Nënshkrimi i dy marrëveshjeve – demarkacioni me Malin e Zi dhe “Zajednica”- nga qeveria e Kosovës solli trazira ndërmjet kësaj të fundit me opozitën. Qasjet e palëve janë thellësisht të kundërta, si rrjedhojë, opozita ndërmori veprime radikale për mosmiratimin e marrëveshjeve. Që nga bllokimi i normal i fjalës në parlament me bilbil, gjuajtja me vezë ndaj Kryeministrit dhe ministrave dhe deri tek hedhja e gazit lotsjellës me synim bllokimin e seancave nga opozita e atjeshme, e cila shfaq pa reshtur seriozitetin me të cilin e kundërshton marrëveshjet qeveritare. Nga ana tjetër, qeveria u mundua të anashkalojë trazimin opozitar dhe të përshkruajë me masa serioziteti rëndësinë e ratifikimit në parlament të marrëveshjeve. Serioziteti qeveritar shkoi deri atje sa arrestoi deputetët të Parlamentit (Donika Kadaj –Bajupi, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, etj.) për shkak të përdorimit të “armëve” dhe disa dhjetëra qytetarë mbështetës të opozitës. Debati mediatik është shprehur për këtë ngjarje duke i lidhur shkaqet me pasojat, ku përcaktimi i shkakut të parë përcakton dhe subjektin së cili ka të drejtë. Pra, nëse shkaku janë marrëveshjet qeveritare, kanë të drejtë opozitarët për reagimin, por nëse opozitarët janë shkaku i një mosmarrëveshje me pozitën për marrëveshjet, qeveria ka të drejtë për kundërpërgjigjën. Megjithatë, situata është më komplekse. Ndalimet në analizat e shkak-pasojës janë shtjelluar dhe disi shmangin fokusin e problemit. Sepse të përcaktosh fajtorin, në një mënyrë, është sa çështje e gjykimit dhe “shijesh” personale. Duke u munduar për të dalë nga ky qerthull, propozoj që ngjarjen ta analizojmë nga pikëpamja dhunës dhe pushtetit. Sepse shqetësuese është fakti i të ushtruarit dhunë për hir të pushtetit, si nga pozita, ashtu edhe nga opozita. Opozita akuzohet për dhunë sepse -veç bllokimit të parlamentit- ka përdorur gaz lotsjellës, çka konsiderohet armë. Dhuna qeveritare është ushtruar mbi qytetarët dhe është shtrirë mbi deputetët. Arbitrarisht, le të mendojmë se sasia e dhunës së ushtruar nga palët është e barasvlershme për shkak se qeveria ka monopolin e ushtrimit të dhunës(sipas Max Weberit) dhe opozita përdor veprimtari të dhunshme jashtë kufizimeve legjislative. Pra, qeveria e ka tepruar me ushtrimin e dhunës ndaj qytetarëve e deputetëve dhe opozita e ka tepruar me veprimtari politike të “jashtëligjshme”. Filozofja Gjermane (hebre-je) Hannah Arendt në librin “Mbi Dhunën” na propozon që të ndajmë konceptin e dhunës nga ai i pushtetit. Pushteti, sipas sajë, është aftësia e njerëzve për të bashkërenduar lirisht veprimet, ndërsa dhuna është përdorimi i mjeteve për të zotëruar pushtetin. Pushteti e përdor dhunën, por dhuna nuk e ruan pushtetin. Në fakte, “nga pikëpamja politike”, pushteti “humbet” kur nxit zëvendësimin e tij me dhunën, se dhuna vetë është impotencë” (Arendt,H.67). Nga ky këndvështrim, mjetet e dhunës i zotëron qeveria por përdorimi i tyre nuk i bën të pushtetshëm. Mjetet e përdorura nga opozita e nxjerrin të pafuqishëm (impotente) përball qeverisë, por bashkërendimi i veprimeve të njerëzve i bën të pushtetshëm. Në këtë kuptim, qeveria e Kosovës nuk është në pushtet, zotëron mjetet e dhunës por nuk është legjitime. Opozita nuk i zotëron mjetet e dhunës, por përdor veprimtari radikale përballë një qeverie që zotëron mjetet e dhunës. “Dhuna” e opozitës, pa qenë në zotërim të mjeteve, shërben “për të dramatizuar padrejtësitë dhe për t’i sjellë ato në vëmendjen e opinionit publik” dhe“ndonjëherë është e vetmja mënyrë për të siguruar dëgjimin e një kërkese për moderim” (Arendt,H.95). Megjithatë, qeveria është kontraktuar për të qenë ligjërisht drejtuese e shtetit dhe i zotëron numrin e nevojshëm të deputetëve. Nga ana ligjore ka të drejtë të ruajë ligjin nga cenuesit, pra, të përdor mjetet e dhunës. Por, nëse “thelbi i pushteti” është në përdorimi i dhunës për të bindur opozitën në zbatimin e ligjit, “atëherë s’do të kishte pushtet më të madh se sa ai i dalë nga gryka e pushkës, e kështu do të ishte mjaft e vështirë të përcaktonim se në ç‘mënyrë urdhri i policit dallon nga urdhri banditit” (Arendt,H.47). Sigurisht që kjo nuk i jep të drejtë opozitës të shkeli ligjin, por i jep të drejtën e bashkërendimit në veprim me qytetarët. Si të thuash, “Pushteti del në pah sa herë që njerëzit bashkohen dhe veprojnë në bashkërenditje”, dhe opozita ka të drejtë të pretendojë pushtetin. Bashkërendimi i veprimeve qytetarë-opozitë dhe nënshkrimi i dyqind mijë vetave, e bën opozitën të pushtetshme. Veprimi opozitar në bllokimin e parlamentit gëzon mbështetjen e qytetarëve, hedhja e gazit lotsjellës nuk është dhunë, por veprim radikal përballë një qeverie të mbrojtur nga mjetet e dhunës dhe e pa prekshme. Sepse “Për të reaguar në mënyrë të arsyeshme së pari duhet të “prekemi”, dhe e kundërta e emocionales nuk është “racionalja”, në të gjitha kuptimet që kjo fjalë mund të ketë, por paaftësia për t’u ndjerë i prekur, që në përgjithësi është një fenomen patologjik, ose sentimentalizmi, një fenomen i cili lidhet me perversitetin e ndjenjave” (Arendt,H.79). Në këtë kuptim, mjeti i përdorur nga opozita është legjitim në raport me arsyen, ndërsa mbrojta e qeverisë patologjike dhe perverse. “Legjitimiteti”, i pretenduar nga qeveria në bazë të kontratës me qytetarët, humbet në çastin kur nuk “mbështetet tek evokimi që i bën të shkuarës. Artikulimi qeveritar për rëndësinë e ratifikimit të marrëveshjeve për të ardhmen e Kosovës e lidh “ekzistencën e justifikimit me një qëllim në të ardhmen”.Ratifikimi i marrëveshjeve do e legjitimonte qeverinë në momentin kur mbështetet nga kontrata që ka me qytetarët, por ushtrimi i dhunës e justifikon si qëllim për të ardhmen. Mbrojtja që qeveria i bën ligjit i korrespondon kontratës, por jo dhe marrëveshjet, të cilat janë të domosdoshme për të ardhmen. Ka mospërputhje ndërmjet kontratës fillestare dhe qëllimit. Mbrojta e pretenduar nga qeveria bëhet për shkak të marrëveshjeve si qëllim dhe jo legjitimitetit të kontratës. Prandaj, “Dhuna” e përdorur “mund të jetë e justifikueshme, por kurrë legjitime” (Arendt,H.64).
*pedagog i shkencave politike UET
No comments:
Post a Comment