territorit shqiptar.
Bashkëveprimtari Avni Dehari, në kumtesën e tij “Roli i Ahmet Haxhiut për zgjidhjen e çështjes kombëtare”, trajtoi formimin e luftëtarit Ahmet Haxhiu dhe përkushtimin e tij kombëtar.
Historiani dhe veprimtari, prof. dr. Selatin Novosella, kishte bërë një studim të hollësishëm për lëvizjen për bashkimin e shqiptarëve nëpër periudha kohore dhe rolin e Ahmet Haxhiut në këtë lëvizje, në kumtesën e tij “Ahmet Haxhiu dhe lëvizja për bashkimin e shqiptarëve”.
Shaban Muja, bashkëveprimtar, shpaloi kujtime dhe solli fakte të veprimtarisë së Ahmet Haxhiut dhe të veprimtarëve të ilegales të kohës përmes kumtesës së tij “Figura e Ahmet Haxhiut në lëvizjen kombëtare”.
Kumtesa e Dr. Sadri Ramabaja, duke shqyrtuar temën “Tipologjia e strukturave shoqërore në Kosovë: Ahmet Haxhiu dhe roli i tij në ilegalen shqiptare”, dëshmon se Ahmet Haxhiu, ishte lindur e formësuar në ilegalen shqiptare, kurse arriti të krijojë lidhje të fuqishme me qarqet diplomatike, sidomos ato shqiptare në Tiranë.
Afërdita Dervishi, me kumtesën e saj, “Shtëpia e Ahmet Haxhiut, strehë e armëve të lirisë dhe shkollë e shtypit”, sjellë të dhëna me të cilat vërtetohet hipoteza-titull, se armët që strehoheshin në bunkerët që kishte ndërtuar Ahmet Haxhiu me bashkëveprimtarët e tjerë të tij, kishin vetëm një cak-luftëtarët e lirisë të luftës së UÇK-së.
Dhe kumtesa e fundit e të burgosurit politik Salih Salihu, “Një jetë të tërë ushtar i luftës për liri”, trajton figurën e Ahmet Haxhiut prej atdhetari të pamposhtur duke paraqitur një kronologji të veprimtarisë së heroit.
Në përgjithësi, kumtesat sollën frymën e atdhedashurisë dhe bashkimit kombëtar, në rrethana dhe në ngjarje, të cilat kapërcejnë edhe realitetin e kohës, andaj veprimtarët e këtyre ngjarjeve na dalin të mëdhenj, edhe pse ata ishin njerëz të thjeshtë, të zakonshëm, të përditshëm, por vetëm dashurinë ndaj lirisë dhe bashkimit kombëtar e kishin të veçantë dhe hyjnore. Historia jonë, e të gjitha periudhave ka shumë nevojë të mbështet në fakte të besueshme historike arkivore. Kësisoj, edhe ky sesion shkencor, ka bërë një hap drejt ndriçimit historik, mbi bazë të dokumenteve arkivore, për të ndriçuar jo vetëm veprimtarinë e atdhetarit Ahmet Haxhiu, por rrjedhimisht edhe tërë rrugën nëpër të cilën kaluan brezat e shqiptarëve për ta fituar lirinë.
Në kumtesa u dokumentua, prania e fakteve, e dëshmive, e kujtesës, e të dhënave të dorës së parë, por edhe të atyre që bëjnë fondin e madh të dosjes për këtë figurë, e cila duke u bërë pronë e arkivit të shtetit shqiptar, do të bëhet edhe pronë e kujtesës sonë historike dhe kombëtare.
Kumtesat, në format të zgjeruar të këtij sesioni shkencor pritet të botohen si vëllim i veçantë, nga Kolegji “Biznesi”, me ç’rast të gjithë lexuesve dhe të gjithë studiuesve të ardhshëm, u jep mundësi të shumta për të ndriçuar aspekte të jetës dhe të veprimtarisë së atdhetare të Ahmet Haxhiut – Bacës, si dhe u jep mundësi të krijojnë tërësinë e ngjarjeve që kanë kaluar brezat e shqiptarëve gjatë jetës në robëri. Shtegtimi i veprimtarisë së bashkimit kombëtar, në rrugën e vet lë gjurmë, të cilat ne të gjallët e kemi obligim t’i bëjmë shenja të kujtesës së brezave, si dhe t’i shpërfaqim në raste të rëndësishme për të kujtuar se atdheu është mbi të gjitha.
No comments:
Post a Comment