08/12/2015

Ndërpreje tragji-komedinë kryeminister!



Diellza Hot


Ka muaj që komentet për dy marrëveshjet e fundit janë bërë të shumta, por veprimet e vazhdueshme nga ju e bëjnë edhe më të urryer faktin që po humbasim tokë, po humbasim deputetë e mbi të gjitha po humbasim shpresë, durim e ëndërra të rinisë.

Dita ditës po bëhet e pamundur të kuptohet se si nuk brengoseni kryeministër për gjithë këtë rezistencë që po e bënë shumica e këtij populli kundër vendimeve tuaja?

Pse nuk ka rëndësi për ju zëri i qytetarit? Si mund të mos i anuloni këto marrëveshje e mos t’i lironi deputetët kur e dini që ju në emër të drejtësisë keni bërë pa drejtësi? Si u bë që për ju 200.000 njerëz të jenë gabim?

Më vjen keq por unë nuk jam aq zemërgjerë sa të pranoj në mënyrë të qetë dy njerëz të falin tokat e vendit tim, të mbuluara me gjak nga dëshmorët që ne sot t’i gëzojmë të lirë.
Më vjen keq por nuk jam as optimiste e çmendur që të besoj se nga këto dy marrëveshje do të pasojë diçka e mirë.

Më vjen edhe më keq por unë nuk pajtohem që epshi i përfitimit të mund epshin për drejtësi.
Dua që kur përmendet emri “Kosovë” të më ngjallë krenari më shumë se çdo gjë tjetër, e jo të ul kokën e të turpërohem nga ajo që po sjellni ju, nga Kosova në gjysmë Kosovë.

Pse duhet të lidhim fatin e vendit tonë me ambiciet e tepruara të një vendi tjetër për zgjerim territorial, me ambiciet e juaja të tepruara per pushtet si dhe me frikën tuaj të tepruar për të thënë “JO” kur duhet?

Nuk është turp dhe jo evropiane t’i dalësh zot vendit tënd, e më lejoni të ua kujtoj kryeministër se mbrojtja e kufijve është pjesë e rëndësishme e politikës… edhe pse dukshëm ju nuk ndani të njejtën bindje, bazuar në vendimet tuaja.

Shqetësimi im mund të mos ketë rëndësi për ju por çdo qytetar përbën tërësinë, poashtu unë mund të mos di shumë gjëra por një e di më së miri : Tokat tona janë të shenjta.
Sigurisht që nuk lejojmë dot t’i lëmë në kthetrat tuaja!

E kuptoj që në çdo vend ka shumë raste kur pozita dhe opozita nuk pajtohen mirëpo kur bëhet fjalë për mbrojtjen e tokës së përbashkët të gjithë bien dakord, sepse ashtu bëjnë atdhedashësit.

Prandaj falja e tokave,arrestimi dhe suspendimi i deputetëve që i kundërshtojnë ato, diktatura, këmbëngulësia, injoranca nuk do të duhej të ishin elementet kryesore përshkruese të një kryeministri sepse nga këto shumë të rinj si unë tash e ca muaj frikësohen nga e ardhmja që do të sjellni ju. Kam besuar se dashuria për Kosovën nuk njeh bindje politike, nuk njeh pushtet, e nuk njeh pozitë, prandaj reflektoni e anuloni këto vendime, që të na ktheni këtë besim të cilin ju na humbët.Tokat tona janë të pavdekshme dhe nuk lejojmë t’i vritni ato.

Mos të harrojmë si të bënë të qeshësh ftesa juaj pas gjithë kësaj gjendje që e krijuat vetë, ftesë sa e vonuar aq e gabuar drejtuar opozitës për takim sepse kur ishte koha ju nuk u brengosët asnjëherë për bisedë, duke nënshkruar marrëveshjet pa një fije transparence e llogaridhënie ndaj kolegëve deputetë dhe qytetarëve.

Nuk ka zhvillim kur veproni në emër të qytetarit por pa dëshirën e tij.

Prandaj ndërpreje tragji-komedinë kryeministër, fundi është i lumtur për të drejtit!

No comments:

Post a Comment