13/12/2015

Mos na e prishni ëndrrën!


Letër e hapur për Ambasadorin e SHBA-së në Republikën e Kosovës, Greg Delawie


Shqipe Pantina*

I nderuar Ambasador i SHBA-ve z. Delawie,

Kam punuar për më shumë se dhjet vite me radhë në projekte dhe organizata të ndryshme amerikane si NDI, IREX, IFES e të tjera. Unë u jam atyre shumë mirënjohëse sepse kam mësuar prej tyre mes tjerash edhe se si duhet të jam qytetare aktive dhe si të kërkoj llogari prej qeverisë. Kolegët e mi kanë qenë kryesisht amerikanë dhe më kanë inkurajuar të angazhohem në politikë duke më thënë se “njerëzit si ti i duhen këtij vendi”.

Kam pas fatin që dy herë të shkoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shpenzimet e taksapaguesve amerikan, dhe për këtë po ashtu jam shumë mirënjohëse, ku e kam parë në praktikë se si funksionon demokracia dhe drejtësia amerikane. Madje në një raste kam qenë dëshmitare kur pas një afere korrupsioni në Bloomington te Indianas ku personi i zbuluar, për shkak të manipulimit me kredit kartelën zyrtare, përveç që ka dhënë dorëheqje nga posti i saj, ajo edhe ka përfunduar në burg.

Unë i vlerësoj lartë deklaratat e juaja për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të cilat siç thoni ju sipas sondazheve të fundit i nxjerrin institucionet e drejtësisë në krye të atyre institucioneve për të cilat qytetarët besojnë se janë më të korruptuarat.

Korrupsioni në Kosovë nuk ka lindur sot. Ai ka lëshuar rrënjë dhe ka lulëzuar posaçërisht gjatë 8 viteve të fundit. Kjo është temë dhe kritikë e vazhdueshme e të gjitha Raporteve të deritashme të progresit duke e përfshirë këtu edhe raportin e fundit.

Afera me e madhe e korrupsionit në vend, lidhur me ndërtimin e Autostradës Ibrahim Rugova mbeti pa u ndëshkuar asnjëherë. Disa organizata joqeveritare, me mbështetje financiare edhe të USAID-it kanë kërkuar transparencë dhe llogari për këtë kontratë duke ngritur edhe kallxim penal në gjykatë. Deri më sot, qytetarët e Kosovës asnjëherë nuk e kanë parë këtë kontratë dhe nuk i dinë kushtet dhe çmimin me të cilin është ndërtuar kjo sepse paraardhësi juaj, Ambasadori Christopher Dell, i cili preu disa shirita të kësaj autostrade së bashku me qeveritar të Kosovës, i inkurajoi ata që mos ta publikonin kontratën. Dhe çfarë ndodhi. Christopher Dell punon sot për Bektellin diku në Afrikë.

Zotëri Delawie thirrjesn drejtuar prokuroreve të vendit tonë për hetime, gjë që unë e vlerësoj shumë, do te ishte mirë të ia bënit edhe prokurorëve të vendit tuaj për paraardhësin tuaj për të cilin ka dyshime të bazuara se ka qenë i përfshirë në këtë aferë korrupsioni. Ky do të ishte një inkurajim me shembull konkret se si luftohet korrupsioni.

Me 28 Nëntor brutalisht u dhunuan zyrat e subjektit më të madh opozitar, ato të Lëvizjes Vetëvendosje! Prokurori nuk ka hapur ende hetime për ndërhyrjen e njësive speciale të policisë dhe personave zyrtar që qëndrojnë pas këtij urdhri.

JU e dini se në historinë e SHBA-ve janë vetëm dy president që kanë dhënë dorëheqje dhe njëri prej tyre është Presidenti Nikson, pas aferës Watergate. Nikson ishte bërë i famshëm për angazhimin e tij për tërheqjen e ushtarëve amerikan nga Vietnami dhe marrëveshjen me Bashkimin Sovjetik për kufizimin e armëve strategjike. Megjithatë ai u detyrua të jap dorëheqja nga posti i tij për shkak që kishte përgjuar zyrat qendrore të partisë opozitare.

Në vitin 2002 unë kam jetuar në lagjen Foggy Battom në Washington DC krejt pak metra larg ndërtesës Watergate. Në njërin prej përvjetorëve të kësaj afere kongressmenët amerikan e kishin për krenari të shpjegonin se si shoqëria amerikane nuk kishte pranuar cenimin e demokracisë dhe fjalës së lirë dhe se Presidenti Nikson ishte detyruar të jepte dorëheqje pasi ai kishte përgjuar zyrat e partisë opozitare. Tek ne jo vetëm që nuk është diskutuar dorëheqja e Kryeministrit e as Ministrit të Punëve të brendshme, por nuk është diskutuar as dorëheqja dhe hetimi i krerëve të policisë që kanë urdhëruar kryerjen e aksionit.

Amerika njihet sot si vendi me demokracinë më të zhvilluar, ku në rend të parë janë të drejtat qytetare. Këto të drejta nuk ju dhuruan qytetarëve të SHBA-së. Ato erdhën si zgjidhje pas konflikteve dhe antagonizmave të mëdha në shoqëri. 1 Maji, dita ndërkombëtare e punës erdhi pasi në vitin 1886 në Cikago shpërthyen demonstrata të mëdha për të shkurtuar orarin e punës prej 12 në 8 orë. Edhe pishtari i të drejtave qytetare Martin Luter King ishte amerikan, një luftëtar i vendosur për barazi sociale dhe kundër shtypjes, shfrytëzimit dhe ndarjes racore. Fjalimi i tij më i njohur është "I have a dream" (Kam një ëndërr). Luter Kingu kishte një ëndërr në të cilën ai besonte, një ëndërr për barazi e cila u bë ëndrra dhe synimi i miliona njerëzve jo vetëm në Amerikë, por në gjithë rruzullin tokësor. Për shumë popuj në botë kjo ëndërr është bërë realitet, të tjerë popuj e kanë bërë synim dhe nuk pushojnë së luftuari për te. Për fat të keq Kosova ende nuk e ka realizuar këtë ëndërr. Liria tek ne nuk është e plotë. Ne ende luftojmë për një jetë me dinjitet, ashtu siç luftonte Martin Luter Kingu. Ai u vra me 4 prill të vitit 1968, por ëndrra e tij jeton.

I nderuar Ambasador, Ne po luftojmë për këtë ëndrrën. Ata me të cilët ju flisni në Kosovë i takojnë anës së kundërt të Martin Luter Kingut.
_________________
*Autorja është deputete e Lëvizjes Vetëvendosje

No comments:

Post a Comment