Isuf B.Bajrami
Një politikë dritëshkurtër e qarqeve të Shkupit
Qëllimi kryesor i policisë politike
maqedonase është t’i mposhtë këta luftëtarë të dijes, t’i frikësojë dhe në fund
t’i detyrojë të heqin dorë nga ideja për të drejtat themelore demokratike, ku
ka shqiptarë në territoret etnike shqiptare në Maqedoni.
Në shërbim të veprimeve destruktive të politikës
antishqiptare u vunë ushtria dhe policia maqedonase, të cilat, nëpërmjet dhunës
e terrorit, bastisjeve, rrahjeve, burgosjeve, vrasjeve, kërkojnë të shuajnë
aspiratën e shqiptarëve për të drejtat e tyre legjitime kombëtare. Kohët e
fundit, përveç aksioneve represive ushtarako-policore, u thirrën nëpër polici
në të ashtuquajturat “Biseda informative” një numër i madh shqiptarësh me
profesione nga më të ndryshmet, nga të gjitha trevat etnike të shqiptarëve në
Maqedoni. Nëpër stacionet policore këta intelektualë të shquar u stresuan, u
vunë nën një terror psikik të pashembullt, u keqtrajtuan fizikisht, u kërcënuan
dhe u mbajtën me orë të tëra.
Hipokrizia e autoriteteve
Qëllimi kryesor i policisë politike maqedonase është t’i
mposhtë këta luftëtarë të dijes, t’i frikësojë dhe në fund t’i detyrojë të
heqin dorë nga ideja për të drejtat themelore demokratike ku ka shqiptar në
territoret etnike shqiptare në Maqedoni. Këto veprime banditeske të
autoriteteve dhe policisë politike maqedonase janë një shprehje e urrejtjes së
thellë që ata ushqejnë ndaj popullsisë shqiptare, me veprimet e të tyre
antihumane, antikulturore, gjë që është e pashembullt për çdo vend evropian.
Këto veprime kryhen në një kohë kur udhëheqës të ndryshëm politikë,
personalitete të larta maqedonase, flasin me të madhe për “barazinë”e popujve,
për “respektimin”e të drejtave dhe të lirive të njeriut. E kjo është hipokrizia
më e madhe e mashtrimi më i ulët që shfaqet aktualisht në Ballkan, sidomos në
trojet ku banojnë kryesisht shqiptarët. E drejta e shkollimit është e garantuar
për çdo popull kudo në botë është një e drejtë e patjetërsueshme, e shkruar jo
vetëm në dokumentet ndërkombëtare, por edhe në Kushtetutat e vendeve
demokratike. Nuk është parë dhe dëgjuar që në një vend evropian të ushtrohet
dhuna e terrori, të përdoren armët dhe të derdhet gjaku ndaj një populli që
lufton për të drejta kombëtare, arsimin në gjuhën amtare. Kjo ndodh vetëm në
vendet me orientim sllavo-ortodoks: Serbi, Mal i Zi, Maqedoni, Greqi, në këto
vende ballkanike që njihen për egërsinë dhe barbarinë e tyre.
Indiferenca ndaj fateve të
popujve
Ky atentat i Qeverisë maqedonase ndaj shqiptarëve është në
të njëjtën kohë edhe një atentat ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat ndër të
parat e njohën Republikën e Maqedonisë pas “shkëputjes” së saj nga
ish-Jugosllavia titiste. Kjo politikë që ndiqet nga qarqet sunduese maqedonase
është një politikë dritëshkurtër, pa asnjë të ardhme, një politikë që është në
dëm edhe të vetë interesave të popujve maqedonas. Por, duhet ditur se
ekzistenca e vet Maqedonisë si shtet rrezikohet tej mase, duke nëpërkëmbur një
popull autokton, që ka gjuhën dhe zakonet e veta, kulturën dhe traditat e tij.
Është e pamundur të nënshtrohet dhe të shtypet populli më i vjetër në Maqedoni,
siç është populli shqiptar. Historia shumëshekullore e popullit shqiptar
dëshmon për luftërat që ka bërë ai për të ruajtur identitetin e tij, për të
mbrojtur trojet e tij nga pushtuesit e ndryshëm qysh në kohët më të hershme e
gjer më sot. Shumë shtete evropiane me demokraci të zhvilluara, me potencial
ekonomik e shkencor, me një kulturë të lashtë, kanë bërë dhe bëjnë përpjekje të
vazhdueshme për emancipimin e mëtejshëm të shoqërisë, për sigurimin e barazisë
së njerëzve përpara ligjit, për afirmimin dhe mbrojtjen e të Drejtave dhe të
Lirisë së qytetarëve të saj. Kjo natyrisht nuk është arritur pa mund e
përpjekje, pa luftëra dhe ndeshje sociale, pa kontradikta. E ne sot flasim për
Evropën e qytetëruar dhe të emancipuar, për vende me demokraci të zhvilluar.
Këto janë arritje të shënuara që ne i mbështesim dhe i përshëndesim, janë
fitore që Evropa mundohet me fanatizëm t’i ruaj, zhvilloj e thelloj më tej. E,
megjithatë ne e shohim qartë se si kjo Evropë “demokratike” dhe e civilizuar
qëndron indiferente ndaj fateve të popujve të tjerë, ku shkelen këto të drejta,
ku mungon barazia përpara ligjit, ku nëpërkëmben liria dhe pavarësia e
individit, ku ushtrohet dhuna e terrori ndaj popullsisë së pafajshme. Shihet
gjithnjë e më qartë hipokrizia e qarqeve sunduese evropiane ndaj fatit dhe të
ardhmes së popujve të tjerë. Heshtin dhe bëhen të paditur për shpërnguljet nga
Toplica e Sanxhaku, kur derdhet gjaku si lumi në fshatrat e Medvegjes,
Bujanocit, Preshevës, Karadakut dhe Tetovës, kur vriten, ndiqen dhe torturohen
me qindra e mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre, kur ushtrohet një etnocid e
gjenocid i pashembullt-sistematikisht ndaj popullit shqiptar. Është hipokrizi
akordimi i kredive dhe furnizimi me armë më moderne në një kohë kur derdhet
gjaku i shqiptarëve si lumë në shtëpitë e tyre.
E drejta për arsimim në gjuhën
amtare
Ndaj luftës disavjeçare në qendër të Ballkanit, ku janë
shfarosur me dhjetëra e mijëra njerëz, ata kanë mbajtur qëndrim indiferent, për
të mos thënë se e kanë nxitur atë për të nxjerrë përfitimet e veta. Shqiptarët
vetëm në qoftë se me luftën e tyre të drejtë dhe çlirimtare do të dinë jo vetëm
të rezistojnë, por edhe të dalin fitimtarë, atëherë Evropa e “qytetëruar”, e
gjendur përpara një fakti të kryer, do të mbante një qëndrim tjetër dhe
hipokrizia e saj do të dilte sheshit, kurse propaganda do të flasë me një gjuhë
tjetër, se “ne evropianët gjithnjë kemi qenë në mbrojtje të pafajshmëve, në
mbrojtje të lirisë dhe të pavarësisë së popujve”. Ç’bëri Evropa kur ndaj
shqiptarëve të pambrojtur u qëllua me armë. Me qëndrimin e tyre mospërfillës
ata i nxitën qarqet sunduese serbo-maqedonase që të vazhdojnë edhe më tej
dhunën e egër ushtarako-policore, duke shtypur çdo ëndërr të shqiptarëve për të
drejtën e tyre legjitime kombëtare për arsimin në gjuhën amtare.
Pa dhunë dhe diskriminim
Është koha që shqiptarët t’i kuptojnë miqtë dhe armiqtë e
tyre, çiltërsinë dhe hipokrizinë, fjalët nga veprat. Qeveritarët maqedonas me
të gjitha mënyrat përpiqen t’i ndalojnë shqiptarët të organizohen, të
shkollohen, sepse nuk duan që ata të jenë të barabartë me ta. Kjo është arsyeja
përse ata u hodhën me tërbim për të ndaluar themelimin e Universitetit të
Tetovës, për të ndalur rininë shqiptare të marrë arsimin e lartë. Gjakderdhja,
terrori i egër ushtruar ndaj nismëtarëve për themelimin e Universitetit të
Tetovës dhe ndaj studentëve të parë në këtë tempull të dijes dhe kulturës, na
kujtojnë pa dashur kohën e mesjetës kur shkencëtarët digjeshin të gjallë, ngaqë
shkenca e tyre u hapte sytë njerëzve të pashkolluar, na kujtojnë Xhordano
Brunon që u dogj i gjallë në sheshin e Romës për arsye të zbulimeve të tij të
mëdha shkencore për planetin e Tokës. Sikurse politika e pushtetmbajtësve serbo-maqedonas
t’i përmbahej porosive dhe mësimeve të Goce Delçevit; “Kombet të bëjnë gara
kulturore dhe jo gara të dhunës dhe të intrigave”,sikurse pushtetarët maqedonas
t’i ktheheshin politikës reale dhe miqësore ndaj popullit shqiptar në Maqedoni,
dhe në mënyrë demokratike të pranonte t’u njohë shtetasve shqiptar barazinë
sociale, politike, nacionale, qytetare dhe shtetërore, kjo do të ishte ajo
politikë që do të nxirrte nga pellgu i pafund këtë vend ballkanik. Kjo do të
shërbente si një faktor i rëndësishëm për ekzistencën e Maqedonisë. Me barazi
të plotë në çdo fushë, pa dhunë dhe diskriminim midis të gjitha nacionaliteteve
që bashkëjetojnë sot në Maqedoni.
Shqiptarët duan të trajtohen si
qytetarë të barabartë me maqedonasit
Shqiptarët që jetojnë në trojet e veta nuk kërkojnë gjë më
tepër, ata duan të trajtohen si qytetarë të barabartë me maqedonasit. Në qoftë
se kjo politikë diskriminuese do të vazhdojë edhe në të ardhmen, atëherë
shqiptarët do të kërkojnë t’i jepnin fund kësaj gjendjeje jonormale dhe do të
kërkonin të ndaheshin nga Maqedonia. Pa asnjë hezitim e diskutim, kjo do të
sillte shpërbërjen dhe zhdukjen nga harta evropiane të kombit maqedonas. Do të
ishte mirë që qeveritarët maqedonas të nxirrnin përfundime pozitive nga
qëndrimi realist i qeverisë shqiptare që ishte i vetmi shtet dhe komb fqinj i
maqedonasve që e njohu ekzistencën e kombit dhe të shtetit maqedonas. Në
barazinë e plotë midis popujve qëndron edhe formula e stabilitetit të brendshëm
të Maqedonisë. Në qoftë se nuk kuptohet realisht kjo gjë, atëherë pasojat do të
jenë më të mëdha me përmasa katastrofike.
No comments:
Post a Comment